E keqinterpretuar ideja e Bill Gates për reduktimin e rritjes së popullsisë së botës 

762

Përdoruesit në rrjete sociale kanë ricikluar një deklaratë të Bill Gates për vaksinat dhe rritjen e popullsisë, duke e nxjerrë nga konteksti. Verifikimet tregojnë se në bisedën për reduktimin e emetimeve të CO2, Gates nuk ka deklaruar uljen e popullsisë me 10-15% nëpërmjet vaksinimit. 

Një koment nga Bill Gates për vaksinat dhe rritjen e popullsisë është nxjerrë sërish jashtë kontekstit.

Në mediat sociale, një postim ngre këtë pyetje: “Pra po më thua, që i njëjti që tha “Ne mund të ulim numrin e njerëzve në tokë me vaksina “tani po bën një vaksinë dhe njerëzit mezi po presin për t’u injektuar me të…” 

Një tjetër përdorues i facebook teksa ndan një video ku shfaqet Bill Gates shkruan: “Kur ky “Profeti”demostronte këtë, salla e gjitha në ovacione dhe kur tha që do shpopullojmë me vax 10-15% të popullsisë e njëjta gjë.”

Nga verifikimet e bëra nga kolegët tanë të Reuters rezulton se deklarata e Gates është nxjerrë nga konteksti.

Keqinterpretimi për Gates buron nga një koment i bërë gjatë një fjalimi në TED në vitin 2010, rreth metodave për reduktimin e emetimeve të karbonit në botë në zero (këtu). Në mënyrë thelbësore, një nga faktorët që shtyn emetimet e karbonit në një nivel të paqëndrueshëm është rritja e popullsisë.

“Së pari, ne kemi popullsinë,” tha ai gjatë një bisede të organizuar nga TED, një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar ndaj përhapjes së ideve. “Bota sot ka 6,8 miliardë njerëz dhe do të shkojë në rreth nëntë miliardë. Tani, nëse bëjmë një punë vërtet të shkëlqyer për vaksinat e reja, kujdesin shëndetësor, shërbimet e shëndetit riprodhues, ne mund ta ulim atë ndoshta me 10 ose 15 për qind. Por atje, ne shohim një rritje prej rreth 1.3.”

Sidoqoftë, Gates nuk po sugjeronte se popullsia globale duhet të vritet duke përdorur vaksina. Ai në vend të kësaj është duke thënë se përmirësimi i shëndetit publik duke përdorur vaksinat mund të zvogëlojë rritjen e paqëndrueshme të popullsisë në të ardhmen – dhe bashkë me të, emetimet më të ulëta të karbonit.

Bashkëthemeluesi i Microsoft-it ka qenë prej kohësh një ithtar i kontrollit të popullsisë për të synuar rrënjët e varfërisë dhe trazirave (këtu).

Në vitin 2011, tha për revistën Forbes se kur ai hyri për herë të parë në shëndetin publik synoi të fokusohej në kontracepsionin (këtu).

Kur më vonë, pa të dhëna që sugjeronin se kur shkalla e vdekshmërisë bie, po ashtu bien edhe nivelet e lindjeve, Gates e zhvendosi fokusin e tij nga parandalimi i lindjeve në shpëtimin e njerëzve tashmë të gjallë.

“Ne u zhvendosëm shumë te vaksinat sapo e kuptuam këtë,” i tha ai Forbes.

Reuters ka adresuar më parë pretendimet në lidhje me opinionet e Gates mbi kontrollin e popullsisë (këtu, këtu).