Gjetje kyçe

  • Politizimi i Rasteve Ligjore dhe Ndikimi në Zgjedhje:

Rasti i Fredi Belerit, qytetari shqiptaro-grek i zgjedhur eurodeputet që gjendet në burg në Shqipëri për blerje votash u politizua dhe ndikoi në perceptimin publik.

  • Retorika Nacionaliste dhe ndikimi i saj

Arrestimi dhe dënimi i Belerit u shoqëruan nga një retorikë e ashpër dhe nacionaliste, e amplifikuar nga mediat duke e kthyer çështjen sensitive të minoritetit grek në mjet politik për të tërhequr vëmendje dhe përkrahje

  • Dezinformimi dhe Manipulimi i Fotove:

Shpërndarja e fotove të manipuluara dhe jashtë kontekstit në media dhe rrjetet sociale, duke shënjestruar komunitete të caktuara, rezulton një strategji dezinformimi e identifikuar edhe nga kolegë mes 44 organizatave fact-checking të  Elections24Check project

  • Narrativat Nacionaliste dhe Pasojat e Tyre:

Retorika nacionaliste dhe narrativat që u përdorën për  rastin Belerit i kontribuan një klime të polarizuar dhe tensionuar në Shqipëri dhe Greqi. Sipas ekspertëve këto narrativa ndikojnë në perceptimin publik, në marrëdhëniet dypalëshe, dhe rrisin mundësinë e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore dhe ndërlikime në procesin e eurointegrimit.

Viola Keta

Të dielën e 9 qershorit, në bashkinë e Himarës, qytezën turistike buzë Jonit në Jug të Shqipërisë, anëtarë të minoritetit grek festuan zgjedhjen e Fredi Belerit eurodeputet i Partisë së Djathtë grek “Demokracia e Re“. Politikani 52 vjeçar me dyshtetësi shqiptaro-greke, e mori lajmin e fitores në burg, në Shqipëri, ku po vuan dënimin e gjykatës antikorrupsion për blerje të votave.

Rrugëtimi i Fredi Belerit nga arrestimi tek zgjedhja si europarlamentar

Fredi Beleri, garoi për kryetar bashkie të Himarës në zgjedhjet vendore në Shqipëri, në maj 2023. Ai kandidoi në emër të grupimit të djathtë “Bashkë Fitojmë“, por dy ditë para mbajtjes së tyre, u arrestua. Siç deklaroi zyrtarisht prokuroria në njoftimin për mediat, ai u kap në flagrancë, duke dhënë para në këmbim të votave.

Në foto Fredi Beleri pranë logos “Bashkë Fitojmë“

Beleri fitoi me një diferencë prej 19 votash si kryebashkiak i Himarës kundrejt rivalit të Partisë Socialiste, e cila drejton ekzekutivin prej vitit 2013. Pavarësisht rezultatit, fituesi kontrovers i bashkisë Himarë nuk e ushtroi asnjë ditë funksionin e kryetarit të bashkisë, sepse gjykatat e të gjitha shkallëve, përfshirë Kushtetuesen, refuzuan t’i jepnin leje që të shkonte dhe të bënte betimin për detyrën.

Vendimi për refuzimin e lejes për t’u betuar, 26/06/2023
Vendimi për refuzimin e lejes për t’u betuar, 26/06/2023

Në mars 2024 Fredi Beleri u shpall fajtor nga Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe u dënua me me 2 vjet e 6 muaj burg.

Vetëm  një muaj pas vendimit të gjykatës shqiptare, në prill 2024 kryeministri i Greqisë Mitsotakis, e shpalli Fredi Belerin kandidat për eurodeputet.

Politizimi dhe dezinformimi, trajektorja e çështjes ‘Beleri’

“Në qoftë se unë nuk do isha dënuar, nuk do kisha kaluar një vit këto peripeci, nuk do isha bërë i njohur në Greqi dhe nuk do isha votuar, nuk do isha as kandidat për eurodeputet, sepse qëllimi im ishte të zgjidhesha kryetar i bashkisë së Himarës. Pa dashur Edi Rama ka ndihmuar në këtë zgjedhje ”-tha Fredi Beleri në një intervistë telefonike për Euronews, nga burgu i Fierit, në pritje të vendimit që do të marrë  Gjykata e Apelit në 25 qershor.

