BallinaBurokraciMinistria e Energjisë & Infrastrukturës kërkoi 10 muaj kohë për dhënie informacioni, por shkeli afatin e caktuar prej saj

Ministria e Energjisë & Infrastrukturës kërkoi 10 muaj kohë për dhënie informacioni, por shkeli afatin e caktuar prej saj

Shtyrja e afateve për përgjigjet ndaj kërkesave për informacion është një proces i përsëritur në komunikimin mes gazetarëve të Faktojes dhe instutucioneve në Shqipëri. Por, një rast i  pa precedent është ai kur një institucion kërkon kohë 10 muaj për kthim përgjigje dhe sërish e shkel afatin e vendosur prej tij, në dakordësi me Faktojen. Ministria e Energjisë dhe Infrastukturës përcaktoi marsin e vitit 2022, si afatin e fundit për të dhënë informacion në lidhje me dokumentacionin që lidhet godinat e ish-uzinave dhe fabrikave që po përdoren në kuadër të nismës Shqipëria 1 euro, por edhe pse ka kaluar thuajse një vit, ky informacion ende nuk ka ardhur.

Nxitja e punësimit dhe sipërmarrjeve të reja në vend ka qenë pjesë e axhendave nga ana e qeverive të djathta dhe të majta në vend. Një prej nismave, “Shqipëria 1 euro” ka shkaktuar më së shumti debate për mënyrën e funksionimit të saj. Ajo u hodh për herë të parë si ide nga kryeminstri Berisha në shtator të vitit 2006, vetëm një vit pas ardhjes në qeverisje.

Berisha shtator 2006: “Ne ta vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndryshuar Shqipërinë në më të lirën dhe më të mirën për investorët e huaj dhe ata vendas. Do tu ofrohet toka me 1 euro, do tu ofrohet kualifikimi punëtorëve me 1 euro, uji teknologjik me 1 euro, shërbime të tjera të tëra me 1 euro, regjistrimi i biznesit me 1 euro, hyrja në Shqipëri me 1 euro. Kur them kontrata një euro, para së gjithash është territori i parqeve industriale dhe pastaj kudo që të jetë e mundur. Parqet industriale do të jenë të garantuar në Shkodër, Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan tani për tani. Këtu do të ngrihen parqe industriale, që do të thotë se ajo tokë publike apo e kompensuar me vlerë tregu privatit, do të jetë disponibël për investime. Në këto zona investitori do ta ketë të garantuar truallin me një euro.”

Nisma në vetvete kishte si qëllim “rivitalizimin” e ish qendrave industrial në vend, tashmë të braktisura që prej rënies së komunizmit. Megjithatë ish-kryemninistri Berisha nuk ka qenë i vetmi, i cili propozoi një nismë të tillë. Edhe pse e kundërshtoi si nismë në vitin 2006 në kohën kur ishte në opozitë, kryeministri Rama e risolli si premtim në vitin 2014, kohë në të cilën mori qeverisjen për herë të parë.

Ne kemi ngritur një strukturë lehtësuese shoqërimi për sipërmarrjet dhe sipërmarrësit që vijnë në Shqipëri për të shmangur burokracitë. Kemi miratuar një kuadër ligjor, i cili lejon afrimin e hapësirave me qira 1 euro në vit, pra falas për një periudhë 20-30-40 vjeçare”- u shpreh Kryeministri Rama në atë kohë.

Për të parë impaktin e kësaj nisme, në qershor të vitit 2021 Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të mësuar se çfarë ishte bërë me godinat e ish-uzinave dhe fabrikave në vendin tonë.

*Kërkesa dërguar Ministrisë së Transportit dhe Energjisë në 29/06/2021

 

Në përgjigjjen e parë që morëm nga ky institucion na u kërkua disa muaj kohë në dispozicion, pasi sipas Ministrisë kërkohej një bashkëpunim midis shumë institucioneve të tjera dhe kompanive private. Afati i përcaktuar nga vetë Ministria për kthimin e përgjigjes, kishte si datë përfundimtare muajin mars 2022.  Faktoje ra dakort duke marrë parasysh volumin  e punës së kërkuar.

 

Në muajin mars 2022 nuk morëm asnjë përgjigje dhe rrjedhimisht në fillim të muajit prill (ekzaktësisht 6 prill 2022) Faktoje dërgoi një e-mail tjetër MIE ku e  rikujtonim për afatin, të cilin e kishte vendosur vet ky institucion. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ka kthyer asnjë përgjigje edhe pse ka kaluar thuajse 1 vit, që nga dërgimi i kërkesës për informacion.

*Emaili i rikujtimit për të kthyer përgjigje

Edhe pse Ministrisë së Infrastrukturës iu la afat gati një vit për të kthyer përgjigje, më i gjati ndër kërkesat që Faktoje i ka dërguar institucioneve shqiptare, përsëri ai është shkelur.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img