Pretendimi: Dëshmitarët konfirmojnë se zjarret në ishullin e Hawait u shkaktuan qëllimisht nga armë me lazer
Rate: False
Zjarret e muajit gusht në Hawai nxitën teoritë konspirative se ishin shkaktuar nga armët me lazer. Një verifikim i Faktoje hedh poshtë këto pretendime që qarkulluan në rrjetet sociale në vendin tonë.
Përdoruesit e mediave sociale po pretendojnë se zjarret që dogjën një qytet historik në shtetin amerikan të Hawait janë shkaktuar nga lazerët.
“Hawai. Ato që thonë nëpër media janë komplet mashtrime”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Postimi shoqërohet edhe me një video, ku shfaqet një grua, e cila pretendon se ka qenë për 4 ditë e bllokuar atje gjatë katastrofës. Gruaja në video thotë ndër të tjera se nuk ishte një katastrofë natyrore.
“Ai ishte një sulm i drejtpërdrejtë me energji ndaj njerëzve dhe vendit në Maui”, thekson ajo.
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm të këtyre pretendimeve, për të parë se çfarë kishte ndodhur vërtetë në Hawai. Nga një kërkim i bërë në internet, rezultoi se këto pretendime ishin verifikuar edhe nga kolegët e AFP.
“Natyrisht këto janë akuza vërtetë të çmendura,” tha për AFP Michael Gollner, një profesor i asociuar i inxhinierisë mekanike në Universitetin e California-Berkeley, i cili hulumton dinamikën e zjarrit.
Susan Buchanan, drejtore e marrëdhënieve publike për Shërbimin Kombëtar të Motit, i tha AFP-së se agjencia paralajmëroi zyrtarët lokalë një javë përpara për kushtet e rrezikshme të motit nga zjarri në ishujt e Hawai, duke lëshuar paralajmërime zyrtare para fillimit të asaj që ata e quajtën “ferr”.
“Një përzierje e vegjetacionit të thatë, erërave të forta, ajrit të thatë dhe lagështisë së ulët ndihmuan në përhapjen e zjarreve vdekjeprurëse,” – tha Buchanan në një email për AFP.
“Ne kishim flamur të kuq për kushtet e motit,”- tha Arnaud Trouve, kryetar i Departamentit të Inxhinierisë së Mbrojtjes nga Zjarri në Universitetin e Maryland.
Sipas Zyrës së Përgjegjësive të Qeverisë së SHBA, armët e drejtuara me energji përdorin energji të përqendruar elektromagnetike të shkrepur me shpejtësinë e dritës për të luftuar forcat dhe asetet e armikut.
Ndërkohë që autoritetet nuk kanë përcaktuar se çfarë i vuri flakën Maui-t në Hawai, nuk ka asnjë provë për përfshirjen e armëve me lazer.
Teoritë e konspiracionit rreth lazerëve kanë marrë hov në internet që nga zjarret e egra në Kaliforni të viteve 2010, sipas Mike Rothschild, autor i librit “Lazerët hebrenj hapësinorë”.
“Teoria është veçanërisht e adaptueshme me mediat sociale, sepse përshtatet me fotot e marra të zjarreve që tregojnë rreze drite që supozohet se vijnë nga hapësira,” – tha Rothschild.
Zjarret vdekjeprurëse në Hawai në muajin gusht të 2023, vranë mbi 100 njerëz dhe detyruan mijëra të tjerë që të evakuoheshin.