.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDëshmia e Nanos për non-grata të Berishës u manipulua

Dëshmia e Nanos për non-grata të Berishës u manipulua

Fatos Nano nuk ka zbuluar asnjë arsye të re se përse është shpallur non-grata Sali Berisha. “Faktoje” konfirmoi se bëhet fjalë për një intervistë të ish-kryeministrit të publikuar muaj përpara se të bëhej publik vendimi i SHBA. Pjesë të kësaj interviste janë risjellë me një titull të rremë për të tërhequr klikime. 

Patris Pustina

Festimi në Shqipëri i ditëlindjes së 70-të, e ka risjellë edhe njëherë në qendër të vëmendjes së publikut ish-kryeministrin Fatos Nano. E sigurisht, edhe në qendër të portaleve që dëshirojnë të mbledhin klikime online. Në një titull sensacionalist, portali ddc24news.com njofton: “Dëshmia “Tronditëse” E Ish Kryeministrit Fatos Nano Për Sali Berishën: “Kam Gjetur Prova Të Tmerrshme Se Pse Berisha U Shpall “Non-Grata” Sepse Ai U Mor Me…”. Përdorimi i fjalëve emotive si “tronditëse” dhe “të tmerrshme”, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së publikut, duhet të jenë tregues i parë se ky lajm mund të jetë keqinterpretuar për klikime. 

E në të vërtetë, megjithëse titulli premton të ‘zbulojë’ arsyet pse ish-kryeministri u shpall ‘non-grata’, teksti i artikullit nuk përmend në asnjë rresht statusin non-grata të Sali Berishës. Në fakt, nuk ka si të përmbajë referenca të tilla, për aq kohë sa artikulli citon një intervistë të Nanos të dhënë në Shkurt 2021, tre muaj përpara se Sali Berisha të shpallej non-grata nga ShBA, më 19 maj 2021

Artikulli, i publikuar në 21 dhjetor 2021, duket se ka marrë dy informacione krejtësisht të ndryshme dhe i ka kombinuar në mënyrë kreative për të nxjerrë një titull hibrid që është e garantuar të provokojë kuriozitet dhe të gjenerojë klikime.

Nëse kurioziteti i dikujt do ta bënte të klikonte mbi artikullin për ta lexuar, ata do të mbeteshin të zhgënjyer. Deklaratat e Nanos mbi Berishën i referohen burgosjes së Nanos në vitin 1997, dhe vdekjeve të katër protestuesve në 21 janar 2011 gjatë mandatit të dytë të Berishës si kryeministër. 

Aludimi që bën titulli, se këto janë arsyet pse Berisha është shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara, është i rremë.

“Pse-ja” e statusit non-grata të Sali Berishës u dha që në ditën e shpalljes nga Departamenti i Shtetit më 19 maj 2021. Në deklaratën për shtyp të dhënë nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit Antony J. Blinken, është dhënë arsyeja: “Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.” 

Deklarata e Blinken siç shfaqet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Shqipëri

Kështu, arsyeja e dhënë nga ShBA për shpalljen e zotin Berisha si non-grata është korrupsioni, dhe jo burgosja e qëllimshme dhe e padrejtë e zotit Nano në 1997, apo vdekja e protestuesve në 21 janar 2011.

 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img