Një lajm çorientues është publikuar nga portalet ku flitet për paralajmërimin e britanikëve, por përmendet edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim. “Faktoje” verifikoi se artikulli në fjalë përpiqet të manipulojë audiencën përmes titullit, pasi në brendësi të tij nuk përmendet në asnjë rresht zyrtarja e SHBA-ve.
—————————————————————————————————————————-
Deklaratat e ambasadorëve tërheqin gjithmonë vëmendjen e lexuesve shqiptarë dhe kur bëhet fjalë për ambasadorët amerikanë, ky rregull është edhe më kokëfortë se kurdoherë. Për këtë qëllim, foto dhe emri i ambasadores Yuri Kim është nga më të preferuarit e portaleve klikim-mbledhëse. Portali “shikokanaleshqip.com” ka publikuar një artikull më datë 9 tetor mbi një deklaratë që pretendohet se është bërë nga ambasadorja amerikane në vendin tonë.
“Britania e Madhe paralajmeron ‘non grata’ ne Shqiperi, habit Yuri Kim me fjalet: ‘Askush nuk eshte mbi ligjin. . .” njofton titulli i shkrimit.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Që në titull, lajmi është çorientues, pasi flitet për një paralajmërim nga Britania e Madhe dhe me pas përmendet zyrtarja e SHBA-ve. “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë konkretisht dhe sa e vërtetë është kjo deklaratë që thuhet se është bërë nga ambasadorja amerikane.
Nëse do të shohim më në brendësi të lajmit, vihet re se artikulli është vetëm një citim i shkurtër dhe në asnjë rresht nuk përmendet emri i ambasadores Yuri Kim. Edhe në brendësi të tij, lajmi vazhdon të jetë i paqartë, pasi nuk tregohet konkretisht kur është bërë deklarata dhe kush e ka bërë atë. Gjatë një kërkim me fjalë kyçe në Google, gjetëm se në fakt kemi të bëjmë me një deklaratë nga pala britanike për personat non-grata në Shqipëri.
Deklarata e cituar në tekst është dhënë në një editorial të shkruar nga i dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach me titull: “Përse duhet t’i japim fund lidhjeve mes politikës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Konkretisht, në korrik të këtij viti ai është shprehur: “Në Shqipëri, me Reformën në Drejtësi, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byronë Kombëtare e Hetimit (BKH), -kemi hyrë tashmë në një etapë të re. Mbretëria e Bashkuar është me ju në këtë përpjekje. Është shënuar progres. Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg”.
Por lajmi i portalit flet për një deklaratë të ambasadores amerike, ndërkohë që në tekst nuk përmendet në asnjë pjesë të tij zyrtarja e lartë. Përpos faktit që kemi të bëjmë me një deklaratë të vjetër, kemi një mospërputhje mes titullit dhe artikullit në brendësi.
Në muajin korrik, ambasadorja Yuri Kim është shprehur për vendimin e britanikëve, duke treguar mbështetjen e SHBA-ve. “Ne e mirëpresim këtë veprim të rëndësishëm të Britanisë së Madhe. Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuruar veten dhe për të shtrembëruar sundimin e ligjit, me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion të madh dhe kanë minuar demokracinë, duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi asokohe Yuri Kim.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin