E manipuluar deklarata e Greta Thunberg për shpëtimin e bankave

679

Në rrjete sociale po qarkullon një video e aktivistes Greta Thunberg duke thënë “Nëse mund të shpëtojmë bankat, atëherë mund të shpëtojmë botën”. Verifikimet tregojnë se video është një klip i shkurtuar nga një intervistë e nxjerrë nga konteksti. Në fakt, Thunberg ka thënë se paketat e shpëtimit të bankave dëshmojnë se bota ka para të mjaftueshme për të trajtuar ndryshimet klimatike. 

Një video nga një intervistë e Greta Thunberg në 2019 tregon aktivisten suedeze të klimës duke thënë se paketat e shpëtimit të bankave janë dëshmi se bota ka para të mjaftueshme për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Por javët e fundit, një klip i shkurtuar nga kjo intervistë ka nxjerrë nga konteksti deklaratën e aktivistese. Njerëzit po shpërndajnë një video të shkurtër të aktivistes që thotë: “nëse mund të shpëtojmë bankat, atëherë mund të shpëtojmë botën” me pretendimin se Thunberg ka zhvendosur përparësitë nga planeti në bankat e kursimit.

GRETA THUNBERG: “Nëse shpëtojmë bankat, mund të shpëtojmë botën”.Një deklaratë kaq novatore dhe revolucionare nga një “aktivist i ri mjedisor”. As që mund ta merrnit me mend se pas personazhit Greta Thunberg fshihen interesa krejtësisht të ndryshme. 

Ky është postimi i një përdoruesi në facebook, teksa ndan videon e shkurtuar të aktivistes. 

Verikimet nga kolegët tanë të Reuters tregojnë se, në intervistën origjinale, Thunberg u referohet bankave duke thënë se nëse liderët botërorë mund të përballojnë shpenzimet për të shpëtuar bankat, atëherë ata mund të përballojnë të ndihmojnë mjedisin.

Videoja është prerë nga intervista e Thunberg me gazetaren kanadeze Naomi Klein e cila është publikuar nga The Intercept në shtator 2019.

Komenti i Thunberg erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së Klein nëse ndryshimi i klimës është “shumë i madh apo shumë i shtrenjtë” si problem për t’u zgjidhur, më konkretisht në minutën 7:30 të videos

“Paratë janë aty, nëse mund të shpëtojmë bankat, atëherë mund të shpëtojmë botën… Dua të them, nëse ka diçka që nuk na mungon në këtë botë, është paraja”, thotë në intervistë Thunberg. (MINUTA 7:58).

Thunberg vazhdoi duke thënë, “qeverive dhe njerëzve në pushtet nuk u mungojnë paratë” dhe se “paratë janë atje, por neve na mungon vullneti politik dhe social” për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Fotografia kryesore e marrë në web.