.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashDisa media shqiptare bien pre e dizinformimit serb për çështjen e targave të Kosovës

Disa media shqiptare bien pre e dizinformimit serb për çështjen e targave të Kosovës

Paralajmërimet për konflikt të armatosur mes Kosovës e Serbisë, për shkak të vendimeve për targat e Kosovës, ka nxitur fushatën e radhës dizinformuese, të cilës nuk i kanë shpëtuar as media në Shqipëri. Narrativa me zanafillë disa media serbe, e sjellë ndonjëherë copy-paste nga ato shqiptare e paraqet si të paligjshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti. Një retorikë e rrezikshme kjo, e cila përsëritet edhe pse, në rastet e mëparshme, siç ka raportuar Faktoje këto lajme që shkaktuar panik, kanë rezultuar të pasakta.

Barbara Halla

Në qershor 2022, qeveria kosovare lëshoi paralajmërimin e parë përkundrejt atyre shoferëve mjetet e të cilëve mbanin ende targa serbe, dhe jo ato të Kosovës që njihen si targa me shënjimin RKS. Siç e ka shpjeguar Faktoje në një artikull të mëparshëm ky vendim, i cili prek rreth 10 mijë automjete në pronësi kryesisht të serbëve të Kosovës, është tërësisht i ligjshëm. Nga lajmërimi i parë në qershor, zbatimi i plotë i këtij vendimi është shtyrë disa herë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, pas kritikave të shumta të Serbisë. Në korrik zbatimi u shty për datën 1 shtator, dhe më pas për 1 nëntor. Në të dyja rastet, mediat shqiptare kanë rënë pre e një retorike të rrezikshme që ndjekin narrativën e Serbisë, ku vendimi paraqitet jo vetëm si i jashtligjshëm, por gjithashtu si shkas për një konflikt të armatosur midis të dyja shteteve.

Faktoje ka shkruar më parë përse paralajmërimet për luftë midis Kosovës dhe Serbisë janë të paqëna. Megjithatë, edhe kësaj rradhe, me afrimin e datës 1 nëntor, mediat shiptare publikuan kronika lufte, me fjalime nga qeveria serbe per shfarosjen e serbëve, imazhe makinash që digjen pa detaje të qarta, lajme për mobilizimin e trupave serbe në kufi, apo drone të paqena në qiejt e Serbisë. Tani që data e skandencës ka kaluar, dhe qeveria e Albin Kurtit i ka dhënë qytetarëve të Kosovës afat deri më prill 2023, këto lajme shkaktuan paqartësi, por dolën përsëri të pasakta.

Kurti kërkon të shtypë serbët nga Kosova – thotë Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Burim: Euronews

Duke u bazuar në portalin serb RTS, disa media shqiptare publikuan fjalimin e dhënë nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç mbi vendimin e targave. Në këtë fjalim, Petkoviç e përshkruan vendimin si të dhunshëm dhe “në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani.” Kjo pjesë e fjalimit është hedhur poshtë tashmë nga Faktoje, në një artikull ku tregohet sesi marrëveshjet e firmosura midis Serbisë dhe Kosovës që në 2011 dhe më tej ia bëjnë të mundur Kosovës zbatimin e kësaj politike.

Por në fjalimin e tij Petkoviç nuk u ndal me aq. Ai tha gjithashtu se qeveria e Albin Kurtit kërkon të shtypë dhe dëbojë popullsinë serbe nga Kosova, deklaratë për të cilën nuk ka asnjë provë përveç prentedimeve të përsëritura ndër vite si nga ai, ashtu edhe nga politikanë të tjerë serbë. Megjithatë, kryeministri kosovar ka thënë të kundërtën në një deklaratë për shtyp ku jepte detaje mbi zbatimin e planit për zëvendësimin e targave.

“Këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi këto janë masa për serbët. Masa të cilat atyre u ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk mund të jemi të barabartë në Republikë nëse dikush ka targa RKS e dikush dëshiron që t’i mirëmbajë ato KM. Pra, nuk është as hakmarrje, as urrejtje, as inat, është zbatimi i ligjit është rendi, janë vendimet qeveritare të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit në bazë të përkatësisë etnike,” tha Kurti me datë 25 tetor.

Vuçiç dhe Serbia kërcënojnë Kosovën për zbatimin e vendimit mbi targat

Të shumta kanë qenë po ashtu lajmet ku përshkruhet mobilizimi i ushtrisë serbe në kufi me veriun e Kosovës, duke e përshkruar atë si një kërcënim ndaj kësaj të fundit.

Burim: Shqiptarja

Këtyre raportimeve iu shtuan po ashtu lajme se Vuçiç kishte dhënë urdhërin që të vihen në lëvizje avionët MiG-29 që të asgjesohet “çdo dron armiqësor mbi Serbi.” Edhe përse në këtë rast Vuçiç nuk i është referuar Kosovës, data e deklaratës (1 nëntori) nuk lë dyshim mbi synimin e kësaj deklarate. Kjo është një taktikë e përsëritur e Serbisë, e cila edhe me afrimin e datës 1 shtator, ka sjellë ushtrinë në kufi me Kosovën si metodë kërcënimi.

Megjithatë këto kërcënime nuk kanë shkuar kurrë përtej, dhe pavarësisht deklaratave nga politikanë dhe mediat, konflikti nuk ka çuar në shkeljen e kufijve. Megjithatë, disa incidente kanë ndodhur në veri, po brenda komunitetit dhe pa ndërhyrjen e ushtrisë serbe. Në këto raste, janë regjistruar disa raste ku atyre që kanë ndryshuar targat u janë djegur makinat si hakmarrje.

Rusia fajëson perëndimin se po e çon Kosovën dhe Serbinë në luftë

Burim: 5pyetjet.al

Me datë 8 nëntor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka dhënë një deklaratë mbi pozicionin e vendit të saj mbi situatën midis Kosovës dhe Serbisë pas largimit të anëtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.

Siç raportonojne portalet, Zakharova e ka përshkruar BE-në dhe SHBA-në si padronet e Kosovës, dhe ka thënë se situata po përkeqësohet nga ndikimi i perëndimit, duke shtuar se ato nuk duan që konflikti të zgjidhet.

“Jemi të alarmuar nga përkeqësimi i situatës në Kosovë, ku të ashtuquajturat “autoritete” të Prishtinës e kanë përshkallëzuar lirisht konfliktin,” ka thënë Zakharova.

Fjalimi i Zakharovës bie ndesh me realitetin në terren, ku jo vetëm BE-ja dhe SHBA-ja, por edhe NATO i janë lutur të dyja palëve të ulen në tyrezën e dialogut për të mos e përshkallëzuar situatën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e bëri të qartë këtë mesazh në Twitter pas një takimi me Vuçiç dhe Kurtin.

Burim: Twitter

Për më tepër, kanë qënë pikërisht BE-ja dhe SHBA-ja ato që kanë shtyrë qeverinë e Kosovës drejt kompromisit, duke i kërkuar që nga qershori (dhe jo vetëm në këtë rast) të shtyhet zbatimi i vendimit për targat deri në gusht të vitit që vjen. Ato gjithashtu kanë shprehur zhgënjimin e tyre kur Kurti vendosi prillin 2023 si datën e skandencës se rradhës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img