.

.

BallinaFaktometerE vërtetëÇfarë përfitojnë 8 mijë gratë kryefamiljare që përmend kryeministri?

Çfarë përfitojnë 8 mijë gratë kryefamiljare që përmend kryeministri?

Disa muaj më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se 8 mijë gra kryefamiljare do përfitonin nga programet sociale. Faktoje verifikoi se mbështetja konsiston në njohjen si vjetërsi pune për rritjen e fëmijës dhe efekti për gratë kryefamiljare ndihet kur arrijnë moshën e pensionit. Deklarata rezulton e vërtetë në shifra, por nxjerr në pah se përtej propagandës, qeveria lipset të ndryshojë mendësinë dhe të ofrojë paketa të plota dhe konkrete për fuqizimin e grave kryefamiljare .

Në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama njoftoi se 8 mijë gra kryefamiljare me 3 apo më shumë fëmijë do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale të parashikuar në buxhetin e vitit 2024.

“Mbi 8 mijë gra kryefamiljare, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale”, shkruante në një postim në rrjetet sociale kreu i qeverisë më 19 nëntor.

Screenshot i postimit të kryeministrit Rama

Nisur nga kjo deklaratë, ne vendosëm bënë një verifikim se cilat janë përfitimet nga ky program dhe kush i plotëson kriteret.

Politika e re për mbështetjen e nënave të reja me shumë fëmijë u njoftua më 27 dhjetor 2022, nga Ogerta Manastirliu, asokohe ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila deklaroi në Kuvend se do të niste zbatimin nga janari 2023.

nëntor 2023, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur se fondi për Paketën e Mbrojtjes Sociale për vitin në vijim ishtë 19.7 miliardë lekë. Ky fond parashikonte mbështetje për Personat me Aftësi të Kufizuara, gratë kryefamiljare, dëmshpërblim për ish-të përndjekurit politikë, ndihmën ekonomike dhe bonusin e bebes. 

njoftimin e 19 nëntorit 2023, ministrja e Shëndetësisë sqaroi kriteret për katëgorinë e grave kryefamiljare që përfitonin nga kjo mbështetje:

“Gratë e papuna, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njeri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 mijë lekë bruto në muaj, të cilat janë kategori ekonomikisht joaktive, do të mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor dhe pagesa e kontributeve të tyre financohet nga buxheti i shtetit, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare”.

Edhe pse Shërbimi Social Shtetëror la pa pwrgjigje kwrkeswn zyrtare tw Faktoje mbi numrin e pwrfitueseve nga kjo nismw, ekspertja e ekonimisë Teuta Nunaj, konfirmon se numri i grave kryefamiljare pwrfituesve është 8000 mijë, aq sa ka deklaruar kryeministri.

Por nisma e propaganduar prej tij, rezulton të jetë pjesë e politikave sociale që qeveritë përgjithësisht parashikojnë për të mbështetur shtresat në nevojë, veçanërisht gratë dhe që rrjedh nga e drejta e shtetasve për mbështetje sociale.

“Për vitin 2024 parashikohet që përfituese të jenë 8,000 gra, krahasuar me 5,580 gra që ishin përfituese në vitin 2023. Mbështetja sociale konsiston në pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç” sqaron më tej Nunaj  e cila vijon më tej:

“Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të thotë se kësaj pjese të popullatës, kujdesi në familje ndaj fëmijëve, do t’u njihet edhe si vjetërsi pune kur ato do të mbushin moshën për dalje në pension. Në këtë rast, ndihmesa është e dyfishtë, derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe përfitimi i vjetërsisë në punë.:

Kumrije Zika, është kryefamiljare dhe nënë e 3 fëmijëve megjithatë nuk e përfiton mbështetjen nga programi i mbrojtjes sociale, sepse nuk plotëson 2 kritere: asnjë prej fëmijëve nuk është nën moshën  5 vjeç, dhe gruaja është në marrëdhënie pune.

