.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorDebunking: Cikli jetësor i një lajmi keqinformues në portalet shqiptare

Debunking: Cikli jetësor i një lajmi keqinformues në portalet shqiptare

Në javët e para që ndoqën hyrjen e forcave ruse në Ukrainë, mediat shqiptare e çuan fokusin direkte tek ngjarjet ne terren, duke e ndjekur atë hap pas hapi. Një pjesë e informacioneve që ato shpërndanin vinin nga burime zyrtare, duke përfshirë Ministrinë e jashtmë të Ukrainës, apo edhe media ndërkombëtare me reputacion të mirë. Megjithatë nëpër portale nuk ka munguar gjithashtu edhe një stuhi informacionesh të pavërteta ose të paverifikuara, synimi i të cilave—sidomos përmes titujve—ka qenë gjenerimi i klikimeve nga ana e lexuesëve. Të tilla janë lajmet e llojit të mëposhtëm të cilat vijnë nga burime të dyshimta.

Burim: Dosja.al

Burim: Lapsi.al

Shpërndarja e këtyre lajmeve të natyrës “clickbait” tregon se shpesh portalet shqiptare i marrin lajmet nga burime të njëjta ose të ngjashme dhe të paverifikuara. Është gjithashtu e mundur që portalet të kopjojnë nga njëri-tjetri, duke marrë parasysh gjuhën gati identike që shoqëron artikujt. Kjo dinamikë e bën të vështirë të gjendet pika fillestare e një lajmi dizinformues dhe për më tepër dëshmon, për ekzistencën e një ekosistemi mediatik që vetushqehet me keqinformim në Shqipëri.

Një shembull i këtij fenomeni janë lajmet mbi shëndetin e Putin që qarkulluan nëpër portale në javët e para pas nisjes së luftës dhe vazhdon me një farë rregullsie ,edhe më sot. Lajme të kësaj natyre deklarojnë se Putin po vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse, ndërkohë të tjera pretendojnë se vedimet e tij shkatërrimtare dhe të pamatura vijnë si pasojë e këtyre sëmundjeve. Lajme të tilla përpiqen të tërheqin lexues, por edhe të japin shpjegime të thjeshtëzuara për situatë komplekse. Ky rast më specifkisht tregon po ashtu sesi portalet shqiptare marrin informacione të paverifikuara nga gazetat e stilit “tabloid” (pra, të thashethemeve) britanike, të cilat ndiqen nga shumë veta, dhe i përcjellin ato në shqip.

Shembulli 1: “Putin po vdes nga kanceri”

Më 7 mars 2022, një agjenci lajmesh publikon në emisionin e ditës lajmin se një “ish-oficer i inteligjencës amerikane” pretendon se Putin është duke vdekur nga kanceri. Burim i vetëm që jepet me këtë janë fjalet e një figure anonime nga Pentagoni dhe në Ukrainë, por pa dhënë informacione të tjera që mund të ndihmojnë me verifikimin e kësaj deklarate.

Lajme të ngjashme shperndahen po ashtu nga portale te tjera shqiptare, ku përmenden përsi pretendimet se Putin po vdes nga kanceri dhe është në gjendje të rëndë.

“Burimi i paidentifikuar thotë se presidenti i Rusisë ka kancer terminal në zorrë. Besohet se fytyra e fryrë e Putinit, që është komentuar shumë ditët e fundit është një shenjë se ai është duke kryer kimioterapi. Burimi shton gjithashtu se shprehja e tij është për shkak se ai ka dhimbje të vazhdueshme,” shkruhet në një nga artikujt.

Burim: Dosja.al /Tema.net

Në rastin e portaleve, këto japin si origjinë burime të ndryshme, duke filluar nga portali Amerikan MSN.com, apo dhe portali britanik Linconshire Live. Edhe këto portale ndërkombëtare nuk na japin detaje të më tejshme për burimet e tyre. Kjo e bën të pamundur të gjurmohet burimi origjinal i lajmit, apo të vërtetohet saktësia e informacionit që po jepet. Gjithsesi, asnjë nga portalet e sipërpermenduar nuk e ka vendosur një shënim që vë në dyshim vërtetësinë e këtyre deklaratave mbi shëndetin e Presidentit rus, pavarësisht faktit se mungon një burim i besueshëm ose të paktën i verifikueshëm.

