.

.

BallinaAktualitetÇertifikata shqiptare e vaksinës Pfizer dhe Astra Zeneca njihet edhe nga shërbimet publike në shtetet e BE

Çertifikata shqiptare e vaksinës Pfizer dhe Astra Zeneca njihet edhe nga shërbimet publike në shtetet e BE

Qytetarë shqiptarë të pajisur me certifikatën nga e-albania, që vërteton vaksinimin me Pfizer BionTech dhe Astra Zeneca, konfirmojnë se ajo njihet në kufijtë e BE. Një i ri nga Shqipëria, i vaksinuar plotësisht me Pfizer, udhëtoi këto ditë drejt Francës dhe konfirmoi për Faktoje, se dokumenti njihet në kufi pas skanimit të bar kodit. Ai madje përfiton edhe shërbime të tilla si në bare dhe restorante, të cilat i ofrohen vetëm atyre që janë të pajisur me një çertifikatë vaksinimi me vaksinat e njohura nga EMA dhe FDA. Për vaksinat e tjera që bëjnë pjesë në listën emergjente të OBSH, si Covishield, Coronavac apo Sputnik V, ende nuk ka një pranim të unifikuar nga vendet e BE.

Certifikata e vaksinimit e BE-së, që hyri në fuqi zyrtarisht në 1 korrik është një dokument, i cili supozohet se lehtëson udhëtimet brenda BE. Por, atë mund ta marrin vetëm njerëz që janë imunizuar me një nga katër vaksinat e miratuara për përdorim në BE.

Së fundmi BE konfirmoi edhe njohjen e certifikatës shqiptare të vaksinimit, por sigurisht vetëm për vaksinat e kompanive Pfizer/Biontech, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson & Johnson.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca vlerësoi vendimin e Komisionit Europian, duke reaguar nëpërmjet një postimi në Twitter.

“BE vendosi se certifikatat për Covid-19 të lëshuara nga Shqipëria janë të barabarta me ato që lëshohen në vendet e Bashkimit Europian. Tashmë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të udhëtojnë më lirisht në BE falë vendimit të sotëm. Vaksinimi është kyç për të mbrojtur popullsinë dhe për të ndalur përhapjen e virusit”, shkroi ambasadori.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi si një superlajm.

“Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Europë me pashaportën digjitale të vaksinimit. BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembulll kuptimplotë të progresit tonë digjital, për të gjithë ata që dëshirojnë t’u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka”, shkruan Rama në Facebook.

Si procedohet me certifikatën shqiptare të vaksinimit?

 

Faktoje bisedoi me një 27-vjeçar, i cili ka udhëtuar së fundmi, në rrugë tokësore drejt Europës. I vaksinuari me të dyja dozat Pfizer në Shqipëri, tregon se në shtete si Belgjika dhe Franca i është njohur certifikata dixhitale e vaksinimit.

“Në rrugë tokësore nuk ma kërkuan testin PCR. Mjafton të ishe i pajisur me certifikatën e vaksinimit dhe sigurisht të mbaje maskën”- tregon ai për Faktoje.

Veç kësaj, ai sqaron se fakti që ishte i vaksinuar dhe kishte një certificate vaksinimi, i mundësonte që të përfitonte edhe nga shërbimet publike.

“Në Francë përshembull, nuk mund të merrje kafe nëse nuk paraqisje certifikatën e vaksinimit. Unë e kisha dhe më ofrohej shërbimi. Gjithashtu maska ishte e domosdoshme”-shton më tej i riu.

Në lidhje me njohjen e certifikatës së vaksinimit, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmuan për Faktoje:

“Kudo që të jesh në Europë skanon kodin, sepse është bërë unifikimi i sistemit. Pra nëse duhet në një bar, në një vend publik, në një pikë kufitare, ata skanojnë kodin”.

Por, çfarë do të ndodhë me shqiptarët e vaksinuar me Coronavac, Sputnik V dhe Covishield, pasi këto vaksina nuk njihen në të gjitha vendet e Europës, edhe pse janë rekomanduar nga OBSH-ja për përdorim emergjent?

Shtete të ndryshme njohin lloje të caktuara të vaksinave, duke e bërë të vështirë udhëtimin e lirë për shqiptarët që kanë marrë këto tre lloj vaksinash dhe në shumë raste ata duhet të paraqesin testin PCR ose tampon.

Po vaksinat Covishield?

Pas publikimit të shkrimit të Faktoje në lidhje me mungesën e transparencës nga Ministria e Shëndetësisë për futjen e 50 mijë dozave të vaksinës indiane Covishield, është hapur një debat i madh në vend. Pse Ministria nuk bëri publik faktin që në Shqipëri ishte futur dhe injektuar vaksina indiane?

Nga një kërkim që Faktoje bëri, rezulton se Covishield nuk është autorizuar nga EMA dhe FDA, edhe pse pretendohet se është një variant i ngjashëm i vaksinës AstraZeneca.

Sipas një artikulli të publikuar në “schengenvisainfo news”, Covishield është një ndër tre vaksinat më të njohura në vendet e BE-së, pas atyre që njihen zyrtarisht nga organizmat e autorizuar.

Vaksina Covishield e prodhuar në Indi njihet në 18 vende: Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Irlandë, Letoni, Holandë, Rumani, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër.

Investigimi i bërë nga Faktoje u diskutua edhe në studion e “Abc News”, ku shefja e programit të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj  u shpreh se bëhet fjalë për 50 mijë doza dhuratë të qeverisë indiane, duke rikonfirmuar atë çfarë Faktoje kishte mësuar edhe nga përfaqësitë e huaja në Shqipëri.

Nelaj garantoi efikasitetin e kësaj vaksine duke shpjeguar se është e njëjta patentë si “AstraZeneca”, por vetëm emërtimet janë të ndryshme.

“Në vetvete ‘AstraZeneca’ dhe ‘Covishield’, është e njëjta gjë. Thjesht qarkullon me dy emërtime, në Indi është emri ‘Covishield’, por patenta është e ‘AstraZeneca-s’. Njihet nga Europa, por ‘Covishield’, nuk ka aplikuar në Europë. Si me Sputnik dhe Coronavc, që nuk kanë tendencën për të qarkulluar në Europë.

Ne kemi 25 mijë individë që kanë marrë Covishield, sepse janë identike, thjesht emërtimet janë për efekt të prodhuesve. Është njëlloj, por për EMA-n ndoshta nuk është njëlloj. Për efikasitet është shumë e mirë, por EMA nuk e njeh”-theksoi Nelaj.

Më 14 shtator, Faktoje bëri një verifikim në terren ku konfirmoi se vaksina Covishield ishte injektuar në disa pika vaksinimi, të paktën në Tiranë. Disa vaksinatorë dhe mjekë në Sheshin “Skënderbej”, “Air Albania” dhe Poliklinikën 9 pranuan se kishin injektuar këtë vaksinë që në pranverë, edhe pse Ministria e Shëndetësisë, nuk kishte publikuar ndonjë informacion për praninë e kësaj vaksine.

Për herë të parë, emri i vaksinës Covishield u raportua në shtator për Faktoje nga Ministria e Shëndetësisë, pas një kërkese për informacion.

 

 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img