Shqipëria vijon të konsiderohet si burimi kryesor i kanabisit bimor. Pas OKB-së, Zyrës Europiane të Drograve, eurodeputetit David Lega, edhe DIA italiane e konsideruan Shqipërinë si vendi prodhues kryesor i kanabistit në Europë, duke e renditur atë në krye të listës për vititn 2019.
Raporti i UNODC, një publikim i Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2014- 2018, e cilësoi Shqipërinë si “vendi kryesor i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit” në Europën Lindore e njëherazi “kryesuese” së bashku me Holandën për gjithë kontinentin Europian.
Eurodeputeti David Lega, më 20 korrik të këtij viti, në një intervistë për gazetën “Panorama”, u shpreh se Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit për vendet e Bashkimit Europian.
Shumë vende në Europë vijuan të raportonin për rritje të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Ndërsa lufta kundër kultivimit të drogës në të vërtëtë përbën një sfidë dhe duhet bërë më shumë – u shpreh eurodeputeti Lega.
Raporti tjetër, “Tregu i drogave 2019”, një publikim, që bëhet një herë në tre vjet nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA), e cilëson Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e së cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.
Raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) “Një vlerësim i shtrirjes së organizatave kriminale shqipfolëse të përfshirë në furnizimin me drogë në BE: karakteristikat, roli dhe niveli i ndikimit” për vitin 2019, konfirmoi se organizatat kriminale i shërbejnë politikës në vend.
Drejtoria Investigative Antimafia, në raportin e gjashtëmujorit të dytë për vitin 2019, e cilëson Shqipërinë si vendi që prodhon më shumë kanabis se çdo vend tjetër europian.
Në panoramën ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet tashmë si vendi “lider” në prodhimin e kanabisit, duke u pozicionuar ndër prodhuesit kryesorë në nivel europian e njëherazi në krye të listës në nivel botëror – thuhet në raportin e DIA-s.
Raporti i DIA-s nxjerr në pah edhe rrugën e ndjekur nga trafikantët për kalimin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë.
Sasitë e mëdha të kanabisit të prodhuara në Shqipëri po futen vazhdimisht në kanalet evropiane të shitjeve, duke shfrytëzuar kanalin e Otrantos nga deti dhe korridorin e Balkanit nga toka. Skafet lundrojnë nga brigjet shqiptare, Vlorë dhe Durrës, dhe zbarkohen kryesisht në bregdetin e Apulianit – shton raporti.
Ndërkohë që zyrtarët në vend, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, Lleshaj, vijojnë të deklarojnë për një ‘Shqipëri të pastër nga kanabisi’, raportet ndërkombëtare vijojnë ta konsiderojnë Shqipërinë si vendi kryesor i prodhimit të kanabisit në kontinenin e Europës dhe ndër “top vendet” në botë.
Lexo dhe: