.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorDebunking: Protestat e qytetarërve për çmimet e larta i shërbejnë propagandës ruse

Debunking: Protestat e qytetarërve për çmimet e larta i shërbejnë propagandës ruse

Në mars, çmimi i naftës në Shqipëri arriti 250-260 lek litri, një rritje prej gati 50% krahasuar me mesataren e vitit 2021. Rritja e rrufeshme e çmimit të naftës i bashkohet ngritjes paralele të çmimeve të produkteve ushqimore bazë të konstatuara nga INSTAT.

Këto ndryshime në çmime u përshkruan si pasoja të luftës të nisur nga Rusia në Ukrainë, duke qënë se të dyja bashkë eksportojnë çerekun e rezervave të drithërit në nivelin global. Për më tepër, Rusia është e dyta në botë për rezervat e naftës, të cilat tashmë janë prekur nga sanksionet që i janë vendosur prej vendimit që të sulmojë Ukrainën.

Duke filluar nga data 9 Mars, qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur këtij inflacioni të papritur duke vërshuar në rrugët kryesore të Tiranës dhe marshuar drejt Kryeministrisë. Protestat kane vazhduar gati çdo ditë që prej kësaj date dhe janë organizuar edhe për javën e 14 marsit.

Credit: Alice Taylor/Exit.al

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj protestave, duke ju drejtuar publikut shqiptar në mënyrë direkte përmes mediave sociale. Më datë 10 mars, ai shkoi live në profilin e tij të Facebook-ut, ku deklaroi se protestat e kanë shqetësuar tej mase Brukselin. Gjatë këtij fjalimi të pa paralajmëruar, kryeministri bëri dy deklarata: së pari, se kishte marrë mesazhe nga një diplomat anonim i cili i shprehte Ramës frikën e institucioneve europiane se Rusia ishte mbrapa protestave që kishin kapluar Tiranën. Dhe së dyti, se Rusia po shpresonte që të kishte protesta ekonomike në vendet e NATO-s.

“Më ka ardhur një mesazh nga Brukseli ku thotë: ‘Po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë, a keni informacion kush po qëndron pas këtyre protestave’.

Është legjitime t’i bëhet presion qeverisë që të veprojë në ndihmë të njerëzve, Shqipëria është pjesë e NATO-s, ndërkaq NATO është gati de fakto në luftë me Rusinë.

Kjo ka sjellë telashe, vështirësi. Kjo që po ndodh me çmimet mund të ketë vetëm fillimi dhe Rusia ka shpresë të madhe te protestat ekonomike nëpër vendet e NATO-s,” shprehet kryeministri.

Rama nuk dha informacione të tjera mbi prejardhjen e mesazhit nga Brukseli, nëse një mesazh i tillë ekziston. Për më tepër, ai nuk tregoi cilat ishin burimet sipas të cilave Rusia po shpresonte në protesta ekonomike në vendet e NATO-s.

Në ditët që vijuan, Rama përsëriti deklarata të ngjashme mbi legjitimitetin e protestave. Më datë 14 mars, kryeministri takoi një grup pensionistësh të cilëve ju prezantoi paketën e Rezistencën Shoqërore e përgatitur nga qeveria për t’i bërë ballë pasojave të luftës në Ukrainë.

“Si mund të jemi ne i vetmi vend që dilet dhe protestohet për pasojat e luftës mbi çmimet, ku në asnjë vend tjetër ku efektet janë njësoj dhe të gjithë janë të shqetësuar të dalin njerëzit për të protestuar kundër luftës, këtu bëhet një protestë që mund ti pëlqeje Rusisë. Kjo është një nga pjesët e strategjisë të  asaj lufte. Që njerëzit që mbështesin Ukrainën të dalin në protesta ekonomike dhe më pas të harrojnë se çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës, por i Evropës,” tha kryeministri gjatë takimit.

Brukseli del në mbështetje të protestuesve

Në pamje të parë, fjalët e kryeministrit Rama që Brukseli do të preferonte që shqiptarët të mos dilnin në protestë, u mbështetën tërthorazi nga kryediplomati europian Joseph Borrell. Në një vizitë në Tiranë, Borrell tha se ai po ashtu po paguante më shumë për elektricitet në Spanjë.

“Lufta ka krijuar përçarje të madhe në ekonominë botërore. Këto janë pasoja të sanksioneve. Por është një proces që ka nisur me rritjen më të hershme të energjisë, të gazit dhe është pasojë e varësisë që kemi dhe Rusia po e përdor si armë. Nuk bëhet fjalë për pasojat e sanksioneve, por për luftën,” tha ai.

Fjalët e Borrell gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama duket të mbështestin pikëpamjen e këtij të fundit, sipas së cilës lufta dhe mbështetja ndaj Urkainës do të thotë që të gjithë duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të dobësojmë Rusinë.

Megjithatë, një ditë pas vizitës së Borrell në Tiranë, Komisioni Evropian ju përgjigj portalit Euractiv, me zyrë në Bruksel, se ishte në mbështetje të të drejtës së qytetarëve për të protestuar.

“Qytetarët në Shqipëri, si dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, kanë shqetësime legjitime për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve”, u përgjigj Komisioni.

“BE kujton se respektimi i standardeve evropiane për lirinë e grumbullimit paqësor dhe për mbrojtjen dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuar, janë kërkesat kyçe të anëtarësimit që monitorohen nga afër. Të gjithë aktorët e përfshirë duhet të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje maksimale”, ai shtoi për Euractiv.

Për më tepër, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vunë në dukje se “Sanksionet e BE-së…synojnë ata që janë përgjegjës për politikat ose veprimet ku BE dëshiron të ketë ndikimin e saj, duke reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur çdo pasojë të padëshiruar”.

Protestat i shërbejnë Kremlinit

Edhe përse propaganda është një nga themelet e luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë, nuk ka të dhëna konkrete që tregojnë se protestat e qyetarëve shqiptar po i shërbejnë politikave të Kremlinit. Për shembull, deri më tani, nuk ka pasur kërkesa nga ana e qyetarëve që qeveria t’i heq sanksionet kundër rusisë për të ndihmuar ekonomikisht popullin.

Në pankartat e protesutesve, dhe deklarata që ju dhanë mediave vendore, mesazhi i dalë nga protestat javore ishte tjetër: Qytetarët e dalë në protesta kërkonin ulje të çmimeve dhe ndihmesë sociale nga qeveria për të përballur inflacionin.

Shumë prej tyre ankoheshin për varfërinë, dhe vinin në shinjestër bizneset e mëdha shqiptare, sidomos ata që i konsiderojnë si “oligark.”

Editor: Aimona Vogli (Hotova)

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img