Lufta në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e saj të dytë dhe ka shkaktuar dëme masive në jetën e mijëra njerëzve, trajtohet nganjëherë në rrjete sociale si të ishte një lojë futbolli, ku grupe të ndryshme bëjnë tifo për Rusinë ose Ukrainën. Shpeshherë sulmet ruse mbi Ukrainën, e cila ka një popullsi mbi 44 milionë banorë, shihen me një sy edhe më të shkëputur nga realiteti i luftës, duke u interpretuar si sulme mbi NATO.
Kështu, në rrjetet sociale shqipfolëse, sulmi rus mbi portet ukrainase mbi Danub përshkruhet si “hakmarrja ruse që sulmoi arteriet e infrastrukturës së NATO-s në portet e lumit Danub.”
Në të vërtetë, drone të ushtrisë ruse sulmuan, më 24 korrik, portet ukrainase të Reni dhe Izmail. Këto sulme shënjestruan hambarët e grurit në një përpjekje për të kufizuar eksportet ukrainase të grurit. Mbi 60 mijë tonë grurë janë shkatërruar në javën e fundit.
Megjithatë, sulmet ruse, afërmendsh, nuk kanë goditur NATO.
Një shtet anëtar i NATO, Rumania, ndodhet në anën tjetër të Danubit nga dy portet ukrainase të sulmuara. Presidenti rumun Klau Iohannis dënoi sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Danub, “shumë afër Rumanisë.”
Megjithatë, asnjë sulm rus nuk preku ndonjë shtet anëtar të NATO. Kjo sepse, siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, NATO, aleanca më e madhe ushtrarake në botë, bazohet mbi parimin e vetë-mbrojtjes kolektive. Sulmi ndaj një vendi të NATO do të sillte kundërpërgjigjen e të gjitha shteteve të aleancës më të mirë-armatosur në botë.