Video e presidentit Biden me fytyrë të shtrembëruar nuk tregon një çast rrëshkitje të maskës së tij njerëzore. Verifikimi i Faktoje tregon se klipi është thjesht i manipuluar.

———————————————–

Një video qartësisht e manipuluar e presidentit amerikan Joe Biden po paraqitet në rrjetet konspiracioniste si të ishte e vërtetë.

Konspiracionistët e sjellin klipin e mësipërm si provë e teorive më ekstreme që pretendojnë se Biden (dhe “elita të tjera globaliste”) janë në të vërtetë klone, robotë, apo alienë me tipare zvarranikësh. 

Çfarë po ndodh në këtë video, pretendojnë ata, është se ‘maska me fytyrë njeriu’ e Biden po rrëshket.

Një shpjegim alternativ për tiparet e përçudnuara të Biden është manipulimi digjital i një klipi ekzistues: klip i marrë nga një fjalim i Biden në 6 janar 2023, gjatë një përkujtimoreje që shënonte kalimin e dy viteve nga ngjarjet e 6 janarit 2021 në Washington DC, kur mbështetësit e ish-presidentit Trump sulmuan Kongresin.

Siç dyshuam, në videon origjinale, tiparet e Biden janë normale.

“Faktoje” krahasoi videon e modifikuar me atë origjinale për të treguar më qartë se kemi të bëjmë me një manipulim.