Deklaratat e fundit të blogeres Zhaklin Lekatari ku fajësohen meshkujt për uljen e numrit të lindjeve në Shqipëri rezultojnë një keqinterpretim i portalit JOQ Albania. Përtej keqinformimit për lexuesit, ky lajm rezulton se ka nxitur lincimin online të znj. Lekatari në komentet që vijojnë nga qindra komentues meshkuj në Facebook.
Patris Pustina
Lajmet e rreme janë të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, por në rastet kur ato përfshijnë individë specifikë, ky dëm përqendrohet si një rreze dielli përmes një lupe. Ky është rasti i një lajmi të publikuar më 8 shtator nga JOQ Albania, i titulluar “Blogerja e seksit Zhaklin Lekatari thotë se fajin e kanë burrat që s’po ngelen shtatzëna”, i cili ka mbledhur mbi 100 komente, shumica dërrmuese e të cilave konsistojnë në fyerje personale vulgare kundër blogeres në fjalë.
Vetë Zhaklin Lekatari ka postuar në Instagram një deklaratë lidhur me artikullin e JOQ Albania: ”Ky postim NUK është i bazuar në deklaratën time. Ky artikull është bërë me qëllim denigrimi, etiketimi dhe lincimi.”
Në një verifikim të mëtejshëm konstatohet se fjalia e parë e artikullit të JOQ Albania është një keqinterpretim i vullnetshëm i fjalëve të Lekatarit, duke pretenduar se “për blogeren e seksit Zhaklin Lekatari burrat duhet t’u bëjnë më shumë shërbime grave.”
Një citim i plotë i fjalëve të Lekatarit, i përfshirë në po të njejtin artikull, përgënjeshtron titullin sensacionalist si dhe pretendimin e mësipërm.
Deklarata e Lekatarit, cituar brenda artikullit të JOQ Albania
Deklarata e mësipërme duket se është marrë, jo e plotë, nga një intervistë televizive në “Euronews” ku diskutohej çështja e lindshmërisë së ulët në Shqipëri.
Kur u pyet a të pengon në karrierë të paturit një fëmijë, Lekatari tha:
Mua nuk më pëlqen kjo qasja ku krijohen dy ndasi dhe gratë duhet të zgjedhin. Pse nuk analizojmë, pse është ulur numri i lindjeve dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta ndihmuar këtë grua e cila nuk ka shërbime të mjaftueshme mjekësore, nuk ka shërbime të mjaftueshme sociale, nuk ka shërbime të mjaftueshme ekonomike, e cila sakrifikon gjatë gjithë kohës, e cila nuk paguhet për punën në shtëpi.
[…]
Pse ne vazhdojmë presim vetëm nga kjo grua dhe pse, kur bëjmë analiza të tilla, pritshmëritë jane vetëm te gruaja dhe jo te burrat? […] A ndihen këta burra përgjegjës për numrin e ulët të lindjeve? A ndihen këta burra se ka ardhur koha që duhet të japin kontributin e tyre edhe menjëherë pas lindjes së fëmijës, edhe në punët e shtëpisë, edhe kur fëmija është rritur?
[…]
Shoqëria është zhvilluar, gratë janë zhvilluar, ne nuk kemi pse i heqim copëza lirie grave, përkundrazi, ka ardhur koha që t’i ndihmojmë dhe t’i japim më shumë shërbime që jeta e tyre të jetë më e lehtë.
[…]
Unë mendoj se analiza duhet të jetë kjo: këto gra që po lindin, pse po lindin më pak? Dhe, nëse këto gra po sakrifkohen dhe lanë vendosur mos sakrifikohen më se janë të vetëdijshme që po japin më shumë se sa ç’duhet apo më shumë se ç’po jep pala tjetër, si mund të ndihmojmë? Pala tjetër, a ka përgjegjësi? A mund të na ndihmojë? Unë mendoj që kjo duhet të jetë analiza e duhur për të kuptuar këto të dhëna. Për të kuptuar, jo për të kritikuar.
Dukshëm, Lekatari po përpiqet t’i përgjigjet pyetjes “fëmijë apo karrierë” duke e zhvendosur diskutimin nga rangu individual në rangun sistematik. Në vend që ta kërkojmë problemin tek zgjedhjet e gave individuale, propozon ajo, le të shohim se sa mundësi i ofron grave shoqëria ku ato jetojnë. Lekatari nuk është e para që ngre këtë pyetje. Në fakt, një raport i OSBE i vitit 2011 gjeti se shpenzimet qeveritare për kujdesin ndaj fëmijëve (çerdhe dhe kopshte) kontribuojnë në rritjen e lindshmërisë së një shteti. Një studim i vitit 2014 i kryer në Gjermani doli në konkluzione të ngjashme.
Paraqitja tendencioze e JOQ Albania e bën pyetjen e Lekatarit mbi rolin që burrat luajnë në lindshmërinë e një vendi të duket si absurditet. Në të vërtetë, kur gazeta japoneze Nikkei analizoi të dhënat e vitit 2019 nga OSBE, gjeti se lindshmëria është më e lartë në ato vende ku punët e shtëpisë dhe të rritjes së fëmijëve ndahen në mënyrë më të barabartë mes burrave dhe grave.
Përpjekja e Lekatarit për të ndryshuar qasjen ndaj një problemi është zhveshur nga serioziteti i diskutimit për t’u përdorur si karrem për klikime. Fakti që Zhaklin Lekatari njihet për trajtimin e temave të lidhura me seksin e bën atë një shënjestër të lehtë për tituj të tillë sensacionalistë që kërkojnë të mbledhin shikime dhe klikime duke provokuar ndjenja indinjimi dhe zemërimi tek publiku. “Faktoje” ka nxjerrë në pah edhe më parë se si ky portal me mbi 2 millionë ndjekës në Facebook fsheh apo ndryshon të vërtetën për të tërhequr klikime.