INA ALLKANJARI

Ende pa nisur zyrtarisht shkolla, transporti urban, i cili para pandemisë llogaritej të qarkullonte mbi 200 mijë pasagjerë në ditë, mbetet një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve në Tiranë. Pas deklaratës së kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për heqjen e licensës së kompanisë që menaxhon linjën e Unazës, Faktoje verifikoi në terren se çfarë ka ndryshuar në shërbimin e kësaj linje. Qytetarët raportojnë rritje të frekuencës së lëvizjes së autobusëve gjatë këtyre ditëve të fundit. Ajo çfarë nuk ka ndryshuar është mosrespektimi i masave anti-covid nga qytetarët, të cilët ankohen ndërkohë për mungesë të higjienës në autobusë.

 —————————-

Menjëherë pas njoftimit nga kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për heqjen e licensës së kompanisë që menaxhonte linjën e autobusëve të Unazës, shërbimi i transportit urban duket se ka shpeshtuar lëvizjen, por jo respektimin e masave anticovid dhe higjienën.

Faktoje bëri një verifikim në terren gjatë orëve të mëngjesit duke përshkuar stacionet që ndjek linja e Unazës, konkretisht internerarin nga rruga e Elbasanit deri tek stacioni i Medresesë. Ajo çfarë bie në sy është rritja e frekuencës së lëvizjes së autobusëve të unazës, e konfirmuar kjo edhe nga qytetarët.

54-vjeçari me inicialet N.M. thotë se gjatë ditëve të fundit, autobusët e Unazës nuk kishin pasur vonesa dhe ai vetë ka pritur jo më shumë se 4-5 minuta.

Pritjet e gjata nderi në 30 minuta në stacion, për shkak të vonesës së autobusëve të linjës kanë qenë një ndër shqetësimet kryesore.  Por me vendosjen në qarkullim nga bashkia përgjatë muajit gusht të 19 autobusëve “Go Green”, që përshkrojnë linjën e madhe unazore prej 13.2 kilometrash me 66 stacione, situata duket sikur ka ndryshuar, sipas N.M.

Foto stacioni i linjës së Unazës rruga e Elbasanit, 14 shtator 2021

“Unë e përdor shpesh autobusin e Unazës, prej shumë vitesh tashmë. Unaza muajt e fundit ka pasur shumë vonesa, prej disa ditësh mund të them që është rregulluar pasi ka ardhur autobusi Green Line që bën të njëjtën linjë si Unaza dhe është lehtësuar paksa. Muajin e kaluar më ka ndodhur shumë herë që ta pres unazën për gjysmë ore, aq shumë vonohej.” – thotë për Faktojen 54-vjeçari

Sikur të mos mjaftonin vonesat e gjata në stacione, ajo që vijon të mbetet e pandryshuar sipas qytetarëve, janë ndalesat e autobusit me minuta të tëra edhe pa shpjegim nëpër stacione. Aq sa sipas qytetarëvë kjo ka sjellë irritim deri në konflikt verbal mes tyre dhe shoferit.

“Normalisht unë e përdor shpesh unazën për të shkuar nga rruga e Elbasanit te stacioni i trenit dhe shpesh mërzitemi, sepse përpos vonesës që i presim, qëndrojnë shumë gjatë te stacioni tek QSUT. Para disa ditësh pritëm rreth 30 minuta të vinte autobusi dhe një zonjë debatoi ashpër me faturinon, sepse nxitonte pwr nw punw  dhe kishte frikë se do i hiqnin ditën e punës po të shkonte me vonesë. Këto nuk duan t’ia dinë se ne kemi punë, kemi angazhime, nuk mund të rrimë në stacion kot.” – shprehet e revoltuar 65-vjeçarja me iniciale M.S.

Foto autobusi i linjës së Unazës, 14 shtator 2021

Ajo që mbetet më shqetësuese sot, është higjiena e autobusëve dhe mos-respektimi i masave anti-Covid.