Nga një analizë e Faktoje se si është raportuar që nga arrestimi i tij majin e 2023 deri më sot, rezulton një polarizim i fortë i mediave në linjë me pozicionimin e dy kaheve të politikës. Në të dyja rastet, si mediat ashtu edhe partitë në Shqipëri e përqëndruan diskursin tek akuzat ndaj njëra-tjetrës me gjuhë të ashpër, sensacionaliste ilustruar nga narrativa nacionliste me ndjeshmëri shumë të lartë tek qytetarët në Shqipëri kur vjen fjala tek çështja e minoritetit grek dhe historisë që lidhet me të, por edhe tek qindramijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Trendi i dezinformimit

Fotot e manipuluara

Një nga rastet tipike të përsëritura të dezinformimit në lidhje me Fredi Belerin u  identifikua nga Faktoje në maj 2023, para zgjedhjes së tij  krybashkiak i Himarës dhe një vit më vonë, pasi u zgjodh europutet në qershor 2024. Fotoja e shpërndarë në rrjetet sociale ku ai shfaqet i armatosur rezultoi e manipuluar.

Majtas foto origjinale, djathas fotoja e manipuluar (verifikuar nga Faktoje më 5/5/202 dhe 14/06/2024)
Majtas foto origjinale, djathas fotoja e manipuluar, me shigjetë të kuqe elementet e manipuluar (verifikuar nga Faktoje më 5/5/202 dhe 14/06/2024)

Strategjia e shpërndarjes së imazheve të manipuluara (foto ose video) të nxjerra jashtë kontekstit, që nxit reagim emocional, duke manipuluar perceptimin e opinionit publik, identifikohet edhe nga kolegët  e organizatave fact-checking, sidomos në periudha zgjedhore. Në databazën e 44 organizatave të Europës, ku bën pjesë edhe Faktoje, Elections24Check project, organizata spanjolle EFE verifica gjeti se strategjia deiznformuese përmes imazheve të manipuluara përdoret për të shënjestruar kategori të caktuara, përshembull emigrantët. Sipas kësaj analize 1 në 5 pretendime përdornin kriminalizimin e kësaj kategorie.

Ngjashmëria që gjeti Faktoje, është se të njëjtat taktika shënjestrojnë kategori ose komunitete, për të cilën ka ndjeshmëri të lartë sipas tipologjisë së shteteve. Përshembull, në Shqipëri dhe në Greqi, çështja e pakicave greke që jetojnë në Shqipëri dhe të drejtat e tyre, janë “patatja e nxehtë“ mes dy shteteve. Siç do të shohim më poshtë në rastin Beleri narrativat dezinformuese u ngjizën pas retorikës së ashpër mes partive rivale në vend dhe u shpërndanë nga mediat e pozicionuara në dy kampe.

Retorika e ashpër dhe nacionaliste

Ik mëso shqip thuaji, mëso greqisht thuaji pastaj hajde fol këtu. Maskara.“ – tha  kryeministri Rama gjatë një bisede televizive live më 11 maj 2023. Kjo ishte përgjigjja e Ramës që pasoi një koment të Fredi Belerit që u lexua nga drejtuesi i emisionit. Reagimi do ishte i zakonshëm për artikulim fushate, bazuar në një studim që tregon se 85% e diskutimeve politike në Shqipëri, karakterizohet nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i rivalit politik, siç ka raportuar Faktoje.

Por rrjedha e ngjarjeve pas 11 majit 2023 e shënjestroi këtë artikulim si pikënisjen e një narrative me bazë çështjen e minoritetit grek, me pasoja në disa dimensione. Një ditë pas deklaratës, u arrestua Fredi Beleri, por titujt e mediave nuk e trajtonin si çështje ligjore të iniciuar nga drejtësia, por skenar me prapavijë politike.

“Edi Rama parlajmëroi arrestimin e Fredi Belerit nga studio e Fevziut“-shkruante një ndër dhjetëra portalet e monitoruara pas arrestimit të kandidatit të djathë në 12 maj 2023.

