BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDebunking: Lajmi i rremë për vdekjen e Bes Kallakut rishfaqet rreth një vit pas publikimit

Debunking: Lajmi i rremë për vdekjen e Bes Kallakut rishfaqet rreth një vit pas publikimit

Ardi Pulaj

Një portal në gjuhën shqipe në internet publikoi rreth një vit më parë lajmin se komediani Bes Kallaku ndërroi jetë në skenë. Lajmi i rremë i 2021, vijon që të qarkullojë në Facebook, si një postim i sponsorizuar.

“Arti në zi! Komediani shqiptar ndrrоn jеtë në skenë gjatë shfaqjes” është titulli i artikullit të publikuar nga Blue TV, por që në Facebook publikohet nga një faqe me emrin “Lajme Shqip”. Përmbajtja e artikullit është në shqip, ndërsa dizajnin e faqes në turqisht.

Lajmi vijon: “Një prej anëtarëve stafit të teatrit tha se publiku në Tirane mendoi që ishte shaka dhe njerëzit vazhduan të qeshnin. Por pas disa minutash kur nuk po lëvizte më, stafi u shqetësua dhe thirri ambulancën. Sipas organizatorëve, Bes Kallaku nuk ishte ndjerë mirë që pëpara fillimit të shfaqjes, por kishte këmbëngulur që të dilte në skenë. Ai madje bëri shaka me këtë gjë, duke i thënë publikut “imagjinoni sikur të vdi*sja para jush sot” shikoni videon duke klikuar me poshte.”

Në artikullin që fillimisht është publikuar në datën 2 shtator 2021, në fakt nuk ka një video ashtu si pretendon portali se lexuesit mund ta shohin atë.

Lajmi është i rremë dhe përveç këtij fakti është shkruar në formën e një “clickbait” (tituj tërheqës, manipulues dhe çorientues, në mënyrë që publiku të klikojë artikullin).

Në rrjetin social Facebook, artikulli vijon t’i ofrohen publikut edhe në ditët e sotme në opsionin “Sponsored” (kur autori paguan para për të reklamuar linkun e faqes).

Foto nga postimi i sponsorizuar në Facebook

 Lajmi, edhe pse i rremë e ka arritur qëllimin e tij për të patur klikimet e publikut, por edhe komentet e tyre. Disa nga komentuesit e kanë besuar lajmin dhe kanë nxituar të ngushëllojnë familjen e komedianit, ndërsa disa të tjerë kanë kritikuar portalin që poston lajme të tilla.

Disa nga komentet në linkun e lajmit në Facebook. Faktoje ka fshehur emrat dhe fotografitë e e komentuesve për të ruajtur privatësinë e tyre.

Lajmi i rremë që prej rreth një viti po bën xhiron e internetit dhe të rrjeteve sociale, duke sjellë konfuzion te publiku dhe dizinformim të tij dhe për më tepër kur shpërndarësit e një lajmi të tillë të rremë, paguajnë reklamë në Facebook për të rritur numrin e klikimeve. Rasti bëhet edhe më flagrant sidomos kur jepen lajme të rreme për vdekjen e një personi. Aktori Bes Kallaku gëzon shëndet të plotë dhe është aktiv me projektet e tij, por edhe në rrjetet sociale.

 

*Foto kryesore e marrë nga postimi i Blue TV

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img