“Unë kam 3 fëmijë, 17, 14 dhe 12 vjeç dhe nuk kam përfituar nga programi i mbrojtjes sociale. Unë jam edhe në punë, pasi më duhet të mbaj me të ardhura familjen”, thotë Zika, e cila edhe nëse do të plotësonte kriteret, nuk do të ndjente efekt imediat financiar apo ekonomik tani, por pasi të dalë në pension.

Mbështjetja sociale nuk arrihet me paketa gjysmake

Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj sugjeron disa opsione se si mund të ndihmohen efektivisht gratë kryefamiljare dhe ato në nevojë.

“Gratë duan mundësi jo për të mbijetuar dhe për mëshirë, por një mundësi ku ato të kenë ndikim dhe të bëjnë ndryshim. Ajo që vlen për gjithë tregun e punës vlen edhe për gratë familjare, për të cilat duhet të krijohen kushte që vijnë nga bashkëpunimi dhe përkushtimi midis qeverisë dhe sektorit privat për të mundësuar zgjedhjen e një orari pune fleksibël dhe që të ketë më shumë mundësi për të punuar nga shtëpia, aty ku proceset e punës mund të ndërthuren me këtë qasje”, sugjeron eksperti.

Zgjidhjet sipas tij mund të arrihen përmes një mendësie ndryshe nga ajo e derisotmja.

“Pas një analizimi dhe azhornimi të detajuar të tregut të punës, kërkesës dhe ofertës, qeveria së bashku me gjithë nivelet e bizneseve, duhet formatimi i paketave të plota mbështetëse dhe zhvilluese, të cilat duhet të arrijnë të përmbushin objektivat si më poshtë:

-Të dijë të prezantojë një paketë që të nxitë profesionalizimin nëpërmjet programeve të subvencionimit dhe trajnimit;

-Të nxisë stimujt fiskalë dhe ekonomikë për bizneset që të pranojnë politikat që janë si objektiva për t’u realizuar;

Të aktivizojë fonde sociale për trajtimin e fëmijëve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes për të liruar gratë nga ngarkesat e shumëfishta në kohë dhe para;

-Të krijojë një ambient informimi dhe edukimi të pandërprerë për sensibilizimin e tregut, por edhe të vetë individëve në mënyrë që të dilet nga situata e ndihmës ekonomike që orienton një frymë mëshirimi dhe të vijojë me politika zhvillimi dhe fuqizimi (sipas shëndetit dhe moshës) të grave kryefamiljare”.

Ky model, sips ekspertit lehtëson buxhetin nga ndihma sociale që janë gjysmake dhe mobilizon burime për tregun e punës, që sot më shumë se kurrë ka nevojë edhe për forca të shtuara.

Programet sociale nuk po nxisin as lindshmërinë

Një nga treguesit që rezonon me gjetjen e ekspertit për programe gjysmake të mbështetjes sociale, është rënia e numrit të lindjeve në Shqipëri. Sipas Eurostat, në vitin 2022 Shqipëria kishte treguesin më të ulët të fertilitetit për grua, duke lënë pas vetëm Spanjën dhe Maltën.

Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022 norma e fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte në 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015.

Përfundim

Nga verifikimi i Faktoje, bazuar edhe në konsultimin me ekspertët, rezulton e vërtetë në shifra e deklaruar nga kryeministri për 8000 gra kryefamiljare që përfitojnë nga programi i mbështetjes sociale. Një deklaratë që ka më shumë efektin e propagandës sesa të mbështetjes konkrete, sepse ajo rezulton të ketë efekt të vonuar në kohë duke lënë pa zgjidhje problemet jetike që nisin nga sigurimi i ushqimit dhe shërbimeve bazë.

Për të arritur këtë objektiv, eksperti sugjeron një strategji që nis me ndryshimin e mendësisë së institucioneve shtetërore dhe formatimin e paketave të plota mbështetëse për këto kategori vulnerabël të shoqërisë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img