Rikonstruksioni i rrugës “Aleksandër Goga” në qytetin e Durrësit nuk do të kryhet këtë vit, ndonëse në mars të këtij viti kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako e dha si premtim. Kjo konfirmohet për Faktoje zyrtarisht nga Bashkia e Durrësit, por edhe nga verifikimi në terren, ku kostatuam se ende nuk kishte nisur puna për rikonstruksionin e rrugës, e cila është kthyer në shqetësim për banorët.
—————————————————————————————
Në muajin mars, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi se brenda vitit 2022 do të kryhej rikonstruksioni i rrugës “Aleksandër Goga”.
“Përveç këtij projekti në këtë zonë do të kryejmë gjatë këtij viti rikonstruksionin e rrugës Aleksandër Goga”, premtoi Sako më 4 mars 2022.
Screenshot, postimi i kryebashkiakes Sako në Facebook
Në lidhje me këtë premtim të zonjës Sako, Faktoje udhëtoi drejt qytetit bregdetar më 4 nëntor, për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Gjatë verifikimit në terren dhe komunikimit me banorët konstatuam se ende nuk kishte nisur puna për rikonstruksionin e saj.
Rruga “Aleksandër Goga”, 4 nëntor 2022
“Në verë këtu bëhet pluhur dynjaja, ndërsa sapo fillojnë shirat kemi probleme me mbushjen e rrugëve me ujë dhe baltë”, thotë një 60-vjeçar për Faktoje.
Rruga “Aleksandër Goga”, 4 nëntor 2022
“Kështu sikur na thanë njëherë që do e rregullojmë, tani le të presim. Urojmë ta bëjnë sa më parë, se çfarë nuk kemi dëgjuar nga politikanët, por punë s’kemi parë”, shprehet një pensioniste.
Gjithashtu, gjatë verifikimit në terren pamë që kishte puseta të hapura në mes të trotuarëve, duke u bërë burim serioz rreziku për banorët.
Rruga “Aleksandër Goga”, 4 nëntor 2022
Rruga “Aleksandër Goga”, 4 nëntor 2022
Në lidhje me rikonstruksionin e rrugës, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Durrësit. Një prej pyetjeve që i drejtuam këtij institucioni ishte se në çfarë faze ishin punimet për këtë segment rrugor.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 7 nëntor 2022
Në përgjigjen zyrtare, Bashkia Durrës bën të ditur se në buxhetin e vitit të ardhshëm pritet të parashikohet edhe realizimi i këtij investimi.
“Bashkia Durrës ka zhvilluar procedurën e prokurimit publik me objekt ‘Hartim projekti rehabilitimi rrugws ‘A.Goga’ – Spitali’, për të përzgjedhur studion projektuese, e cila do të hartojë projektin për rehabiltimin e këtij segmenti rrugor.
Me dorëzimin e projektit nga studio projektuese, në buxhetin e Bashkisë Durrës për vitin e ardhshëm do të parashikohet realizimi i këtij investimi”, njofton Bashkia Durrës.
Në dhjetor të vitit 2021, Këshillit Bashkiak i Durrësit miratoi buxhetin për vitin 2022. Në fjalën e mbajtur kryebashkiakja Sako tha: “Buxheti i vitit 2022 do të jetë 3.68 miliardë lekë, 20% më shumë se viti 2021. Bashkia e Durrësit ka zhvilluar 5 dëgjesa publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2022-2024 me anë të të cilave janë marrë edhe mendimet e qytetarëve për t’i reflektuar në buxhet. Prioritetet për vitin 2022 përveç procesit të rindërtimit do të jenë menaxhimi i mbetjeve, arsimi, infrastruktura rrugore, ndriçimi si dhe turizmi”.
Gjithashtu, ajo shtoi se në këtë buxhet janë parashikuar të rikonstruktohen edhe disa rrugë, por nuk specifikonte se për cilat rrugë do të kryhej rikonstruksioni.