Aimona Vogli
Një denoncim i portaleve për një dhuratë luksoze në konflikt interesi të një banke të nivelit të dytë “përndjek” prej 4 muajsh online ish-drejtorin e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Faktoje verifikoi dokumentacionin dhe zbulon të vërtetën për një makinë Audi, që vazhdon të përdoret edhe sot nga DPPPP, si një mjet i sekuestruar nga grupet kriminale dhe i kaluar në përdorim të institucionit.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) normalisht duhet të jetë një nga zyrtarët me më shumë pushtet dhe njohje. Megjithë hijen e rëndë të detyrës që ka mbajtur deri në qershor të këtij viti, Elvis Koçi, nuk ka mundur që të sigurojë përgënjeshtrimin dhe fshirjen nga portalet të lajmeve të pabaza që cënojnë figurën e tij. Pas një kërkese të mbërritur në redaksi, Faktoje kontaktoi me z.Koçi për të verifikuar më tej bazën e këtyre lajmeve.
Më konkretisht bëhet fjalë për një denoncim të publikuar më 19 prill 2022, periudhë kur Elvis Koçi sapo kishte ardhur në detyrë, nga portali Pamfleti.al. Lajmi u ripublikua më pas edhe nga disa portale të tjera, ku akuzohet se drejtori i DPPPP ka marrë si dhuratë një makinë luksoze nga një bankë e nivelit të dytë. Artikulli flet për burime, të cilat “njoftojnë se Elvis Koçi ka marrë një makinë luksoze dhuratë dhe ka raporte interesash me subjekte që janë objekt i veprimit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas burimeve, dyshohet se makinën dhuratë e ka marrë nga një bankë të nivelit të dytë, të cilat shpeshherë shërbejnë për nyje të pastrimit të parave.”
Denoncimi i publikuar në Pamfleti.al
Një akuzë e tillë është përgënjeshtruar që në momentet e para të publikimit nga vetë z.Koçi.
Dokumentacioni i vendosur në dispozicion edhe të Faktoje, dëshmon se në fillim të vitit 2022, DPPPP ka marrë në përdorim një mjet të tipit Audi A6, i vitit të prodhimit 2012. Mjeti në fjalë, sipas dokumentacionit që konsultoi Faktoje, rezulton t’i jetë konfiskuar një prej grupeve kriminale me vendim gjykate. Pas sekuestrimit, ky mjet ashtu si mjete të tjera, vendosen në dispozicion të institucioneve të ndryshme kontribuese në sistemin shqiptar të rikuperimit të aseteve kriminale, si drejtori policie, prokurori, etj.
Mjetit Audi i është ndërruar targa dhe ende vijon të jetë në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, edhe pas largimit nga ky funksion i z. Koçi, në muajin qershor të këtij viti.
Më poshtë edhe dokumentacioni i verifikuar nga Faktoje për pronësinë dhe kalimin e mjetit pa ndonjë ndërmjetësi apo lidhje të ndonjë banke apo aktori privat që mund të jetë subjekt konflikti interesi, ashtu siç pretendohet në denoncimin e Pamfleti.
Vendimi për kalimin e makinës Audi nga fondi i pasurive të sekuestruara në përdorim të DPPPP
Urdhëri i përbashkët për kalimin e kapitalit të mjetit Audi
Certifikata e pronësisë së mjetit Audi
Kur kanë kaluar mbi 4 muaj nga publikimi i lajmit pwr “dhuratën luksoze” ndaj tij, z. Koçi nuk ka arritur ende të sigurojë publikimin e një përgënjeshtrimi nga portalet apo fshirjen e tyre nga hapësira online.