ANILA HOXHA
Mbyllja e kufijve, si masë kundër përhapjes së pandemisë, u kthye në rrugëtim të mundimshëm e të kushtueshëm për shqiptarët që donin të ktheheshin në vendin e origjinës. Disa prej tyre, që u gjobitën në kufirin grek me shuma deri në 1800 euro, ende nuk janë “amnistuar” siç premtoi kryeministri. Për të tjerë shqiptarë në vendet e BE që u nevojitej kthimi i shpejtë, komunikimi me institucionet vendase ishte mision i pamundur, edhe pse MEPJ njoftoi vendosjen e 10 numrave telefoni për të përballuar fluksin e telefonatave. Edhe sot ministritë e pyetura për “Faktoje” flasin për mbi 10 mijë të riatdhesuar, por nuk kanë shifra për “hallexhinjtë” që kërkonin përgjigje përmes telefonit.
Në pritje për t’u bërë nënë dhe përpara se në vendin tonë të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, Arbiola Abazi udhëtoi drejt Greqisë për të qëndruar me bashkëshortin, një emigrant i rregullt prej vitesh në këtë shtet. Në ishullin Chios, gjatë muajit shkurt, ajo lindi vajzën. Por teksa bëhej gati për t’u kthyer në Burrel, nëna e re u bllokua nga mbyllja e kufijve për shkak të pademisë dhe si shumë të tjerë u gjend në vështirësi për të udhëtuar drejt vendit të origjinës.
Problemet e 21-vjecares nisën me gjobitjen në pikën kufitare Greqi-Shqipëri, pak metra larg vendit të saj. Edhe pse kryeministri Rama, përmes profilit të tij në rrjetet sociale i kishte qetësuar shtetasit shqiptarë se nuk do lejonte ndëshkimet, Arbiola hyri në kufirin shqiptar me fëmijën në një krah dhe në dorën tjetër me një gjobë të vlerës 1800 euro.
Gjoba që mori Arbiola Abazi
“Qëndrimi tremujor më skadoi më 27 mars. Mbeta në Chios, derisa u hapën kufijtë. Ndonëse u njoftua lëvizja e lirë, bashkëshorti banonte në ishull dhe sërish ishte e vështirë për t’u kthyer, pasi nuk kishte mjete transporti.”- pohon Arbjola për “Faktoje”.
“Më datën 26 qershor hyra në Shqipëri nga Kakavija dhe pala greke më preu gjobën 1800 euro. Fillimisht kontaktova në numrin pa pagesë 0800… të vendosur në dispozicion për faljen e gjobave, por aty nuk na u përgjigj askush. Në kontaktet private që patëm me Policinë Shqiptare, u informuam se duhet t’i drejtoheshim Ministrisë së Jashtme dhe këta na drejtuan tek Ambasada Greke, pasi gjoba ishte e prerë nga pala greke. Por edhe kjo e fundit na adresoi tek dogana greke, me pretendimin se nuk kanë lidhje me këtë procedurë”-rrëfen ajo.
Me një fletë gjobe që mund t’i hapë probleme kur të ribashkohet me të shoqin, Arbjola shton se nuk ka gjetur ende zgjidhje. Në datën 20 maj 2020, u njoftua se ishte arritur një marrëveshje dypalëshe mes dy shteteve për qytetarët që kishin mbetur të bllokuar dhe për pasojë gjendeshin në pamundësi për t’u kthyer në vendet e origjinës. Ndonëse 21-vjeçarja duhet të përfitonte nga kjo marrëveshje, pasi për shkaqe të pavarura prej saj nuk mundi të kthehej brenda tre muajve në atdhe, gjoba ndaj saj vazhdon të jetë në fuqi.
Por ndërkohë kryeministri njoftoi qytetarët e gjobitur, që disponojnë dokumentin e pagesës së gjobës nga autoritetet greke, se duhet të aplikojnë për rimbursim në website-n www.tatime.gov.al
“Ndonëse aty shpjegohen hapat që duhet të hedh, vazhdoj të jem e paqartë dhe e pasqaruar, pasi kam një fletë gjobe të prerë, por të papaguar. Aty përfshihen vetëm ata që e kanë paguar në rast se ka ndodhur diçka e tillë!”-replikon e reja.
Enea Xhafa u gjobit në Kakavijë për të njëjtën shkelje. Nga pandemia e Covid-19, ai u bllokua në Volos dhe më pas për t’u rimbursuar aplikoi sipas njoftimeve publike pranë Drejtorisë së Tatimeve.
“Kisha kaluar dy javë nga afati i qëndrimit në Greqi, tatimet më thanë paguaj gjobën dhe pastaj të rimbursojmë. U përgjigja nuk kam për ta paguar, nuk kam ku t’i gjej paratë. Gjoba vazhdon në fuqi!”-shpjegoi i riu për “Faktoje”.
Edhe ambasada italiane gjatë masave izoluese të Covid-19, njoftoi shtyrje të qëndrimit afatshkurtër në Itali për qytetarët që nuk mund të ktheheshin në vendin e origjinës, për shkak të rrethanave objektive të forcës madhore.
“Qëndrimi në Itali përtej afateve të lejuara nuk do të dëmtojë statusin e tyre juridik, duke patur gjithsesi parasysh detyrimin ligjor për t’u larguar menjëherë nga territori italian, sapo pengesat aktuale të largohen”- theksohej në një reagim të ambasadës italiane.
