.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitCovid-19, pandemia që po rrit infektimet dhe terrin informativ

Covid-19, pandemia që po rrit infektimet dhe terrin informativ

ELISA GJERANI

Infektimet nga Covid-19 u rritën ndjeshëm pas përfundimit të gjendjes së emergjencës dhe lehtësimit të masave izoluese, por mungesa e transparencës nga  institucionet e shëndetësisë, vijon të jetë e lartë. Gjatë një hulumtimi të realizuar për “Faktoje”, në gjashtë qytete të vendit, gazetarët lokalë raportuan se informacioni mbi situatën nga pandemia ka qenë i cunguar ose i centralizuar në duart e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë drejtuesit e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, mohojnë t’u jetë ndaluar nga eprorët dhënia e informacionit. Vetëm një prej zyrtarëve vendorë, i pyetur për “Faktoje” pranoi cetralizimin e informacionit me argumentin se po respektonte ligjin. 


Masat anti-covid që nuk mbërritën në sistemin parësor shëndetësor

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë deklaronte marrjen e masave të rrepta anti-covid për spitalet duke e ilustruar me foto të stafit të “blinduar” me veshje mbrojtëse, dëshmitë e mjekëve tregojnë një tjetër realitet në spitale. Një prej tyre është edhe spitali i traumës, ku u zhvendosën një pjesë e madhe e ndërhyrjeve kirurgjikale, pas mbylljes së urgjencës së përgjithshme në QSUT.

Mjekët e këtij shërbimi, të cilët preferojnë të qëndrojnë anonimë, shpjeguan se jo vetëm që nuk u janë vënë në dispozicion masa të shtuara mbrojtjeje, por disa herë ata kanë qenë seriozisht të rrezikuar nga infektimi.

“Këtu vjen çdo lloj urgjence dhe nuk ke kohë t’i thuash prit njëherë të të bëjmë disa pyetje. Ne ishim ata që u lamë pa doreza dhe pa alkool e nuk po flasim fare për mjete të tjera që na duheshin në këtë situatë, ku çdo i sëmurë mund të ishte potencialisht i infektuar me Covid-19. Madje, mund të them se ishte një rast kur njëri nga pacientët e shtruar rezultoi me Covid, dhe infermierët e stafi i kishin shërbyer pa asnjë masë mbrojtëse. Lajmi na u mbajt i fshehtë, duke na vënë edhe më shumë në rrezik, pasi duke mos e ditur nuk mbroheshim. Fatmirësisht askush nga ne nuk u infektua, por salla u dezinfektua vetëm pas presionit tonë”- na shpjegojnë mjekët e Spitalit të Traumës.

Ata tregojnë se nuk u pajisën asnjëherë me veshje speciale, por e vetmja gjë që përfituan pas kësaj ngjarjeje ishin dorezat, që më parë i blinin vetë.

Dy video nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në përurimin e qendrave shëndetësore, ku vihen re mjekë, infermierë dhe pacientë pa mjete mbrojtëse, ose që i keqpërdorin ato.

Po me shërbimin parësor, çfarë ndodhte ndërkohë? Në Poliklinikën e specialiteteve në rrugën e Kavajës, në Tiranë mjekë rrëfejnë se ditët e para kanë qenë edhe më të “frikshmet”.

Na sollën nga ato maskat që kishin skaduar që në 2011-n dhe sigurisht që ne mjekët nuk pranuam t’i vendosim, pasi e dimë shumë mirë se çfarë komplikimesh mund të na vinin nga një maskë e skaduar. Dhe maska ishte i vetmi mjet mbrojtës që na sollën, imagjino se në çfarë stresi ishim ne, pasi duhet të ishim në kontakt me shumë pacientë gjatë ditës”- rrëfejnë ata për “Faktoje”.

“Ekskluziviteti” i dhënies së informacionit, vetëm për disa mjekë 

Pëllumb Pipero, mjeku që u bë edhe fytyra dhe zëri zyrtar për situatën e pandemisë, gjatë ditëve të gjata të izolimit, u përball edhe me akuza për monopolizim të informacionit. Ai thotë se në të vërtetë ishte vetëm njëri prej zërave të shumë specialistëve, që po ndanin me publikun ato që mësonin çdo ditë nga kjo sëmundje e re. 

