Astrofizikanti Willie Soon pretendon se shqetësimi ambjentalist rreth rritjes së emetimeve të dioksidit të karbonit në atmosferë është i pakuptimtë sepse CO2 është i domosdoëshëm për bimësinë në planet. “Faktoje” shpjegon se përse CO2 luan rol kyç në ngrohjen e planetit, fenomen i cili, nga ana tjetër, kufizon avantazhet që dioksidi i karbonit jep në rritjen e bimëve.

——————————————————–

Një intervistë e astrofizikantit malajzian Willie Soon, po qarkullon në rrjete sociale si përgënjeshtrim i agjendës ambjentaliste kundër dioksidit të karbonit.

Në video, Soon thotë:

Një nga gjërat themelore që ata refuzojnë të pranojnë, që unë e di që ti e di edhe nga shkenca e arsimit bazë, dioksidi i karbonit (CO2) është gazi i jetës. Kur ke më shumë CO2, mbretëria e bimëve, e githë ekologjia, madje edhe oqeanet do kenë më shumë, praktikisht, aftësi, më shumë peshq, më shumë çdo gjë. Më shumë jetë. Në thelb. Prandaj quhet gazi i jetës dhe këta njerëz duan ta demonizojnë atë si ndonjë gaz që mund të shkaktojë ngrohjen globale, mund të bëjë uraganët të ecin më shpejt apo më butë. Nuk e di se çfarë duan. Të kenë më shumë shi, më shumë thatësira dhe gjithë këto gjepurat e tjera që ata pretendojnë. 

Klipi i mësipërm është shkëputur nga një intervistë më e gjatë e drejtuar nga komentatori konservator amerikan Tucker Carlson, ngarkuar në kanalin e Youtube të Carlson më 9 janar 2024.

Në thelb, Willie Soon, i cili mohon se Toka po ngrohet si pasojë e veprimtarisë njerëzore që në 2003, po shtron argumentin se fushata ambjentaliste kundër dioksidit të karbonit është e pakuptimtë, sepse dioksidi i karbonit është një gaz i domosdoshëm për jetën dhe një element i rëndësishëm në ciklin e jetës në planet.

Organizata Greenpeace zbuloi se, gjatë viteve 2001-2012, Soon kishte marrë mbi një milionë dollarë financime nga kompanitë e naftës dhe qymyrit, aktiviteti i të cilave kontribuon gjerësisht në lëshimet e dioksidit të karbonit në atmosferë.

Më tej, grupi monitorues Climate Investigations Center zbuloi në 2015 se Soon nuk e kishte pranuar këtë konflikt interesi në 11 punime shkencore që vinin në dyshim ekzistencën e ndryshimit klimaterik të shkaktuar nga njeriu, të cilat ai kishte publikuar në 2008-2015.

Sa i përket argumentit të Soon, siç Faktoje ka shpjeguar më parë, shkencëtarët dhe ambjentalistët nuk ‘luftojnë’ emetimet e dioksidit të karbonit sepse ai është i dëmshëm apo i panevojshëm për gjallesat në mënyrë direkte. 

Është e vërtetë që bimët përdorin CO2 për të prodhuar karbohidrate dhe oksigjen me anë të fotosintezës. Deri diku, rritja e niveleve të CO2 në atmosferë mund të stimulojë rritjen e bimëve. Por, sasia e CO2 e përthithur nga bimët nuk është e mjaftueshme për të kompensuar emetimet e tepërta të CO2 të prodhuara nga njerëzimi.

Dioksidi i karbonit kontribuonefektin serrë, i cili ka rol madhor në ngrohjen e globit. Disa gazra, si dioksidi i karbonit, lejojnë nxehtësinë e diellit të kalojë dhe të ngrohë sipërfaqen e planetit, por ndalojnë një pjesë të kësaj nxehtësie të kthehet përsëri në hapësire, siç ilustrohet në këtë imazh.

Emetimi i tepërt i këtyre gazrave nga njerëzimi, që ka nisur me përdorimin në masë të hidrokarbureve në Revolucionin Industrial, ka bërë që gjithmonë e më shumë nxehtësi të kapet nga këto gazra, gjë që shkakton ngrohjen globale. Që nga fillimi i Revolucionit Industrial (1750), dioksidi i karbonit në atmosferë është rritur me 45%. Aktivitetet njerëzore çlirojnë rreth 100 milionë tonë CO2 në ditë.

Ngrohja globale ka pasoja serioze për ambjentin, duke përfshirë përmbytje, shira të furishëm, dhe thatësira ekstreme. Këto ndryshime drastike në ambjent dhe klimë, krahas shpyllëzimit, gjymtojnë kapacitetet e rritjes së bimëve, e, si rrjedhojë, kapacitetet e tyre për të përthithur dioksidin e karbonit nga atmosfera. 

Faktorë të tjerë si uji i pastër, drita, dhe lënda ushqyese duhet të jenë të mjaftueshme në proporcion me CO2, në mënyrë që të ketë rritje të bimëve. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se rritja e niveleve të dioksidit të karbonit në atmosferë nuk korrespondon me një rritje proporcionale në bimësi, pikërisht sepse mungojnë faktorët e mësipërm.