Pretendimi: Departamenti amerikan i Shtetit ka krijuar një grup të posaçëm për zgjedhjet në Shqipëri.
Verdikti: E paprovuar
—————————————–
Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 11 majit afrohen, në rrjete sociale po qarkullon si “lajm i fundit” pretendimi se Departamenti amerikan i Shtetit “ka krijuar një grup të posaçëm për zgjedhjet në Shqipëri.”
Siç ndodh rëndom, pretendimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë burim, referencë apo provë që e mbështet atë.
Asnjë njoftim i tillë nuk shfaqet në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, as në nënfaqen përkushtuar Shqipërisë, përditësuar më së fundmi më 28 shkurt 2025.
Njësoj, faqja zyrtare e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk përmend ndonjë program të tillë.
Departamenti i Shtetit dhe qeveria amerikane në përgjithësi nuk është prononcuar publikisht mbi zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Në fakt, vendi ka mbetur pa amabasador amerikan që nga fundi i mandatit të ish-ambasadores Yuri Kim në 2023.
Nuk ka prova deri më tani se një grup i posaçëm është ngritur nga DASh për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Megjithatë, pas një ftese për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 11 majit Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) ka dërguar një mision vëzhgimi në Shqipëri. ShBA është një nga 57 shtetet pjesëmarrëse në OSBE.