Vendosja e disa ngjarjeve në një kontekst tjetër, është një nga mënyrat më të përhapura të dizinformimit të audiencës. Ky është rasti i identifikuar në raportimin e News308media, i cili me anë të një titulli sensacional publikon një lajm me ngjarje të ricikluara nga periudha të mëparshme dhe fakte të shtrembëruara mbi situatën në Ballkan dhe konfliktin Rusi-Ukrainë.
Barbara Halla
Artikulli i portalit News308media, i publikuar me datë 24 gusht 2022, nis me titullin se “Ballkani është në rrezik të madh për destabilizimin nga Rusia.” Më tej, parashtron se një “lajm i hidhur” pritet nga Britania, por nuk i bën të qartë në titull përmasat e ngjarjes. Në trupin e lajmit, flitet për një vizitë të sekretares së jashtme britanike Liz Truss në Bosnje Hercegovinë ku ajo pritet të mbajë një qëndrim të prerë kundër Presidentit rus Vladimir Putin dhe luftës që ai po bën në Ukrainë.
Burim: News308media
Ndonëse ky lajm është publikuar më datë 24 gusht siç u vu në dukje më sipër, ai ka ricikluar ngjarjet e pak muajve më parë dhe nuk po mbulon ngjarje të reja që mund të kenë ndodhur rishtazi në Ballkan. Në fakt, Truss e vizitoi Sarajevën në fund të majit, ku foli edhe për “përpjekjet ruse për të ndikuar dhe destabilizuar” Bosnje-Hercegovinën dhe për ta ndarë atë.
Burim: ABC News
Lajmi i publikuar nga portali nis me pretendimin se Ballkanit i kanoset një rrezik nga Rusia, por nuk e specifikon këtë rrezik, duke shkaktuar dyshime dhe panik tek lexuesi. Është e vërtetë se që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, diplomatë nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar disa herë se Rusia mund të përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, duke përdorur ndikimin e saj në grupet serbe jo vetëm në Serbi, por edhe ne Bosnje ku kryetari i grupit Serb, Milorad Dodik, prej kohësh përpiqet ta ndajë entitetin e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjes. Por në këtë rast, si në titull dhe në trupin e artikullit, nuk shpjegohet cili është ky rrezik dhe si i prek vendet e ndryshme të rajonit.
Si në artikuj të tjerë të llojit të vet, mund të vihen re disa elemente që vënë në dyshim vërtetësinë e artikullit edhe pa verifikuar faktet vetë. Së pari, teksti që nga titulli dhe tek përmbajtja ka gabime të shumta gramatikore, por këto gabime janë të qëllimshme. Emri “Ballkani” është shkruar “BaIIkan”, fjala “rrezik” është ndarë në “rr ezik”. Këto teknika bëhen për të anashkaluar algoritmet që pikasin lajme të rreme.
Burim: News308media
Për më tepër, portali vetë është i dyshimtë. Portale të reja krijohen çdo ditë, dhe ato mund të krijohen edhe me synime dhe qëllime të mira. Por kryesisht, portalet e panjohura, sidomos ato që kanë emra jo specifik, përdorin një kombinim të fjalës “News” ose “lajm” me shifra të rastësishme dhe besueshmëria e tyre duhet verifikuar me kujdes.
Portale të tilla i përdorin titujt si “karrem” për të tërhequr vëmendjen dhe kuriozitetin e lexuesit, dhe ta shtyjnë atë të klikojë mbi lajmin. Shpesh, sa më shumë klikime një lajm të ketë, kjo do të thotë më shumë të ardhura nga publicitetet që mund te jenë vendosur në faqen e artikullit. Në rastin e artikullit në fjalë, këtë e tregon fakti se ai nuk e parashtron që në titull lajmin e plotë (“Vjen lajmi i hidhur nga Britania, ja çfarë pritet…”, por pretendon se do të mund ta gjeni atë brenda artikullit. Agjencitë e lajmeve, si dhe faqet e internetit të mediave legjitime, i publikojnë detajet më të rëndësishme në titull. Lajmet gjithsesi duhen lexuar të plota për të kuptuar nuancat e ngjarjeve, por titulli nuk duhet të lerë dyshime mbi ngjarjen kryesore.
*Në foton kryesore, lajmi i publikuar nga News308media
*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin