BallinaPremtimeDako zhgënjen fermerët për rezervuarët

Dako zhgënjen fermerët për rezervuarët

JURGEN BAME & MERXHAN DACI

Banorët e Rrashbullit në Durrës që jetojnë me bujqësi, morën premtimin e Vangjush Dakos 4 vite më parë se rezervuarët për ujitje do të vihen në punë. Sot ata përballen me të njëjtat probleme si në 2015-n, pa ujë e pa rrugë dhe në vështirësi për të zhvilluar bujqësinë në tokat e tyre.

————————————————————————————————————————————————————-

Bashkia e Durrësit ka në territorin e saj dhjetra rezervuare, të destinuar për të ndihmuar bujqësinë në komunitetet e zonave rurale. Megjithatë pak prej tyre janë funksionalë.

Bashkia Durrës/ Screenshot nga Google Maps

 

Çfarë premtoi Vangjush Dako në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2015 në Durrës:

Për sa i përket rezervuarëve, aktualisht kemi 18 të tillë, por vetëm 4 punojnë, ato të Manzës dhe Ishmit. Kështu që sfida jonë mbetet vënia në punë dhe në efiçencë të plotë e tyre”, tha Dako në një intervistë për Reporter.al teksa kandidonte për një mandat të tretë në krye të bashkisë.

Në takimet e fushatës në Rrashbull, një njësi administrative me 33-mijë banorë, që jetojnë në sajë të bujqësisë, Dako premtoi:

Do të vëmë në funksion të tre rezervuarët e zonës për të siguruar vaditjen e plotë të fermave si dhe do të shtrojmë rrugët e arave”.

Vangjush Dako i shpalosi premtimet para fermerëve të zonave të Romanatit dhe Bozanxhies në Rrashbull, ku shqetësimi më i madh i tyre ishin rrugët dhe ujitja.

Foto: Bashkia Durrës

 

Ujitja e tokave bujqësore, sipas premtimit të Dakos do të bëhej nëpërmjet vënies në funksion të tre rezervuarëve të zonës me investimin e bashkisë.

Por si është situata me rezervuarët katër vite më pas? “Faktoje” verfikoi në terren nëse ky premtim ishte mbajtur.

Rezervuari pranë Lumit të Durrësit/ Screenshot nga Google Maps

 

Ilmiu, banor i Rrashbullit tha se rezervuari i lagjes pranë Lumit të Durrësit ku ai jeton, nuk punon.

Nuk është vënë asnjë ditë në funksion, s’mbaj mend të ketë qenë në punë ndonjëherë“- ankohet ai.

Rezervuari pranë Lumit të Durrësit/ Foto: Jurgen Bame

 

Ndërkohë Tefta K, banore e Rrashbullit pohoi për “Faktoje” se Rezervuari i Rrashbullit përdoret vetëm për peshkim.

Ne që merremi me bujqësi dhe blegtori nuk na vjen në ndihmë. Ne kemi lopë dhe mbjellim disa produkte, me ato jetojmë dhe uji është problem i madh”, tha banorja.

Edhe Belkie K, banore e vjetër e kësaj zone konfirmoi se që pas vitit 1990, ky rezervuar nuk e ka ndihmuar më ekonominë bujqësore të Rrashbullit.

Rezervuari i Rashbullit/ Screenshot nga Google Maps

 

Përveç pamjes piktoreske që ofron, Rezervuari i Rrashbullit, më i madhi i kësaj zone është ende i pashfrytëzuar.

Rezervuari i Rrashbullit/ Foto: Merxhan Daci

 

Bashkia e Durrësit, pyetur nga “Faktoje” konfirmoi mosvënien në funksion të rezervuarëve në zonën e Rrashbullit por jo vetëm.

Përsa i përket rezervuarëve, është vendosur në punë dhe kryen funksionin e tij që nga viti 2017, Rezervuari i Tarinit. Rezervuarë të tjerë që do të vendosen në efiçencë janë ai i Arapajt dhe ai në Spitallë”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Pas katër vitesh, premtimi i Dakos për rijetëzimin e rezervuarëve është pothuajse i pambajtur. Vetë bashkia pohon vënien në funksion vetëm të një rezervuari, atij të Tarinit, duke lënë të zhgënjyer shumë fermerë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img