BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDebati i vjetër mes Elisa Spiropalit dhe Flamur Nokës, që u trajtua si i “ri”

Debati i vjetër mes Elisa Spiropalit dhe Flamur Nokës, që u trajtua si i “ri”

Një lajm i publikuar më 9 gusht si raportim i asaj dite është verifikuar si dizinformues për shkak të referencës kohore. Raportimi lidhet me një debat të ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë mes ministres Spiropali dhe deputetit Flamur Noka, tre muaj më parë.

 

 

Nevila Gjata

Kuvendi mbylli punimet për sesionin e parë parlamentar të këtij viti më 28 korrik përmes një seance të jashtëzakonshme mbledhur për dekretet për emërim dhe shkarkim të Presidentit Bajram Begaj, pas firmës së kryeministrit Edi Rama.

Prej asaj dite, ka pasur dy njoftime nga Kuvendi i Shqipërisë; për përcjelljen zyrtare Këshillit të Evropës të Rezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Po ashtu dhe një reagim të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për tensionet në Veri të Kosovës në fillim gushti. Mirëpo Portalikoha.com në datën 9 gusht raporton që në titull se në Kuvend ka pasur një debat mes ministres së Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe deputetit të PD-së Flamur Noka.

Screenshot i lajmit te publikuar nga portalikoha.com

Titulli është dizinformues. Nuk ka pasur seancë në Kuvend atë datë, apo ditët e tjera (qoftë në kushte normale apo raste të jashtëzakonshme).

Kuvendi ka mbyllur punimet për këtë sesion parlamentar (në datën 28 korrik) dhe në bazë të rregullores, ai e mbledh sesionin e dytë parlamentar (për këtë vit) të hënën e parë të shtatorit.

Screenshot i nenit 42 te rregullores së Kuvendit

Në bazë të nenit 74, pika dy e Kushtetutës, Kuvendi mund të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.

Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar.

Screenshot i nenit 74 të Kushtetutës

Titulli i portalikoha.com shtjellohet që në fillim të shkrimit me një replikë mes ministres Elisa Spiropalit dhe deputetit të PS Flamur Noka zhvilluar në Kuvend disa muaj më parë.

Debati trajtohet në shkrim në kohën e tashme.

Faktoje.al konfirmon se replika mes tyre (Spiropali-Noka) ka ndodhur në datën 23 maj të këtij viti gjatë punimeve të Kuvendit kur po diskutohej raporti i veprimtarisë së AMA-s.

Screenshot i procesverbalit te punimeve te Kuvendit me 23 maj 2022

Fillimisht, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministrja Elisa Spiropali shkëmbyen akuza mes njëri tjetrit.

Spiropali e akuzoi Berishën se për interesa personale “po digjte jo vetëm partinë, por edhe  Shqipërinë”.

Ndërsa Berisha akuzoi se “familjarët e saj po marrin para nga tenderat”.

Në replikën mes tyre ndërhyn pa mikrofon edhe deputeti Flamur Noka.

Kuvendi ka zbardhur debatin mes dyshes Spiropali-Noka, pa përfshirë ndërhyrjet pa mikrofon të cilat disa media i publikuan, disa të tjera jo, për arsye etike.

Screenshot i debatit Spiropali-Noka. Burimi:Parlament.al, botuar më 23 maj 2022

“O Flamur, nuk e kuptoj pse i rri aq afër atij, sa dukesh si shkopi i flamurit?! A ka mundësi të rrish në pozicionin tënd, aty ku të ka hije?!”, ishte reagimi i Spiropalit drejtuar Nokës më 23 maj të këtij viti.

screenshot i njoftimeve të fundit të Kuvendit

E gjithë përmbajta e shkrimit vijon me kohën e tashme, duke risjellë në fakt një debat të vjetër këtu e tre muaj më parë.

Në datën 9 gusht të këtij viti nuk ka pasur Kuvend, as debat mes Elisa Spiropalit dhe Flamur Nokës dhe as ndonjë sesion të jashtëzakonshëm.

*Foto ballore marrë nga portalikoha.com

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit me Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img