BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëDeklarata e Ramës për kontrollin e pasurisë riciklohet për klikime

Deklarata e Ramës për kontrollin e pasurisë riciklohet për klikime

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama për nisjen e verifikimit të pasurive personale të pajustikuara nga qytetarët ka grumbulluar mijëra shikime dhe komente të zemëruara. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky lajm është riciklim i një deklaratë të tre muajve më parë, e sjellë si një risi për të tërhequr klikime.

Patris Pustina

Një artikull nga lajmetverteta.com që pretendon, në një tekst plot gabime drejtshkrimore, se, më 1 shtator, kryeministri Rama deklaruar se qeveria do të fillojë verifikimin e pasurisë për persona me “shtëpi dhe makinë të shtrenjtë”, ka mbledhur 66 mijë shikime në Facebook.

Lajmi i publikuar më datën 1 shtator 2022 në portalin lajmeteverteta.com

Sipas kërkimeve të “Faktoje”, rezulton se kjo deklaratë e kryeministrit ka ndodhur para gati 4 muajsh, më 16 maj 2022. Në një diskutim për ecurinë e Njësisë Speciale Anti Informaltet, Rama paralajmëroi se do të ketë “kontrolle që do të synojnë gjetjen e boshllëqeve midis deklarimit së të ardhurave dhe stilit të jetesës. Nuk mund të deklarosh të ardhura X dhe të kesh shtëpi dhe vetura që nuk bëhen kurrë me ato të ardhura.”

Deklarata e kryeminstrit Rama e publikuar më 16 maj 2022

Duket se lajmi është thjesht një ribotim i deklaratës së mëparshme të Ramës, risjellë në mënyrë sensacionale në ditën e parë të shtatorit për të tërhequr klikime. Titulli i papërfunduar, “‘Do të nisim kontrollet’ Rama: Kush ka shtëpi dhe makinë të shtrenjtë, por pagë të ulët, do të”, është në vetvete një përpjekje për të përfituar sa më shumë klikime nga kurioziteti që provokon. Për fat të keq, shumë prej lexuesve të këtij artikulli kanë rënë preh e këtij keqinformimi dhe jo vetëm që kanë ndarë më tej me miqtë e tyre online këtë lajm. Qindra të tjerë kanë komentuar duke mbajtur kryesisht një qëndrim kundërshtues ndaj një nisme që ka mbetur në sirtar dhe  që duket pak e vështirë për t’u realizuar edhe  në shumë vende të tjera me ekonomi dhe sisteme tatimore të konsoliduara. 

Mbetet e vlefshme për të kujtuar edhe njëherë lexuesit se duhet të jenë më të vëmendshmë dhe dyshues përpara se të besojne lajme të tilla në rrjet. Titujt bombastike janë një tregues i mirë për të identifikuar lajmet e pavërteta, apo pjesërisht të pavërteta. Krahas tyre, gabimet drejtshkrimore, si në artikullin në fjalë, janë gjithashtu një tregues i besueshëm. 

 *Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img