Shembulli 2: “Putin ka sulme zemërimi të shkaktuara nga ilaçet”

Burim: Gazeta Si

Burim: Shqiptarja

 

Në këtë rast, portali “Shqiptarja” ka përdorur si burim portalin e Gazetës Si e cila ka përshtatur një lajm nga Gazeta britanike The Daily Mail. Në artikullin e Daily Mail supozohet se “burime perëndimore pranë Kremlinit,” thonë se presidenti Rus është sëmurë.

“’Në pesë vitet e fundit ka pasur një ndryshim të dukshëm në procesin e tij të vendimmarrjes, njerëzit e afërt kanë vënë re gjithashtu një qartësi më të vogël në të folur dhe në të kuptuarit e botës rreth tij’” shkruhet në artikull.

Në dallim nga artikujt e mësipërm që pretendonin se Putin ka kancer, në rastin e Gazetës Si, kjo e fundit e specifikon që ka raste kur The Daily Mail nuk është i besueshëm dhe se informacioni që ky portal jep nuk verifikohet dot.

“Historia e ‘Daily Mail’, ndoshta bazohet në një burim të vetëm, është e dobët dhe e vështirë për t’u konfirmuar, por ajo përforcon dyshimet që janë shfaqur muajt e fundit: zgjedhjet e Putinit do të ndikoheshin nga Parkinsoni, nga një formë më gjenerike e demencës ose nga përdorimi i zgjatur i steroideve për trajtimin e kancerit, i cili do të prishte ekuilibrin e tij,” thotë Gazeta Si.

A është Putin i sëmurë?

Mungesa e burimeve origjinale nëpër “tabloids” që përdoren më pas si baza për artikuj në portale shqiptare e bën të vështirë ose gati të pamundur të verifikohet vërtetësia e deklaratave që shpërndajnë, si në rastin e shëndetit të Putin. Deklarata të tilla mbi shëndetin e Putin janë bërë disa herë ndër vite, dhe në 2020 Kremlini i refuzoi akuzat sipas disa agjenci lajmesh perëndimore. Por qeveria ruse nuk kanë bërë një deklaratë të tillë në këtë rast. Por heshtja nuk do të thotë pranim.

Gazeta skoceze The Scotsman ka bërë një përmbledhje të ngjashme mbi lajmet e publikuara nga e gazetave “tabloid” britanike mbi shëndetin e Putin që prej nisjes së luftës. The Scotsman tregon se këto lajme janë të paverifikuara. Në fakt, në Britani një deklaratë e parë mbi këtë temë, sipas The Scotsman, erdhi nga një ushtarak britanik i cili po ashtu nuk ka dhënë burime për deklarat  e tij.

Megjithatë spekulime mbi shëndetin ka pasur edhe nga burime në pamje të parë më të besueshme, si fjalët e Fiona Hill një specialiste amerikane e punëve të jashtme. Hill ka punuar për Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ka një doktoratë në histori nga Harvardi. Në një intervistë për revistën Politico, ajo ka thënë se “Putini nuk duket aq mirë, ai ka qenë mjaft i fryrë. Ne e dimë se ai është ankuar për probleme me shpinën. Edhe nëse nuk është diçka më e keqe se kaq, mund të jetë se ai po merr doza të larta steroidesh, ose mund të ketë diçka tjetër. Duket se ka një urgjencë për këtë që mund të nxitet edhe nga faktorë personalë.”

Edhe pse Hill ka vite eksperiencë në fushën e marrëdhnieve ndërkombëtare, ajo vetë nuk është eksperte mjekësore. Për më tepër mjekëve nuk ju lejohet të komentojnë mbi shëndetin e personave të cilët ata nuk i kanë takuar personalisht, siç e specifikoi edhe neurogjeneticisti John Hardy në një intervistë për DW.

Megjithatë, Hardy i tha DW se sipas tij, Putin nuk tregon shenja që të jetë semurë me Parkinson apo sëmundje te ngjashme.

Në mungesë të burimeve të besueshme, është e vështirë të vërtetohet gjendja mjeksore e Putin, por kjo nuk do të thotë se ai është i sëmurë apo duke vdekur. Mungesa e provave nuk përbën provë.

Editor: Aimona Vogli (Hotova)

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img