Dhuna ndaj protestuesve, shoqëria civile i drejtohet SPAK-ut me kallëzim penal

Akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile i drejtohen SPAK-ut

31

Një grup akademikësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku kërkojnë hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës policore ndaj studentëve dhe protestuesve. 

Gjatë një deklarate për mediat, ata bënë me dije se kanë evidentuar 180 raste të tilla që përfshijnë qytetarë, studentë dhe gjimnazistë.

Sipas tyre këto raste nuk janë ngjarje të izoluara, por dëshmi të një praktike sistematike. 

Eksperti i mjedisit Olsi Nika, një nga firmëtarët e kallëzimit penal, tha se ata solidarizohen me studentët dhe se nuk pajtohen me dhunën e ushtruar të policisë.

 “Kallëzimi në SPAK e çon këtë betejë edhe në frontin e drejtësisë. Do të qëndrojmë në krah të studentëve dhe do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi për abuzimet e denoncuara. Dhuna nuk mund të bëhet çmimi që qytetari paguan për të ngritur zërin”, deklaroi Olsi Nika.

Përfaqësuesit kërkuan që organet e drejtësisë të shqyrtojnë në mënyrë të plotë denoncimet dhe të vënë përpara përgjegjësisë personat që mund të rezultojnë të përfshirë në veprime të paligjshme.

“Studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje pa pasur frikë se do të dhunohen. Dhuna ndaj tyre po përdoret për të paralajmëruar këdo që guxon të kundërshtojë, ndaj reagimi është  përgjegjësi e gjithë shoqërisë. Qëndrimi ynë në krah të studentëve është mbrojtje e lirisë dhe e dinjitetit qytetar”, shprehet Ermal Hasimja, përfaqësues i një grupi të gjerë intelektualësh.

Kallëzimi, i depozituar nga Qendra Res Publica së bashku me organizata, avokatë, studentë dhe qytetarë të angazhuar, drejtohet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë policorë.

“Kërkojmë të zbardhet jo vetëm kush goditi, por edhe kush urdhëroi, kush lejoi dhe kush kishte detyrimin ta ndalte dhunën. Përsëritja dhe shtrirja e episodeve kërkojnë hetimin e të gjithë zinxhirit komandues.  Përgjegjësia individuale duhet të përcaktohet mbi provat, ndërkohë që përgjegjësia institucionale duhet të vendoset pavarësisht gradës apo funksionit”, u shpreh avokati Dorian Matlija.

Gjatë komunikimit me mediat, ata kundërshtuan edhe paketën e masave të paralajmëruara nga qeveria për parandalimin e dhunës gjatë protestave.

Sipas tyre, këto masa rrezikojnë të kufizojnë protestën dhe të frenojnë shprehjen e pakënaqësisë qytetare.

Avokatja Irena Dule kërkoi që vëmendja e organeve të drejtësisë të përqendrohet edhe te efektivët e policisë ndaj të cilëve janë ngritur pretendime për ushtrim dhune.

“Unë akoma pres që të merret ndonjë masë sigurie për ndonjë nga efektivët e policisë që në mënyrë flagrante shihet duke ushtruar dhunë”, deklaroi ajo, duke iu referuar fakteve që, sipas saj, dokumentojnë sjellje të dhunshme të efektivëve gjatë tubimeve.

Pretendimet e paraqitura në kallëzim dhe përgjegjësia e mundshme e personave të përfshirë mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.

Studentët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga protestat për shkak të masave ndëshkuese të paralajmëruara nga qeveria. 

“Pjesëmarrja jonë në protestë është një mënyrë për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur të drejtat tona. Dhuna e disa individëve nuk na heq të drejtën për të folur dhe nuk do të na detyrojë të heshtim. Izolimi i individëve që ushtrojne dhunë është dështim i policisë, le të mbajë përgjegjësi për këtë. Jemi pjesë e këtij kallëzimi sepse kërkojmë që të përgjigjet penalisht kush shkel ligjin i vërtetë dhe askush të mos ndihet i paprekshëm përballë ligjit”, theksoi Lorenco Sina student i angazhuar në protestë.