BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE pabazë teoria që fajëson teknologjinë HAARP për tërmetin në Turqi

E pabazë teoria që fajëson teknologjinë HAARP për tërmetin në Turqi

Pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, në mediat sociale qarkulloi pretendimi se kjo fatkeqësi natyrore ishte shkaktuar nga tekonologjia HAARP. Shpjegimi i kësaj teknologjie studimore dëshmon përse pretendime të tilla janë të pabaza.

Teksa në Turqi dhe Siri vijojnë misionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit, në rrjete sociale po qarkullon një video që ngre pretendime të pabaza mbi shkaqet e kësaj fatkeqësie natyrore. Video, e shpërndarë edhe nga një profil shqiptar, pretendon se është një provë që tërmeti në Turqi dhe Siri është shkaktuar nga teknologjia HAARP, një përpjekje shkencore që synon të studiojë vetitë dhe sjelljen e jonosferës.

“Janë shumë kanale Turke që po flasin mbi sistemin Harp që shkaktoj tërmetin në Turqi”– shkruhet në postimin që ka marrë 41 pëlqime, 23 komente dhe është parë nga 872 persona të tjerë.

E vërteta është se HAARP është një instalim shkencor i ndërtuar në vitin 1993 me qëllim studimin e vetive dhe sjelljes së jonosferës (një pjesë e atmosferës në një lartësi që varion nga 80 deri në rreth 650 kilometra mbi sipërfaqen e tokës) për të kuptuar se si kjo mund të ndikojë në sistemet e komunikimit dhe navigimit ushtarak dhe civil.

Stacioni i kërkimit ndodhet në Alaskë (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe instrumenti kryesor i përdorur brenda tij është instrumenti i kërkimit jonosferik (Iri), një seri prej 180 antenash radio të shpërndara në një sipërfaqe prej 0.13 kilometra katrorë. Vendi fillimisht u menaxhua nga Forca Ajrore dhe Marina e Shteteve të Bashkuara, derisa përgjegjësia për objektet dhe pajisjet HAARP u transferua zyrtarisht në Universitetin e Alaskës në Fairbanks (UAF) në 2015.

Me kalimin e viteve kjo lloj teknologjie është gjetur shpesh në qendër të teorive të ndryshme konspirative, të tilla si ato që pretendojnë se do të ishte në gjendje të manipulonte motin ose të shkaktonte fatkeqësi natyrore si tërmetet. Këto janë pretendime pa asnjë bazë shkencore.

Ndërkohë, e vërteta është se rajoni ku ndodhi tërmeti në Turqi është një ndër rajonet me aktivitetin më të lartë sizmik, sigurisht përpara se të shpikej teknologjia HAARP. Që nga viti 1970, në këtë rajon kanë ndodhur tre tërmete. Më i forti prej tyre, me magnitudë 6.7 ballë, ka ndodhur në 24 janar të 2020 në verilindje të tërmetit të 6 shkurtit, gjithashtu në afërsi të Anadollit Lindor.

Një tjetër pretendim i pabazë lidhur me këtë video është dhe argumenti se teknologjia HAARP u përdor si hakmarrje pasi Turqia donte të largohej nga NATO.

Nga verifikimet tona rezulton se Turqia nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për t’u larguar nga Aleanca Atlantike. Vendi është anëtar i NATO-s që nga viti 1952 dhe në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme turke shkruhet : “Turqia, një aleate besnike e NATO-s, e konsideron Aleancën si gur themeli për sigurinë e rajonit euroatlantik të e cila është pjesë përbërëse”. Po ashtu, saktësojmë se pas tërmetit, Turqia i ka dërguar NATO-s një kërkesë për ndihmë, duke kërkuar ndër të tjera personel dhe pajisje mjekësore, njësi kërkim-shpëtimi dhe spitale fushore.

 

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img