Disa portale në gjuhën shqipe publikuan këtë verë lajmin se qytetarët po ankohen se marrja e dozave të vaksinave kundër Covid-19, nuk ka pasur efekt në shëndetin e tyre. Faktoje përball faktet për të kuptuar se vaksinat janë të rëndësishme për t’u marrë, sipas autoriteteve botërore të shëndetësisë.
Ardi Pulaj
“Kohëve të fundit ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19. Kjo për faktin e grumbullimit të qytetarëve në vende të mbyllura, teksa Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht po bën thirrje që qytetarët të marrin vaksinat, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre. E në anën tjetër, qytetarët kanë mendime të ndryshme. Të intervistuar nga Ekonomia Online, disa po thonë se është mirë të merret vaksina e disa të tjerë thonë se nuk ka pasur efekt”, thekson lajmi që është publikuar nga Blic në Kosovë dhe është ricikluar nga një tjetër portal.
Madje në shkrim paraqitet dhe deklarata e qytetarit Ismet Smajlaj i cili thotë se që të tri vaksinat nuk kanë pasur efekt: “Po i kom marr. Jo nuk e kam ndërmend të marr të katërtën. Na thonin boll. Te unë s’kanë pas efekt se kam pasur sëmundje të sheqerit, zemrës”, tha Smajlaj.
Kaq është deklarata e tij, që bëhet shkak për t’i dhënë dhe titullin këtij artikulli, i cili në mënyrë të përsëritur, riprodhohet në të njëjtin format edhe nga portale të tjera në gjuhën shqipe. Nuk jepet as kontekst, as informacion për efikasitetin e vaksinave dhe as nuk jepet një arsye solide se pse ky qytetar mendon se dozat e vaksinës kundër Covid-19 nuk kanë pasur efekt.
Por në këtë lajm mungonte dhe shpjegimi i qartë tashmë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se të gjitha vaksinat kundër COVID-19 të miratuara nga OBSH për listën e përdorimit emergjent kanë kaluar në prova klinike për të testuar cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e tyre. Për t’u miratuar, vaksinat duhet të kenë një shkallë të lartë efikasiteti prej 50% ose më shumë. Pas miratimit, ato vazhdojnë të monitorohen për sigurinë dhe efektivitetin e vazhdueshëm.
Në artikullin e publikuar, disa paragrafe më poshtë është opininoni i qytetarit Engin Kasabaqi që thotë se ata që kanë sëmundje kronike (siç ishte rasti i qytetarit të mësipërm të cituar që thoshte se vuan nga diabeti dhe zemra), është mirë të marrin edhe vaksinën e katërt: “Unë i kam marr tri vaksina. Ndoshta e marr edhe të katërtën. Mbasi e kom marr nuk më ka ra covidi. Ata që kanë sëmundje kronike është mirë me marr”, tha Kasabaqi.
Ndryshimi midis efikasitetit dhe efektivitetit?
“Efikasiteti i një vaksine matet në një provë klinike të kontrolluar dhe bazohet në atë se sa njerëz që u vaksinuan zhvilluan ‘rezultatin e interesit’ (zakonisht sëmundje) krahasuar me sa njerëz që morën placebo (vaksina e rreme) patën të njëjtin rezultat. Pasi të përfundojë studimi, krahasohen numrat e të sëmurëve në secilin grup, në mënyrë që të llogaritet rreziku relativ për t’u sëmurur në varësi të faktit nëse subjektet kanë marrë ose jo vaksinën. Nga kjo marrim efikasitetin – një masë se sa vaksina ul rrezikun për t’u sëmurur. Nëse një vaksinë ka efikasitet të lartë, shumë më pak njerëz në grupin që marrin vaksinën u sëmurën sesa njerëzit në grupin që morën placebo. Kështu, për shembull, le të imagjinojmë një vaksinë me një efikasitet të provuar prej 80%. Kjo do të thotë se – nga njerëzit në provën klinike – ata që morën vaksinën ishin në një rrezik 80% më të ulët të zhvillimit të sëmundjes sesa grupi që mori placebo. Kjo llogaritet duke krahasuar numrin e rasteve të sëmundjes në grupin e vaksinuar kundrejt grupit placebo. Një efikasitet prej 80% nuk do të thotë se 20% e grupit të vaksinuar do të sëmuren,” sqaron OBSH.
Në artikullin që analizon Faktoje, Lizavet Tërrshani, tha se ka marrë tri dozat e vaksinës dhe po pret që të marrë edhe të katërtën: “I kam marrë tri vaksina deri tash edhe nëse rriten rastet kom me marr edhe të katërtën. Kanë pasur efekt dhe më kanë ndihmuar shumë sepse e kom pas coronën”, tha Tërrshani.
Kemi të bëjmë me një qytetare që ështe vaksinuar tri herë dhe nëse rriten rastet ajo thotë se do bëjë edhe dozën e katërt. Në fakt, që në krye të herës, OBSH e ka bërë të qartë që edhe pse ndodh vaksinimi kundër Covid-19, personi përsëri mund të infektohet me virusin.
“Niveli maksimal i mbrojtjes nga vaksinat kundër COVID-19 arrihet vetëm disa javë pas vaksinimit të plotë. Nëse keni një vaksinë me dy doza, kjo do të thotë që ju nuk merrni imunitet të plotë 2-4 javë pas dozës së dytë. Ju ende mund të infektoheni dhe të sëmureni gjatë kësaj kohe. Ndërsa vaksinat kundër COVID-19 janë shumë efektive kundër sëmundjeve të rënda, shtrimit në spital dhe vdekjes, asnjë vaksinë nuk është 100% efektive. Si rezultat, një numër i personave të vaksinuar do të infektohen dhe mund të sëmuren me COVID-19, pavarësisht se janë plotësisht të vaksinuar. Ky njihet si një ‘infeksion i përparuar’ ose ‘rast i përparuar’,” sqaron OBSH.
Hipotezat rreth vaksinës së Covid-19 thyen rekordet për dizinformimin
Teoritë konspirative dhe mitet kanë shoqëruar pandeminë duke rritur në mënyrë të shpejtë dizinformimin për Covid-19, duke e bërë punën e mediave edhe më të vështirë gjatë kohës së pandemisë dhe duke i përballur ato me infodeminë.
Ky pamflet përball disa nga mitet me faktet rreth Covid-19, që janë diskutuar më së shumti në valën e pandemisë dhe të infodemisë:
Miti: Vaksinat kundër COVID-19 nuk janë të sigurta, sepse janë bërë shumë shpejt.
Fakti: Vaksina është vërtetuar shkencërisht që është e sigurt dhe efektive.
Miti: Vaksina kundër COVID-19 shkakton efekte anësore dhe reaksione alergjike vërtet të rënda.
Fakti: Vaksina mund të shkaktojë efekte të lehta anësore, ashtu si vaksinat e tjera.
Miti: Mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.
Fakti: Nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.
Miti: Vaksina kundër COVID-19 mund të më ndryshojë ADN-në ose përbërjen gjenetike.
Fakti: Vaksina nuk mund ta ndryshojë ADN-në apo përbërjen gjenetike të një personi.
Miti: Nëse jam alergjik ndaj vezëve, nuk mund ta bëj vaksinën kundër COVID-19.
Fakti: Vaksina kundër COVID-19 nuk përmban vezë.
* Në foton kryesore lajmi me titullin “Qytetarët ankohen se vaksina antiCovid nuk ka pasur efekt në shëndetin e tyre”, publikuar nga portali i Gazetës Blic
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Shënim:
4 Shtator 2022: Portali gazetablic.com e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje, lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.