Fakti që dioksidi i karbonit përbën vetëm 0.04% të atmosferës nuk do të thotë se rritja e niveleve të CO2 nuk është e dëmshme për klimën. 

—————————————————

Në një dëgjesë për shqyrtimin e implementimit të Aktit të Infrastrukturës, Investimeve dhe Punëve, ligjvënësit amerikanë pyetën katër ekspertë transporti në Komisionin e Transportit dhe Infrastrukturës.

Përfaqësuesi republikan nga Kalifornia, Doug LaMalfa i pyeti ata se sa përqind e atmosferës sonë përbëhet nga dioksidi i karbonit (CO2).

Ekspertët dhanë përgjigje të ndryshme, që varionin nga 5-8%.

“I bëj këtë pyetje shumë njerëzve sepse dëgjojmë vetëm për ndryshimin e klimës, ndryshimin e klimës, dioksidi i karbonit, dioksidi i karbonit,” tha LaMalfa. “Përgjigjia është 0.04%”

Klipi i shkëputur nga kjo dëgjesë e 28 marsit u bë viral në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, për të shpotitur shqetësimet e shkencëtarëve dhe ambjentalistëve mbi rritjen e lëshimeve të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe përpjekjet për t’i zvogëluar ato.

Eshtë e vërtetë se vetëm 0.04% e atmosferës së Tokës përbëhet nga dioksidi i karbonit. 

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rritja e lëshimeve të CO2 nuk përbën rrezik për klimën.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, dioksidi i karbonit përbën 79% të gazrave serrë që lëshohen nga ShBA.

Gazrat serrë lëshohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri dhe nafta. Në ShBA, transporti është burimi kryesor i lëshimeve të gazrave serrë.

Lëshimi në atmosferë i këtyre gazrave të prodhuara nga aktiviteti njerëzor nxit ndryshimet klimaterike. Kur ato mblidhen në atmosferë, nuk e lejojnë nxehtësinë të dalë jashtë saj. Si rrjedhim, temperatura në sipërfaqen e Tokës ngrihet, duke çuar kështu në ndryshime klimaterike.

Sa i përket pyetjes mbi përqindjen e vogël të dioksidit të karbonit në atmosferë, ekspertët e mjedisit kanë shpjeguar se edhe sasi relativisht të vogla janë të rrezikshme.

“Arsyeja e ndikimit të madh që dioksidi i karbonit ka mbi klimën është aftësia e tij për të përthithur nxehtësi të lëshuar nga sipërfaqja e planetit, duke mos e lënë të dalë jashtë në hapësirë. Sot, niveli i CO2 është më i lartë se kurdoherë tjetër në histori,” shkruan profesori i shkencës së mjedisit në University of North Caroline, Jason West.

Yochanan Kushnir, fizikant klime në Columbia University, shpjegon se ne po rrisim sasinë e CO2 në atmosferë duke djegur lëndë djegëse fosile. Edhe nëse në sasi të vogla krahasuar me pjesën tjetër të atmosferës, kjo çon në ngrohje globale.

Robert Brecha, profesor në University of Dayton, tha se përqindja aktuale është në fakt 0.042%. Bazuar në monitorimin e kryer nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego, një shekull më parë përqindja e CO2 në atmosferë ka qenë 0.028%

Kjo tregon një rritje me 50%.

“Ka patur një ndryshim me 50% në atë që është një pjesë e rëndësishme e kontrollit të temperaturës së planetit, dhe që ishte konstante për mijëra vite,” tha Brecha.

Ai shtoi se nuk ka kuptim të pretendosh se fakti se CO2 përbën një përqindje të vogël të atmosferës do të thotë që është i parëndësishëm.

“0.04% e masës sime trupore do të korrespondonte me masën e një tumori kanceroz me diametër 1.5 cm,” tha ai. “Unë do të shqetësohesha goxha nëse kjo do të më shfaqej diku në trup.”

Njëlloj, edhe Aiguo Dai, profesor i shkencave atmosferike dhe mjedisore në Universitetin e Albany, tha se “nuk duhet shumë CO2 për ta ngrohur shumë Tokën, ashtu siç nuk duhet shumë helm për të lënduar apo vrarë një njeri.”