“Unë nuk zgjodha të isha imazhi publik i situatës jo të zakontë të kësaj epidemie. Në një farë mënyre ne ndamë me publikun, por dhe kolegët ato që mësonim çdo ditë nga kolegët e huaj, të cilët u përballën të parët me Covid-19. Të gjithë ishin të interesuar të dinin çfarë po ndodhte dhe madje edhe çfarë do të ndodhte. Natyrisht parashikime nuk mund të bënte dhe ende nuk bën dot askush për këtë virus, dhe në këtë aspekt ndoshta kemi marrë kosto, por nëse këshillat tona kanë shërbyer për të shmangur panikun e qytetarëve dhe rritur vigjilencën, besoj ia ka vlejtur çdo lloj kostoje”- thotë Pipero.

Si anëtar i Komitetit të Ekspertëve për pandeminë, Pipero mendon se të dhënat e raportuara nga ministria ishin të mjaftueshme për të qartësuar situatën me të cilën po përballej vendi ynë.

“Një nga indikatorët kryesore për kontrollin e një epidemie (pandemie) është informimi i publikut dhe komunikimi me publikun, pasi pa pjesëmarrjen e tij nuk mund të kontrollohet epidemia.”-tha ai për Faktojen.

Ndërsa zërat kritikë për mënyrën sesi u menaxhua e gjithë situata kanë qenë të shumtë. Një prej tyre është kirurgu Gëzim Xhepa, i cili tregon se ku u gabua.

“Barriera e parë duhet të ishte mjeku i familjes, është e pakuptimtë mënyra se si kjo hallkë e artë dhe e rëndësishme u mënjanua dhe gjithçka iu besua një linje telefonike, 127, e cila në fakt jo vetëm që nuk funksionoi, por i la rastet e të sëmurëve pas dore.”- na thotë Xhepa.

Edhe vendimi për të kthyer Infektivin në spitalin “Covid 1” nuk ka qenë i drejtë, pasi kjo la pasoja.

“Sanatoriumi duhet të ishte spitali Covid 1 dhe jo Infektivi, pasi kjo sëmundje prek mushkërinë dhe normalisht këto sëmundje trajtohen në sanatorium. Sigurisht që do të kishte nevojë për asistencë, pasi mjekët ishin të gjithë në gatishmëri, por kjo do të sillte edhe zhbllokimin e QSUT, pasoja të cilat po i vuajnë pacientët e sëmundjeve të tjera. Popullata nuk preket vetëm nga Covid”- kritikon ai.

Një nga pyetjet me të cilat u spekulua gjatë pandemisë ishte nëse Covid-19 kishte qarkulluar më herët se muaji mars, kur u publikuan dy rastet e para të të prekurve.

Mjeku Erion Dasho, i pyetur për “Faktoje”, tha se lidhur me hipotezat e ekzistencës së këtij virusi më parë se marsi në vendin tonë, do të duhen testet gjenetike te pacientë të ndryshëm që të mund të konfirmohet kjo teori. Deri tani, vendi ynë nuk ka mundur dot t’i kryejë këto teste, ndryshe nga çka ndodhi në Itali ku testet dëshmuan për praninë e virusit para shkurtit. 

“Në momentin që ne vijonim të kishim lidhje me Italinë ma do mendja që edhe mund ta kishim pas më parë. Unë u kam rekomanduar që të bënin testin e antitrupave te pacientët, por ata nuk e kanë siguruar dot në kohë, ndaj këto hipoteza hidhen poshtë. Gjenetistët thonë se nëse kryhen testet gjenetike, mund të konfirmohet ky detaj, por Shqipëria nuk i ka këto mundësi, ndaj gjithçka e thënë mbetet në argumentet klinike dhe imazherike kur testi nuk është kryer.”- rrëfen ai për “Faktoje”.

E pyetur për “Faktoje” mbi këtë çështje, ISHP tha se deri më tani ky institucion nuk disponon të dhëna laboratorike dhe epidemiologjike që Covid-19 të ketë qenë në qarkullim përpara fillimit të pandemisë në vend.