“Berisha në televizioni grek: Berlerit iu ngrit kurth nga policia”- citon portali Lapsi deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në krahun tjetër, portalet luajtën sërish me narrtivat nacionaliste dhe ndasitë.

“Berisha pasi e ‘fëlliqi‘ me Belerin akuzon e fyen shkodranët si të shitur.“- shkruan shqiptarja.com.

“Helenizimi i Himarës, Berisha mbron Belerin: Ai s’ka gjë në dorë që ta ndryshojë historinë”- shkruan një tjetër portal

Narrativa të tilla sfumuan raportimet e fokusuara tek procesi hetimor dhe gjykues ndaj Fredi Belerit të paraburgosur për shitblerje të votës, ku prokuroria renditi disa prova që ilustronin akuzën, por që u kontestuan nga Beleri dhe mbështetësit e tij si të montuara. “Rama s’ka by** ta mbajë në burg Belerin/ Gjokutaj: Lirimin e tij do ta shesë si vendim të drejtësisë- shkruante një portal.

Narrativat nacionaliste dhe impakti përtej Shqipërisë

Menjëherë pas arrestimit, më 12 maj 2023, reagoi kryeministri Mitsotakis që e vinte theksin tek minoriteti grek dhe të drejtat e tij si një shqetësim në nivel europian. 

“Informova Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen për arrestimin, për akuzat e pabaza të kandidatit për kryetar bashkie të Himarës dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve.”-

Ne duhet të mbrojmë të drejtat e pakicës greke në Shqipëri”- reagoi kreu i grupit europarlamentar grek të PASoK Nikos Papandreu që e konsideroi akt intimidimi politik burgosjen e Fredi Belerit. Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, vazhdon të insistojë se arrestimi i Belerit  është çështje e drejtësisë shqiptare.

“Se çfarë bëhet në Greqi dhe se çfarë bëjnë ata që ndajnë kombësinë me zotërinë nuk është puna ime, por këtu (në Shqipëri) çdo qytetar shqiptar, pavarësisht se ka kombësi shqiptare apo greke, i nënshtrohet drejtësisë shqiptare”, theksoi ai, gati një vit pas arrestimit të  Belerit.

Çështja Beleri në klimën e krijuar, mori përmasa që dolën nga korniza lokale.

Që në fillim të nisjes së procesit u pa që çështja do të politizohej, dhe do të kishte një debat të gjatë midis dy vendeve. Mendoj se dhe publiku shqiptar e kupton politizimin e çështjes si një aspekt negativ i cili dëmton sistemin gjyqsor që po kalon një reformë transformuese.” – thekson eksperti Gledis Gjipali, drejtuesi ekzekutiv i Europian Movement Albania.

Nën argumentin e mbajtjes në monitorim të respektimit të të drejtave të një qytetari të minortietit grek, procesi i hetimit dhe gjykimit të Fredi Blerit në Shqipëri u shoqërua nga  prania e një grupi avokatësh grekë dhe diplomatë të Greqisë në Tiranë, vizita të rregullta në qeli nga zyrtarë të qeverisë greke.

Në prill 2024 kur kishte nisur fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian, u shfaq një valë e dytë raportimesh të pasakta në mediat vendase mbi kandidimin e Fredi Belerit tashmë si eurodeputet.  

“Beleri nuk do të jetë kandidat i Mitsokasis në zgjedhjet europiane”, raportoi një media në 11 prill 2024.

„Greqia braktis Fredi Belerin pas presionit të Gjermanisë….“ raportonte një tjetër portal në atë periudhë.

Pak ditë më vonë, Fredi Beleri u shpall kandidat i “Demorkacisë së Re“ për eurdeputet, teksa priste në burg vendimin e Gjykatës së Apelit për dënimin me 2 vite e gjysmë burg. Pas fushatës zgjedhore që zhvilloi djali i tij, Beleri fitoi edhe si deputet i Parlamentit Europian.  

