.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëCoppin University i përgjigjet Faktojes për diplomën e Belind Këlliçit

Coppin University i përgjigjet Faktojes për diplomën e Belind Këlliçit

Një lajm i shpërndarë si investigim nga një media pro qeveritare, dhe më pas e shpërndarë “copy-paste” në media të tjera pretendon se Belind Këlliçi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, ka mashtruar shtetin amerikan. Si argument jepej se Këlliçi ka nisur studimet universitare pa pasur një diplomë të shkollës së mesme. Faktoje verifikoi se ky lajm është i pavartetë, pasi mori edhe reagimin zyrtar nga Coppin University në Maryland, ku ka studiuar Këlliçi.

Jona Plumbi

“A ka diplomë të shkollës së mesme Belind Këlliçi dhe a e ka mashtruar ai shtetin amerikan të Maryland, për t’u regjistruar në ‘Coppin University’, e më pas, edhe shtetin shqiptar për të kryer njësimin e diplomës?”

Kështu e nis artikullin investigues shqiptarja.com, që në mesin e fushatës elektorale publikoi katër artikuj që i quan investigues, me pretendimin se kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka mashtruar universitetin amerikan Coppin në Maryland, pasi ai nuk kishte marrë diplomë nga shkolla e mesme Harry Fultz.

Artikulli në fjalë pretendon se ka dokumentuar këtë shkelje, duke sjellë për publikun një letër të shkollës së mesme ku Këlliçi ka kryer studimet.

Siç na u konfirmua zyrtarisht edhe nga Instituti “Harry Fultz”, edhe nga Ministria e Arsimit, Këlliçi nuk rezulton të ketë diplomë të shkollës së mesme, e për rrjedhojë nuk ka si të kryhet njësimi i diplomës universitare.” –  shkruan artikulli i shqiptarja.com

Si provë për këtë pretendim, publikut i ofrohet dokumenti ku shkolla Harry Fulltz është përgjigjur, por pamja e përgjigjes nuk ofrohet e plotë.

*përgjigja e shkollës Harry Fultz e publikuar gna shqiptarja.com në artikull

Faktoje siguroi një kopje të përgjigjes së ardhur nga shkolla ku Belind Këlliçi ka kryer studimet parauniversitare.

Në përgjigjen e plotë, të cilën shqiptarja.com e ka mbuluar qëllimisht, shkolla i është përgjigjur interesimit të përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste, Plarent Ndreca ku thuhet se Belind Këlliçi, në përfundim të klasës së 12-të, në përgjigje të kërkesës së tij për studime të mëtejshme në SHBA, u pajis nga shkolla me disa dokumenta të cilat listohen në përgjigje.

*letra e plotë e shkollës Harry Fultz për shkollimin e Belind Këlliçit

Letra vijon duke sqaruar se kjo është një praktikë normale e kësaj shkolle.

Kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar të periudhës 1997-2005, të cilët pas 12 viteve shkollim në Shqipëri kanë ndjekur studimet e mëtejshme në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën Çeke, për motivin e pajtueshmërisë kurrikulare dhe të krediteve përkatëse”. – sqarohet në përgjigjen e shkollës Harry Fultz.

Por kjo pjesë e përgjigjes është mbuluar nga media, që e ka publikuar informacionin e shtrembëruar për kandidatin për zgjedhjet vendore. Sipas artikullit në fjalë, arsyeja e regjistrimit të Këlliçit në Coppin University në vitin 2005, është sepse vëllai i tij punonte në zyrën e pranimeve të studentit.

Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes së tij, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme.” – vijon artikulli.

Në fakt, këto dyshime janë lehtësisht të verifikueshme. Mjafton të interesohesh pranë universitetit Coppin në Maryland për të kërkuar informacion mbi ish-studentin e tyre.

Faktoje bëri pikërisht këtë.

Në përgjigjen e tij, Universiteti Coppin në Maryland informoi Faktoje-n për procedurat që ky universitet ka për regjistrimin e studentëve që ndjekin procesin, siç ka vepruar edhe Belind Këlliçi.

Dokumenti udhërrëfyes i universitetit liston “rregullat për pranimin e studentëve të huaj”.

Sipas këtij udhërrëfyesi një student i huaj që aplikon për t’u pranuar në Coppin University për studimet bachelor, duhet të dorëzojë aplikimin me disa dokumenta, ndër të cilat:

  1. Të dhënat akademike zyrtare të noterizuara të shkollës së mesme që tregojnë notat e marra, fletët vjetore të notave, certifikatat e provimit dhe certifikatat e përfundimit siç zbatohen për sistemin arsimor në vendin e origjinës së studentit. Të dhënat duhet të merren për secilin nga katër vitet e fundit të shkollës së mesme ose pikët e nivelit të avancuar.

Letra e shkollës Harry Fulltz ka sqaruar se e ka pajisur Belind Këlliçin me raportin shkollor me rezultatet përkatëse për katër vite, skeletin e kurikulës për vitet 2001-2005 dhe programet mësimore të detajuara për çdo lëndë si dhe vërtetimin për zhvillimin e programit mësimor në gjuhën angleze.

Informacionet e dhëna nga universiteti Coppin në Maryland dhe shkolla Harry Fultz në Tiranë tregojnë shumë qartë procedurën e përdorur për pranimin e studentit Belind Këlliçi në programin bachelor.

Në përgjigjen drejtuar Faktojes, Universiteti Coppin ka informuar edhe për studimet që Këlliçi ka përfunduar në këtë universitet.


Sipas të dhënave tona, Belind Këlliçi hyri në Universitetin Coppin në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe u diplomua në nivelin Bachelor për Shkenca Menaxhimi në dhjetor 2008. Ai u diplomua me vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude”, që merret nga studentët që fitojnë të paktën 48 orë kredite në universitet dhe një mesatare kumulative të notave midis 3.75 dhe 4 në të gjitha lëndët universitare.”

— Universiteti Coppin në Maryland SHBA, 2 Maj 2023

Edhe pse vërtetimi i këtij pretendimi të ngritur ishte lehtësisht i verifikueshëm, medias që e nisi këtë “hetim” iu deshën, jo një, as dy apo tre, por  katër artikuj dhe përsëri nuk i dha përgjigje pyetjeve që ngriti vetë. Kjo mungesë verifikimi nuk ndaloi mediat e tjera online që të përhapin keqinformimin e shqiptarja.com Të paktën 99 herë është publikuar në rrjetin social facebook titulli “Belind Këlliçi nuk ka diplomë”.

*shpërndarja e lajmit keqinformues në median online, marrë nga motorri i kërkimit të Facebook, CrowdTangle

Në asnjë nga këto artikuj, media nuk është interesuar të marrë informacion nga vetë Universiteti që pretendohet se është mashtruar. Pas daljes së këtyre artikujve, Partia Socialiste e përdori këtë tezë keqinformuese të mungesës së diplomës, për reklamë negative të cilën e sponsorizoi si spot në mediat online.

Nisur nga përgjigjja publike e shkollës Harry Fultz në Tiranë, dhe përgjigjes se Universitetit Coppin në Maryland, Faktoje e kategorizon si të pavërtetë lajmin dhe dizinformues lajmin në fjalë.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img