Kur u pyet nëse është ndier nën presion për mosdhënie informacioni dhe sesi e gjykon nivelin e transparencës nga Ministria e Shëndëtësisë gjatë pandemisë, Dasho thotë:

Deri në mes të qershorit kishte më shumë transparencë, sepse kishte më shumë detaje. Ndërsa tani kam parë që transmetohen të dhëna të pjesshme. Ka disa javë që nuk raportohen rastet e disa kategorive të caktuara, siç janë mjekët, fasonët, call-centerat, bizneset, etj. Kjo mua nuk më pëlqen, pasi do të doja më shumë transparencë.”-vijon mjeku Erion Dasho.

Transparenca e institucioneve të shëndetit në rrethe

Transparenca e institucioneve të shëndetësisë la për të dëshiruar, edhe sipas mendimit të shumë gazetarëve që raportuan mbi situatën e pandemisë, veçanërisht nga 10 marsi deri më 23 qershor, kur përfundoi edhe gjendja e emergjencës nga fatkeqësia natyrore.

Që prej shpalljes së pandemisë së Covid-19, Instituti i Shëndetit Publik çdo ditë ka ndarë me publikun në raportime të rregullta mediatike, shifra për të prekurit nga virusi, por jo në të gjitha rastet përfshiheshin hollësi të tjera në favor të transparencës.

I pyetur zyrtarisht nëse ka pasur një urdhër për centralizim të informacionit dhe kontroll të tij, ky institucion përgjigjet:

Jo, nuk ka pasur urdhër të tillë, informacioni është dhënë në mënyrë sistematike nëpërmjet deklaratave zyrtare, intervistave apo botimeve. I gjithë informacioni, përfshirë dhe vatrat, jepet në buletinët dhe deklaratat zyrtare të MSHMS”.

Ndërkohë kërkesa për informacion që iu dërgua Ministrisë së Shëndetësisë, kaloi nëpër disa peripeci dhe burokracira të shtuara. Vlen të përmendet se pas kërkesës së dërguar, M. Sh. më datë 23 qershor 2020, ku renditeshin një sërë pyetjesh lidhur me transparencën e munguar gjatë periudhës së pandemisë globale të Covid-19, nga kjo ministri na vjen një e-mail në datën 1 korrik 2020, me pyetjen:

“Referuar e-mailit tuaj, jeni të lutur të përcillni se ku qëndron interesi publik për kërkesat e paraqitura”.


Pas sqarimit, morëm një përgjigje në mesin e muajit korrik, ku ministria sqaronte vetëm njërën nga 5 pyetjet drejtuar asaj.

Lidhur me vendosjen e një ndalimi të mundshëm në ngarkim të DRSHP-ve, për dhënie të informacionit, ju bëjmë me dije se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka nxjerrë një urdhër të tillë.”- thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Ne kontaktuam me 6 drejtorët e njësive vendore të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës, Korçë e Shkodër dhe gazetarë lokalë po nga këto rrethe në lidhje me nivelin e transparencës gjatë pandemisë.

Shpëtim Novi, drejtues i Njësisë Vendore të kujdesit shëndetësor në Gjirokastër, tregon se çdo informacion është aksesuar nga gazetarët.

“Kur e kemi pasur informacionin, gjithnjë ua kemi dhënë gazetarëve dhe rrjedhimisht edhe publikut, nuk jemi kursyer. Të paktën ato detaje që na ka dhënë Ministria e Shëndetësisë, ne gjithnjë ua kemi aksesuar gazetarëve.”-tha ai.

 “Ka pasur një hermetizim të informacionit në shkallën 100%. Personalisht kam tentuar disa herë të lidhem me drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës dhe përveçse s’më ka dhënë asnjë informacion, nuk ka folur as ashtu sikurse i ka hije një zyrtari të lartë, për më tepër të një institucioni shëndetësor të rëndësishëm. E njëjta situatë dhe më drejtoritë e DSHP-së. Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë vetëm me burimet tona, pasi institucionet kanë urdhër nga lart që të mos japin asnjë informacion”-tregon Ervina Shehaj, gazetare në qarkun e Gjirokastrës, e pyetur për “Faktoje”.

Unë doja informacion p.sh., si është gjendja e spitalit, a janë marrë masa; Nëse do ketë raste të dyshuara, ku do mbahen; etj, por asnjë shkronjë nuk mora. Prapë burimet nga spitali thonë që drejtori i ka dhënë urdhër dhe stafit të spitalit që mos të flasë për asgjë. Kam pasur kontakt me shumë infermiere që kanë frikë për vete se mos i shkasë ndonjë informacion pa dashje, duke i rrezikuar kështu edhe vendin e punës”- rrëfen gazetarja lokale.

