Gjatë prillit, dy raporte të prodhuara nga Freedom House dhe Reporters Without Borders (RSF) vunë në dukje mungesën e lirisë mediatike në Shqipëri. Të dyja raportet theksuan se kjo mungesë lirie lidhet drejtpërsëdrejti me faktin se, edhe pse në Shqipëri veprojnë mbi 800 portale dhe 45 kanale televizive, pjesa dërrmuese janë nën pronësinë e një grupi shumë të vogël individësh.
Për më tepër, raporti i Freedom House pretendon se portalet mediatike shqiptare “marrin fonde nga jashtë, duke përfshirë mbështetje financiare nga Rusia, Irani, Kina, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Italia—ose nga krimi i organizuar, veçanërisht nga mediat online.”
Burim: Freedom House
Ky monopolizim dhe përqëndrim i mediave nën thumbin e disa organizatave apo personazheve përbën problem për lirinë e medias, siç e nënvizojnë si Freedom House dhe RSF. Freedom House shkruan se pronarët e mediave “përdorin këto platforma për të lobuar interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike. Ata gjithashtu përdorin shantazhimin ose diskreditojnë personat që flasin kundër interesave të tyre ose partive politike që ata mbështesin. Përqendrimi i tregut të Shqipërisë përbën një rrezik të lartë për pluralizmin dhe pavarësinë e medias.”
Në të njejtën mënyrë shprehet edhe Reporters Without Borders, i cili shkruan se “mediat private shqiptare më me ndikim zotërohen nga një grup i vogël kompanish që kanë lidhje me politikanë dhe në të njëjtën kohë operojnë në sektorë nën ndikimin shtetëror si ndërtimi.”
Për më tepër, RSF vë në dukje një rrezik tjetër që ju kanoset mediave shqiptare: mungesave e fondeve. Sipas RSF, “edhe pse ekzistojnë qindra media dixhitale në vend, vetëm një pakicë e vogël ka një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent.”
Mungesa e financimit transparent e bën të vështirë të verifikohen këto dy deklarata: kush i ka në dorë mediat shqiptare, duke përfshirë portalet online, dhe mbi të gjitha a është e vërtetë që këto portale financohen nga vende si Rusia, Kina, apo Serbia që mund të kenë interesat e tyre për të përhapur dizinformim?
Mediat shqiptare janë në dorë të një grupi të vogël pronarësh
Raporti i Freedom House bazohet tek një monitorim i kryer nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) mbi pronësinë e mediave shqiptare. Ky raport “tregon se skena mediatike shqiptare është shumë e përqendruar në duart e pak pronarëve të mëdhenj, të cilët kanë lidhje të forta politike dhe kontrollojnë më shumë se gjysmën e audiencës dhe gati 90% të pjesës së tregut.”
Sipas BIRN, katër pronar kryesor kanë veshin dhe syrin gjysmën e audiencës totale shqiptare, sipas statistikave te mbledhura nga dy agjenci hulumtimesh mediatike, Telemetrix dhe Abacus.
Burim: Media Ownership Monitor
Megjithatë, edhe këto të dhëna janë jo transparente. Sipas vetë BIRN, ekspertët mendojnë se Telemetrix dhe Abacus përdorinin të dhëna jo të plota që mbështesin ose përhapin informacion që i jep avantazhin dy mediave kryesore në vend, Top Channel dhe Klan.
Duhet vënë në dukje që raporti i BIRN mbi pronësinë, siç e pranojnë dhe ata vetë, ka dy limite. Së pari, kur flitet per tetë individët që kanë në dorë median shqiptare, kjo nuk do të thotë që tetë individë kanë nën pronësi të gjithë kanalet radio apo televizive, apo edhe portalet online. Është më e saktë të thuhet që këta të tetë individë kanë nën pronësi një përqindje të konsiderueshme të kanaleve audio-vizive, si dhe shtypin e shkruar, dhe për mes tyre arrijnë të kapin gjysmen e publikut shqiptar.
Për më tepër, situata në Shqipëri po ndryshon, dhe shumë e me shumë lexues i kthehen portaleve online dhe mediave sociale për të marrë lajmet. Përsa i përket këtyre të fundit, BIRN thotë se mungojnë tërësisht si të dhënat për pronësinë, si dhe ato mbi lexueshmërinë e tyre.
Megjithatë, sipas po të njejtin raport të BIRN, po i njejti grup pronarësh kanë nën kontroll gati të gjithë tregun mediatik shqiptar. Bazuar në të dhëna financiare nga viti 2016, midis Radio Televizionit Shqiptar, Digitalb dhe Tring, katër pronarët më të mëdhenj kapin 94% të tregut. Vetëm Familja Hoxha, pronarja e platformës Digitalb, mban 55% të tregut medatik.
Mediat shqiptare financohen nga subjekte të huaja
Raporti i BIRN vë në dukje mungesën e transparencës financiare mbi financimin e kompanieve mediatike shqiptare, si dhe mungesën e të dhënave përsa i përket audiencës së tyre. Kjo situatë përkeqësohet kur bëhet fjala për të gjurmuar financimin e portaeleve online, sidomos ato që financohen nga subjekte të huaja. Kjo do të thotë që deklarata e Freedom House, se disa nga 850 protalet online që veprojnë në vend, marrin financime nga Rusia, Turqia, Kina, apo edhe organizata të lidhura me krimin, nuk mund të verifikohet. Raporte të detajuara mbi këtë fenomen ende nuk janë publikuar.
Megjithatë, ndikimi i huaj mund të vihet re nëpër portale individuale, duke bërë një analizë cilësore të artikujve që publikojnë. Këtu përfshihen po ashtu edhe raste marketing-u të fshehur si artikuj të thjeshtë, që në të vërtetë janë paguar për të lavdëruar punën e organizatave apo institucioneve të caktuara.
Burim: E Përditshmja
Në rastin e Shqipërisë, kjo bëhet e dukshme me portalet pro-Turke, të cilat publikojnë artikuj që fokusohen tek investimet apo bamirësia e qeverisë Turke në Shqipëri, ose artikuj që i portretizojnë në mënyrë positive arritjet e Presidentit turk Rexhep Erdogan.
Burim: Frekuenca
Në mungesë të të dhënave numerike, një analizë cilësore artikujeve të publikuar nga këto portale na lejon të shohim ndikimin që ato marrin nga qeveria Turke apo ente të ngjashme. Kjo bëhet po ashtu përmes krahasimit me mbulimin mediatik që i bëhet Turqisë (apo një vendi tjetër) në portalet dhe kanalet e tjera shqiptare. Një mospajtim në numrin dhe natyrën e artikujve na lejonë të vemë në pah ndikimi të huaja mbi portale specifike, edhe përse nuk mund të verifikojmë të ardhurat financiarisht.