.

.

BallinaAktiviteteDEKLARATË PËR MEDIAT

DEKLARATË PËR MEDIAT

Organizatat e shoqerisë civile, përmes një deklaratë të përbashkët shprehin shqetësim lidhur me vlerësimin maksimal që Kuvendi ka bërë ndaj veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit.  Vetëm gjatë tre muajve të pandemisë, Qendra Faktoje ka bërë më shumë se 50 kërkesa për informim dhe në pjesën më të madhe të tyre nuk ka patur asnjë përgjigje, edhe pse kërkesa është ankimuar. E drejta për informim është një e drejtë Kushtetuese, nga ku nis mbrojtja e të gjitha të drejtave të tjera Kushtetuese. Pa informacion nuk ka transparencë dhe pa transparencë nuk ka llogaridhënie. Më poshtë gjeni deklaratën e plotë.

 DEKLARATË PËR MEDIAT

Të enjten, më 21.05.2020, Kuvendi miratoi projekt-rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, me notë maksimale.

Shprehim shqetësimin tonë, se ky vlerësim kaloi pa debat efektiv në Komisionin e Cështjeve Ligjore (si autor i projektrezolutës), pa u ftuar media, gazetarë, aktivistë dhe organizatat e shoqërisë civile, aktorët më të interesuar dhe më të prekur nga mungesa e transparencës së institucioneve publike.

E drejta për informim është një e drejtë Kushtetuese, nga ku nis mbrojtja e të gjitha të drejtave të tjera Kushtetuese. Pa informacion nuk ka transparencë dhe pa transparencë nuk ka llogaridhënie.

Zyra e Komisionerit ka rol kyc për të trajtuar ankesat kundër institucioneve shtetërore, të cilët nuk japin informacion publik dhe nuk bëjnë transparente punën e tyre. Ne, aktorët më aktivë në kërkim të transparencës, shprehim shqetësimin tonë për sjelljen e Kuvendit që e trajton rregullisht këtë cështje si të jetë rutinë dhe e dorës së fundit.

Shprehim keqardhje që Komisioni për Cështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, edhe këtë vit nuk mori masa sic vepron për cështje me rëndësi, për të siguruar pjesëmarrje të shoqerisë civile dhe gazetarëve, që disponojnë fakte dhe analiza studimore lidhur me zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Shoqëria civile dhe gazetarët janë një zë serioz oponence që ndihmon deputetët të reflektojnë mbi gjendjen reale dhe për të adresuar shqetësimin e vërtetë të subjekteve.

Shprehim zemërim, kur shohim se si deputetët e Kuvendit injorojnë debatin si me publikun e interesuar edhe mes tyre, të cilët e kanë kufizuar misionin e deputetit në funksionin e një Noteri Publik, që certifikon cdo akt që i paraqitet mbi tavolinë.

Shprehim indinjatën tonë që i vetmi deputet, i cili kërkoi të ngrinte pyetje thelbësore për këtë cështje me rëndësi kushtetuese, kërkohet të procedohet me masë disiplinore për faktin se i ndërpreu fjalën Komisionerit. Po i njëjti Kuvend, i painteresuar për vlerën e procedurave parlamentare të konsultimit publik, i pa interesuar për debat real, shfaq papritur interes të lartë për shkelje të procedurave parlamentare nga i vetmi deputet, Z. Ralf Gjoni, i cili, në rrethanat e injorimit të shoqërisë civile dhe debatit të shëndoshë demokratik, ngriti zërin lidhur me:

  1. Raportet e organizatave të shoqërisë civile që dëshmojë për regres të transparencës së organeve publike, duke nxjerrë në pah probleme serioze edhe në punën e Komisionerit, ndryshe nga sa raporton kjo zyrë;
  2. Një numër të lartë të padive në gjykatën administrative, të ngritur nga gazetarët dhe aktivistët, përfshirë edhe ata për mbrojtjen e teatrit, kundër institucioneve jotransparente dhe vetë Komisionerit;
  3. Një protestë (e para e këtij lloji) para zyrës së Komisionerit, nga aktivistët për mbrojtjen e teatrit.

Me këtë Deklaratë i bëjmë thirrje Kuvendit dhe faktorit ndërkombëtar, të kthejnë kokën nga zëri alternativ i shoqërisë civile për të vlerësuar cështje të rëndësishme dhe të mos marrin për bazë vetëm burimet vetëvlerësuese të zyrave të shtetit si Komisioneri për të Drejtën e Informimit apo Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend, që janë potencialisht të kompromentuara dhe rrjedhin nga procese jo transparente dhe në shkelje të procedurave e parimeve të një shteti demokratik.

 

RES PUBLICA

CIVIL RIGHT DEFENDERS

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

NISMA THURJE

KËSHILLI SHQIPTAR I MEDIAS

BIRN

QENDRA FAKTOJE

ECOALBANIA

CITIZENS CHANEL

SHOQATA E ORNITOLOGËVE SHQIPTARË “AOS”

ECO PARTNERS

GRUPI ATA

LINDITA CELA, gazetare OCCRP

OLA MITRE, gazetare

ARTAN RAMA, gazetar

 

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img