Pretendimi: Nënkryetari Andi Seferi u komandua në krye të bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Veliajt

Verdikti: E pavërtetë

Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj mesditën e 10 shkurtit, një prej pyetjeve që u ngrit në media ishte mbi personin që do drejtojë në vijim  bashkinë më të madhe në vend.

mediat online qarkulluan emra të ndryshëm, mes tyre edhe ai i nënkryetarit, Andi Seferi. Duke iu referuar burimeve të besueshme, “Ora News” raportonte në 11 shkurt se zoti Seferi do të udhëheqte përkohësisht administratën e qytetit, deri në përfundimin e procedurave ligjore ndaj Veliajt.

“Andi Seferi komandohet në krye të Bashkisë Tiranë”- titullohet artikulli i “Ora News” që ka marrë qindra shikime.

Artikulli i publikuar nga “Ora News”

Mirëpo, ky informacion nuk rezultoi i sakte edhe pse qarkulloi në disa portale. Teksa kryebashkiaku Veliaj vazhdon betejën gjyqësore, drejtimi i Bashkisë së Tiranës i është besuar, prej mbrëmjes së 11 shkurtit nënkryetares tjetër, Anuela Ristanit.

Në të njëjtën ditë, në 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Tiranës, kryebashkiakja e komanduar mbajti edhe fjalimin në rolin e ri të ngarkuar në një procedurë që ka ngritur pikëpyetje nga këshilltarët e opozitës. Ristani u shpreh në ndër të tjera: “Detyra jonë këtu sot si punonjës të Bashkisë Tiranë dhe gjithë stafit të Bashkisë Tiranë që ndan dhe ka ndarë me ne vizionin dhe misionin e kësaj skuadre është të vijojmë ta bëjmë Tiranën të shkëlqejë edhe më fort, shumë herë edhe më fort.” E megjithatë, lajmi i pasaktë për komandimin e z.Seferi vijon të jetë publik në platformat online të Ora News edhe disa ditë pas këtij publikimi.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, kryebashkiaku Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Më 13 shkurt, Veliaj u transferua në ambientet e paraburgimit në Durrës.

Artikulli paraprakKompania SHELL drejt largimit nga Shqipëria
Artikulli tjetërFaktoje prezanton gjetjet e monitorimit në bashkinë e Elbasanit
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.