Pretendimi: Kjo video tregon televizionin kombëtar hollandez që demonstron lodra seksi në një emision për fëmijë.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-
Një video që duket se tregon disa vajza të vogla duke luajtur me lodra seksi po qarkullon në rrjet me pretendimin se tregon një emision për fëmijë në televizionin kombëtar hollandez. Ky sillet si shembull i degjenerimit europiano-perëndimor.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një video më e gjatë, e botuar në vitin 2017.

Megjithatë, ajo nuk është pjesë e ndonjë emisioni për fëmijë, por e një fushate sensibilizuese kundër prostitucionit të fëmijëve.

Video e plotë tregon vajzat e vogla duke luajtur ne mënyrë të pafajshme me lodrat e seksit që nxjerrin nga një kuti, dhe duke spekuluar se për çfarë mund të përdoren, me imagjinatën e pafajshme të një fëmije. Sugjerimet përfshijnë ‘një shkop’, ‘okllai’ dhe ‘vrasëse mizash’.

Më pas në ekran shfaqet një mesazh që thotë: “Imagjinatë e pafajshme për këto vajza. Realitet i tmerrshëm për të tjera.”

Këto pamje pasohen nga një video e xhiruar me kamera të fshehtë që tregon një vajzë 7 vjeç duke u ofruar për seks.

Filmi nga Free A Girl, një organizatë ndërkombëtare për lirimin e vajzave të vogla nga prostitucioni, u krijua për të theksuar mesazhin se “seksi nuk është lojë fëmijësh”. Drejtoresha dhe bashkëthemeluesja e Free A Girl, Evelien Hölsken, tha: “Rreth dy milionë fëmijë në të gjithë botën janë të përfshirë në prostitucion, nga të cilat 1.2 milionë janë në Indi. Vajzat detyrohen të bëjnë seks çdo ditë me dhjetëra meshkuj.”