Raste të ngjashme mësuam edhe nga një tjetër gazetare lokale që nuk pranoi të idektifikohej.

Ish-Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, që aktualisht mban postin e drejtuesit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër thotë:

“ Normal që ka pasur një rakordim të mirë midis nesh si institucione në dhënien e informacionit, por nuk bëhet fjalë për mosakses të informacionit nga vetë gazetarët e Shkodrës”.

Por edhe në këtë qytet, gazetarët pohojnë të kundërtën, duke u shprehur se ka pasur mungesë të theksuar informacioni kur vjen fjala për hollësi në lidhje me rastet e reja të konfirmuara me Covid-19.

“Zyrtarisht ne kemi kërkuar informacion vetëm me telefon, por jo me kërkesa zyrtare për shkak të dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Kërkesa zyrtare me shkrim nuk kemi bërë, pasi informacioni që na është kërkuar është dashur në një kohë të shkurtër dhe nuk na nevojitej pas 2-3 apo 10 ditësh. Duke mos marrë asnjëherë përgjigje të shpejtë zyrtare, kemi kërkuar informacion vetëm në rruge jo zyrtare, që shpesh herë dhe në këtë formë është hasur pengesë.”-shprehet, Françeska Ndoja, gazetare e një televizioni informativ për qarkun e Shkodrës, e pyetur për “Faktoje”.

Ne kontaktuam gjithashtu me Xhevair Budanin drejtuesin e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në qytetin e Elbasanit, i cili flet për një bashkëpunim shumë të mirë me gazetarët e këtij qarku.

“Çfarë është kërkuar nga gazetarët i kam dhënë gjithnjë informacion, madje edhe intervista. Kemi pasur komunikim të vazhdueshëm, si dhe kemi pasur një bashkëpunim të mirë me median. Komunikimi në fillim bëhej nga Ministria e Shëndetësisë e më pas ne e përçonim. Normal që nuk kemi dhënë emra pacientësh e detaje.”-tha ai.

Por gazetari Migen Sejdini, ashtu si kolegët e qyteteve të tjera, thotë se edhe Elbasani ka pasur hermetizim të informacionit, gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe përtej datës 23 qershor.

Ndërsa Mikel Llogori, drejtor i njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë tha se në çdo hap ai dhe institucioni që drejton i janë referuar ligjit për sëmundjet infektive.

“Detaje dhe emra s’kemi dhënë, por kemi dhënë çdo informacion tjetër që ligji na ka lejuar. Madje kemi pasur komunikim të përditshëm me gazetarët e qarkut të Korçës. Se cili është informacion i fshehtë për ne, nuk e vendosin gazetarët. Në lidhje me hermetizimin e informacionit, flisni me Ministrinë e Shëndetësisë pse s’është dhënë informacion, pasi është thënë gjithmonë që do të jepej informacion vetëm nga ky institucion”- pranon ai.

Kemi pasur edhe 3 orë rresht telefonata, të cilat sigurisht që kanë penguar punën tonë, madje edhe duke na bezdisur, por ama unë kam dhënë aq informacion sa ma lejon ligji gjithmonë.”– shton zyrtari i njësisë vendore Llogori.

Ledjona Xheladinaj, e cila punon prej vitesh gazetare në Korçë, shpjegon se gjatë punës së përditshme në terren është përballur jo rrallë me mungesën totale të informacionit.

“I kemi bërë kërkesa pothuajse çdo ditë edhe spitalit, edhe DPSH-së, por zero informacion. Të cunguar në maksimum. Madje kur kemi nxjerrë informacion dhe kemi thënë burime zyrtare, kanë reaguar ashpër, për shkak të presionit që të mos japin asnjë të dhënë në media. Informacionet i kemi nga burimet tona të besueshme, se të jetë për këta drejtuesit e institucioneve s’do bënim lajme fare ne”- tregon ajo, ndërsa thekson se situata vijon e tillë edhe aktualisht.

Kujtim Llapi, drejtor i njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë, i pyetur për “Faktoje”, tha se gazetarëve i është dhënë informacioni i kërkuar.