Sidoqoftë si rast ilustrues ishte ai i një 23-vjecari nga Vlora, i cili përfundoi dënimin gjatë gjendjes emergjente të pandemisë dhe në vendim përshkruhej ‘detyrimi për t’u larguar menjëherë nga territori italian’. Ky shtetas, i cili nuk pranoi të identifikohet, tregon për “Faktoje” se qëndroi tek të afërmit në Firence, derisa kërkesa e tij për t’u riatdhesuar u pranua.
Riatdhesime të vonuara
Çështja e gjobave është vetëm një nga problematikat e hapura për shtetasit shqiptarë që mbetën të bllokuar nëpër botë, menjëherë pasi kufijtë u mbyllën dhe lëvizja e lirë u pezullua. Shumë shtetas u shfaqën të kënaqur për mundësinë që iu ofrua për t’u kthyer në kohë. Ata ishin kryesisht studentë apo të sëmurë. Por shumë të tjerë pretendojnë se u sorollatën dhe se nuk u ndihmuan në kohë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës pranon për Faktoje se gjatë pandemisë u riatdhesuan 10 454 persona, ku numri më i lartë u shënua për qytetarët shqiptarë që mbetën në vendet e BE-së, kryesisht në Itali. Shifrat e vendosura në dispozicion për “Faktoje” janë si vijojnë:
Sipas qëndrimit zyrtar të kësaj ministrie, riatdhesimet gjatë pandemisë u kryen në dy faza.
Në këtë njoftim theksohet:
“Faza e parë e riatdhesimeve nisi më datë 28 mars 2020 dhe gjatë saj u riatdhesuan stundentët dhe personat më në vështirësi që u gjendën jashtë vendit në momentin e mbylljes së kufijve. Gjatë kësaj faze u riatdhesuan rreth 1000 persona sipas listave të hartuara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.”
Por pikërisht një ditë pas nisjes së fazës së parë të riatdhesimeve, kur Ministria Për Evropën dhe Punët e Jashtme vendosi në dispozicion 10 numra telefoni, për shkak të fluksit të lartë të telefonatave, qytetarët që mendonin se ishin në kushte urgjence u ankuan se nuk arritën të komunikojnë.
Brunilda Dervishi kërkoi ndihmë për prindërit, që i mbetën jashtë vendit, por sipas saj askush nuk iu përgjigj.
Ferit Nutaj thotë, i pyetur për “Faktoje”, se duhet të kthehej urgjentisht nga Spanja për në Shqipëri për shkak të përfundimit të afatit të pasaportës, por edhe nga situata e rëndë.
“Jetoj në Madrid, jam me leje qëndrimi dhe po më përfundonte pasaporta, pastaj edhe situata ishte e rëndë. Unë iu shkruaja, por nuk më përgjigjeshin”- kujton burri nga Kopliku.
Ndërsa Enis Madhi shprehet i kënaqur dhe tregon se iu përgjigjën në kohë për riatdhesimin nga Italia në Shqipëri.
Faza e dytë e riatdhesimit, e deklaruar zyrtarisht nisi më datën 18 prill me fluturime nga 7 shtete.
Fluturimet kanë shërbyer për riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë që janë larguar për periudha të shkurtra dhe që mbetën të bllokuar në vende të ndryshme të BE, Turqi etj.
Deri në datë 09.05.2020 janë riatdhesuar përmes 29 fluturimeve drejt Shqipërisë, në total 3618 qytetarë nga 9 vende origjine, (Stamboll, Romë, Milano, Bari, Frankfurt, Londër, Paris, Madrid, Zyrih).
Në total janë riatdhesuar rreth 4600 persona që prej nisjes së procesit e deri në datë 9 maj 2020. Ka patur gjithsej 15 fluturime gjatë fazës së dytë të riatdhesimeve.
Elion Marku, shrehet i pakënaqur në rrjetet sociale për burokracinë me të cilën u përball. Ai thotë për “Faktoje”:
“Aplikova në muajin prill. Isha në Kopenhagen, aplikova tek ambasada shqiptare në Danimarkë. Mbajtën shënim emrin, por nuk funksionon asgjë, nuk arrita dot asnjëherë për të prerë një biletë, sistemi i bllokuar dhe kështu u nisa me makinë.”
Pyetjes së “Faktoje” drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës se sa shkoi në total numri i kërkuesve për t’u riatdhesuar nga pandemia iu dha kjo përgjigje:
“Është thuajse e pamundur të ketë një census të mirëfilltë të shpërndarjes së shtetasve shqiptarë me qëndrim të përkohshëm jashtë Shqipërisë. Megjithatë referuar numrit të personave të riatdhesuar nga vendet e origjinës sa më sipër si dhe faktit që nga shumë vende të tjerë në Evropën Nordike, Lindjes apo nga kontinente të tjerë, është punuar me listat e dërguara nga ambasadat. Mund të themi që shtetasit që kërkuan të riatdhesohen në maxhorancë kanë siguruar mundësi riatdhesimi. Kuptohet me përjashtime për shkaqe nga më të ndryshmet, shpesh jo në dorën e institucioneve shqiptare”.
Edhe gjatë një komunikimi zyrtar me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme ishte e pamundur të flitej për shifra, se sa shtetas shqiptarë kërkuan të riatdhesohen nga pandemia, ndonëse u vu në dukje se pas mbylljes së kufijve ky institucion dhe ambasadat apo konsullatat kryen një varg shërbimesh . “Përfaqësitë diplomatike shqiptare kanë trajtuar me qindra kërkesa në ditë për tre muaj rresht në kohën e procesit të riatdhesimeve, ku përfshihen këshillime për procedurat e kthimit, asistencë për kthim dhe raste të ndryshme humanitare” -u pohua për “Faktoje” nga MEPJ. Sipas kësaj ministrie kjo asistencë megjithëse në numër më të vogël, po vijon ende.