“Fakti që Beleri arriti të fitojë dhe me një shumë të konsiderueshme votash në Parlamentin Evropian tregon që ka një ndjeshëmëri të elektoratit grek ndaj çështjeve të pakicës në Shqipëri. Dhe marrëdheniet Greqi – Shqipëri do vazhdojnë të jenë pjesë e debatit të brendshëm politik në Greqi. Ky nuk është një lajm i mirë, sepse mundësia që në të ardhmen të kemi përsëri përplasje me Greqinë është e lartë, që përkthehet në ngalësim apo bllokim të negociatave.”-argumenton Gledis Gjipali për Faktoje.

Aspekti ligjor, mandati si eurodeputet dhe kryetar bashkie i Himarës

Përtej analizës se si ndikoi politizimi dhe dezinformimi për rastin Beleri, ka edhe pyetje se çfarë ndodh me dy mandatet e tij, si kryetar i bashkisë Himarë në Shqipëri dhe si eurodeputet.   

Beleri nuk ka asnjë pengesë ligjore që të marrë ulësen në Parlamentin Europian.

“Gjykatat penale greke nuk kanë asnjë çështje ndaj Belerit, që ai të jetë nën një kërcënim të tillë skualifikimi. Për sytë e Parlamentit të BE-së, zoti Beleri është zgjedhur nga populli grek për t’i përfaqësuar, ai mban një mandat kombëtar të Greqisë – dhe Greqia është e vetmja që ka fuqinë t’ia heqë këtë mandat (d.m.th. nëse ai shpallet fajtor për një krim nga një gjykatë penale greke).

Vendi i tij në Parlamentin Europian nuk mund t’i hiqet edhe nëse Parlamenti Europian do të votonte për heqjen e imunitetit të deputetit. Vetëm Greqia mund ta bëjë këtë”- iu përgjigjën ndër të tjera Faktojes, kolegë të organizatës fact-checking Ellinica Hoaxes.

A do të betohet Fredi Beleri në Parlamentin Europian?

Ceremonia e betimit në Parlamentin Europian parashikohet mes 16-19 korrikut. Prania e Fredi Belerit në këtë ceremoni (që sipas ekspertëve nuk është e detyrueshme) varet nga vendimi që pritet të japë në 25 qershor Gjykata e Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri.

Jursitët parashikojnë dy skenarë, të cilët komplikohen me zgjedhjen e Belerit eurodeputet.  

Skenari 1 – Apeli i GJKKO le në fuqi vendimin e fajësisë për Belerin

Nëse Fredi Beleri do të shpallet fajtor edhe nga Apeli dhe vendimi merr formën e prerë, sipas konstitucionalistit Kristaq Kume, atij i ndërpritet mandati si kryebashkiak i Himarës. Kjo nuk ndikon në mandatin e eurodeputetit. Me lënien në fuqi të vendimit në fjalë, Beleri llogaritet të dalë nga burgu javën e dytë të shtatorit, sic shpjegoi avokati i Belerit, Geni Gjyzari.

Skenari 2. Nëse Apeli e shpall të pafajshëm, Fredi Beleri lirohet menjëherë nga qelia dhe mund të marrë pjesë në ceremoninë e betimit në mesin e korrikut si eurodeputet, nëse vendos të lerë mandatin si kryebashkiak i Himarës dhe të ushtrojë mandatin e europarlamentarit.

Kontekst

Nga një kërkim online mbi historikun e Parlamentit Europian prej vitit 1952, rezultojnë të rralla rastet e zgjedhjes eurodeputetë të individëve apo politikanëve në gjykim apo të dënuar për vepra penale.

Ish lideri i së djathës ekstreme në Francë Jean Marie Le Pen me një numër dënimesh kryesisht për qëndrimet jo kontestuese ndaj Holokaustit apo ish kryeministri Italian Silvio Berluskoni kryesisht për çështje që lidheshin me evazion fiskal.

Bazuar në kërkimet tona, zgjedhja e një individi të dënuar (ndonëse ende jo me vendim të formës së prerë) për blerje të votave, rezulton rast unik në Parlamentin Europian.

*Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues të mbi 40 organizatave të udhëhequra nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve për të luftuar dezinformimin rreth Zgjedhjeve Evropiane 2024. Mund të mësoni më shumë në elections24.efcsn.com.