Nuk besoj se ka ndonjë gazetar në Vlorë që të flasë për hermetizim informacioni, pasi ne kemi bashkëpunuar gjerësisht, sepse edhe interesi ynë ka qenë informimi i publikut. Megjithatë ka pasur raste që gazetarët kanë pyetur mbi detaje që ne nuk mund t’i nxirrnim pa ardhur njoftimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë”-tregon ai.

Një nga informacionet që kërkonim, pasi redaksitë tona i kërkonin, ishin zonat ku personat rezultonin pozitivë më Covid-19. Disa herë ky informacion është dhënë, por ka pasur raste që nuk jepej si në disa fasoneri, me qëllim për të ruajtur më shumë biznesin, sesa individët, siç mund të pretendojnë drejtorët. Po ashtu, informacion kemi kërkuar dhe për rastet në institucione, po më shumë këtë lloj informacioni e kemi marrë në rrugë konfidenciale sesa zyrtare. Por, konkluzioni është se asnjëri nuk kishte informacion të plotë, por të cunguar dhe kjo për shkak të mungesë së informacionit zyrtar”- shprehet një nga gazetarët e Vlorës, i cili punon për një media vizive informative.

Për drejtuesen e institucionit të Kujdesit Shëndetësor në Durrës, Aurora Hyka, përgjigjet janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë për secilën prej kërkesave të gazetarëve në vend.

“Po ka pasur raste dhe janë adresuar. Edhe sot kemi pasur një komunikim me gazetarë”- tha ajo pa pranuar të jepte hollësi të mëtejshme mbi këtë lloj komunikimi.

Gazetarë në Durrës thanë për “Faktoje” se informacionin kryesor mbi situatën nga Covid-19, e kanë marrë nga kryetari i degës së sindikatës së stafit mjekësor, Zija Alhysa.

Ky organizëm, sipas tyre denoncoi fillimisht mungesën e stafit pranë kujdesit shëndetësor për shkak të infektimit të një punonjësi, ndërkohë që të gjithë të tjerët ishin karantinuar, pa iu nënshtruar testit me tamponë. Po sipas gazetarëve është denoncuar mungesa e tamponëve, ndërsa sipas këtij raportimi Ministria e Shëndetësisë u kishte vënë në dispozicion vetëm 30-40% të nevojave që kishin për të kryer testime.

Informacionet e tjera nga Kujdesi Shëndetësor Durrës kanë dalë me pikatore. Madje, ne kemi pasur viktimën e parë nga Covid-19, e cila vdiq në spitalin e Durrësit, duke mos u dërguar në Infektiv. Ditën që ajo do të dërgohej, pati komplikacione dhe ndërroi jetë. Informacioni mbi këtë çështje ka qenë aq i cunguar, sa asnjëherë nuk u vërtetua nëse ajo vdiq rrugës për në Tiranë dhe më pas u kthye sërish në Durrës, apo vdiq pasi u kthye në Durrës. Që nga ajo ditë dhe deri pas përfundimit të gjendjes së emergjencës shëndetësore, ky institucion ka qenë shumë i rezervuar në dhënien e informacioneve”- shprehen disa gazetarë të Durrësit që nuk pranojnë të identifikohen.

Ne kontaktuam gjithashtu me Komisionerin për të Drejtën e Informimit, nëpërmjet një kërkese për informacion. Në këtë institucion gjatë periudhës 11 mars -23 qershor 2020 janë depozituar 72 kërkesa në total, ku 9 prej tyre janë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe 4 për spitalet e kryeqytetit, konkretisht, 2 për Spitalin e Traumës, dhe nga 1 ankesë për Spitalin “Shefqet Ndroqi” e QSUT-në.

Por Zyra e Komisionerit thekson në përgjigjen e saj se asnjë nga këto ankesa nuk kanë qenë ankesa kundrejt kërkesave për informacion për çështje lidhur me Covid 19.

Zyra e Komisionerit ka pranuar të gjitha ankesat e paraqitura nga gazetarët dhe media, prej të cilave 42 prej tyre janë përmbushur gjatë periudhës së shqyrtimit të ankesës ndërsa për 3 prej tyre, Zyra e Komisionerit ka dalë me vendim Urdhërimi. Ndërkohë nuk ka përfunduar ende shqyrtimi administrativ për 27 ankesa të tjera”, thuhet në përgjigjen e Komisionerit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img