Nga Klodiana Kapo
Pyetje të vështira në kohë të pazakontë, ku aksesi dhe informacioni që vjen nga gjigandi “Internet” është i pafund. Në morinë e këtij lumi informacioni që na serviret pa u lodhur, vështirësia për ata që duan të lodhin mendjen është jo vetëm të përzgjedhin informacionin, por kë të besojnë. Në këtë periudhë të vështirë të gjithë kemi rendur drejt ekspertëve dhe teorive që japin shpresë, sepse duam që ky makth të marrë fund. Sepse jeta nuk ka çmim.
Sot më shumë se kurrë lajmet pa fakte, duhet të marrin fund. Sepse dëmtojnë dhe mbjellin urrejtje e frikë. Në mungesë të informacioneve, me qindra njerëz nisën të përdorin receta popullore, që parandalonin virusin duke shkaktuar probleme të tjera. Por kjo ishte vetëm njëra anë. Në këtë periudhë gazetarët u përballën me mungesë informacioni dhe transparence, çka nuk e pakësoi, por e shtoi panikun dhe frikën ndaj këtij virusi.
Loja e vjetër më pyet cfarë do, përgjigjem si dua, vazhdon prej vitesh, duke e bërë gati të pamundur marrjen e informacioneve zyrtare dhe kryerjen e transparencës.
E nëse do të flasim me fakte, vetëm gjatë këtyre tre muajve gazetarët e Faktojes kanë dërguar mbi 50 kërkesa për informacion tek institucionet qëndrore të qeverisë shqiptare, por në asnjë rast nuk ka patur një përgjigje mbi informacionin e kërkuar. Në zyrat e shtypit të këtyre institucioneve janë të punësuar dhjetëra ekspertë që kanë si qëllim primar, informimin e qytetarëve, dhe jo vetem kryerjen e konferencave për mediat, ku nuk është më as mundësia për të drejtuar pyetje e për të marrë përgjigje (për shkak të masave kufizuese dhe distancimit fizik).
Studiot televizive janë kthyer në një nga burimet qëndrore të deklaratave apo premtimeve të zyrtarëve të lartë, të cilët edhe pse janë pyetur disa herë nuk kanë dhënë përgjigje të qarta për numrin e kiteve që ka Shqipëria, kush dhe kur ke të drejtë të bësh testimin, si po kryhen proceset e tenderimit për blerjen e pajisjeve mjekësore , si dhe kush i merr shtamet, sa herë duhet të testohet stafi mjekësor dhe a testohet, si kryhen proceset e tenderave apo koncensionet në këtë periudhë pandemie ku vetëm nga projeksioni zyrtar pritet që numri i të papunëve të rritet me 60 mijë persona? Si do të zbatohen planet financiare të qeverisë dhe si mund të përfitojnë qytetarët? Një mori me pyetje, të cilave iu janë dhënë përgjigje të vagullta.
E në të njëjtën kohë qeveria me një seriozitet të qëndrueshëm ka transmetuar qartë dhe thjeshtë të gjitha masat kufizuese për shmangien e përhapjes së virusit. Masa që të gjithë i kemi pranuar duke besuar fort se ky distancim social do të ulte numrin e të prekurve dhe përhapjen e virusit. Por çka na ka bërë përshtypje është gjuha e përdorur në të dy rastet nga e njëjta qeveri. Gjuha, transparenca dhe qartësia në dhënien e masave të distancimit social e fizik është e qartë si kristali.
Një koleg gazetar prej disa ditesh ngre një pyetje në profilin e tij personal: Përse familjarëve të pacientëve me COVID-19 nuk u bëhet testi? Por jo vetëm kaq! Sa herë qeveria nxjerr planin e masave financiare, mungon qartësia mbi mënyrën se si do të zbatohen këto masa. Pra mungon ai udhërrëfyesi i thjeshtë që përcakton kush do të bëjë cfarë, kur, dhe me çfarë kostoje. Ne gazetarëve, na kanë mësuar se gjuha e thjeshtë është ajo që tregon jo vetëm qartësi, por edhe vërtetësi.
Në Institutin e Shëndetit Publik investimet prej 3 dekadash kanë qenë me pikatore, po ashtu edhe numri i specialistëve. Një institucion që ka detyrë themelore t’i shërbejë qytetarëve në informim me transparencë. Por nuk po ndodh? Ekspertët e këtij institucioni po bëjnë me të mirën e tyre, në kushte shumë të vështira, pasi vetëm sot ju, “politika e djeshme dhe e sotme”, u kujtuat për ta. E në fakt ata kanë rol kyç për ne qytetarët. Ata duhet të jenë rojtarët e shëndetit dhe të mjedisit. Ata duhet të na informojnë për cilësinë e ajrit, ujit, kimikateve, ndotjes në tokë e në ushqime, të rrezatimeve, ata merren me shëndetin e fëmijëve, me cilësitë e kriteret që duhet të kenë shkollat që fëmijët të zhvillojnë të gjitha aftësitë e tyre… Në fakt ky institucion i harruar e i pluhurosur duhet të ishte një qendër kërkimi, me investime e pavarësi maksimale. Pavarësi sepse makutëria ka përlare çdo gjë.
Na duhet transparencë nga ju zyrtarë që prej 3 dekadash keni vënë në krye të platformave tuaja elektorale arsimin, shëndetesinë dhe bujqësinë.
Janë me milliona euro investime, që sot nuk po ua shohim frytet. Sot kemi frikë se një e keqe e madhe na çon drejt kolapsit të menjëhershëm.
Ndaj Faktoje, ky medium i vogël është syhapur për të verifikuar me fakte ato deklarata, premtime që ti i dashur zyrtar ke bërë e që ne vërtëtë shpresojmë t’i mbash.