Në vendimin e tij, të bërë publik të hënën , kryebashkiaku Veliaj lajmëroi se heqja e licensës vjen pas verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së verës dhe abuzimeve të denoncuara nga përdoruesit e linjës, pikërisht për abuzim me masat anti-Covid.

“Kam vendosur që këtë javë t’i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës për një sjellje absolutisht të papërgjegjshme, për abuzim gjatë gjithë kohës së Covidit me justifikimet për të kryer shërbimin” – tha kryebashkiaku.

Për qytetarët, në këtë drejtim jo vetëm që nuk ka përmirësim, por sipas tyre, situata po përkeqësohet çdo ditë, aq sa ata janë të detyruar të udhëtojnë me frikën se një ditë do të marrin ndonjë sëmundje.

“Autobusët janë shumë të pisët kemi frikë të ulemi mos marrim ndonjë sëmundje, kanë erë shumë të keqe. Unë jam 65 vjeçe nuk mund të lëviz në këmbë, jam e detyruar të marr autobusin, por kushtet janë skandaloze. Dy gjëra që mua më bëjnë shumë përshtypje dhe që duhen ndryshuar është vonesa dhe fakti që autobusët janë shumë të papastër. Unë kam 40 vite që jetoj në Tiranë dhe kjo puna e transportit sa vjen dhe bëhet më keq, më të pisët janë sot autobusët me kushte të tmerrshme.” thotë M.S. për Faktoje.

Ndërsa punonjësit e linjës, fajësojnë pasagjerët si të papërgjegjshëm.

“Edhe pse është kohë virusi, jo të gjithë i mbajnë maskat. Ka pasur raste që u kemi kërkuar që t’i vendosin dhe nuk pranojnë, thonë që janë të vaksinuar dhe nuk kanë pse t’i mbajnë maskat. Ka pasur raste që kanë ardhur kontrolle nga bashkia për këtë gjë dhe i kanë vendosur gjoba njerëzve.” – thotë një nga shoferët e linjës së Unazës, që nuk pranoi të identifikohej.

Foto autobusi i linjës së Unazës, 14 shtator 2021

Kjo situatë problematike me shërbimin urban në Tiranë, prej kohësh është raportuar nga Faktoje gjatë monitorimit në terren, duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se rregullat anti-Covid po neglizhohen në masë, dhe se kushtet janë po aq problematike sa edhe më parë.

Vendimi i Bashkisë Tiranë për heqjen e licensës për kompaninë që menaxhon linjën e Unazës, vjen pas verifikimit 3 mujor të realizuar nga bashkia për riorganizimin dhe ristrukturimin e transportit urban.

Në fund të muajit maj, Bashkia Tiranë njoftoi se kishte planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve lidhur me cilësinë e shërbimit në linjat e transportit publik.

Madje me argumentin e përmirësimit të shërbimit urban në kryeqytet, Bashkia Tiranë vendosi në maj heqjen e aboneve të përgjithshme, duke penalizuar rreth 50 mijë qytetarë, përdorues të saj.

Në fillim të shtatorit, Faktoje pyeti bashkinë se cilat ishin gjetjet e studimit, në përfundim të periudhës tremujore dhe cilat ishin linjat problematike të transportit urban në Tiranë, por nuk kemi marrë përgjigje nga ky institucion.

Pas vendimit të marrë për heqjen e licensës për linjën e autobusëve të Unazës, në 14 shtator 2021 Faktoje i drejtoi kërkesë për informacion Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në lidhje me gjetjet e konstatuara për linjën e Unazës veçanërisht dhe çfarë do të ndodhë me linjat e tjera, për të cilat po ashtu ka ankesa të vazhdueshme të qytetarëve.

Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesë për Informacion drejtuar Agjensisë për mbrojtjen e Konsumatorit, 14 shtator 2021

Aktualisht në Tiranë operojnë 16 linja urbane me shtrirje në të gjithë qytetin, të cilat mundësohen dhe menaxhohen nga 11 kompani private, të cilat, sipas raportimeve, para se të shfaqej pandemia qarkullojnë rreth 200 mijë pasagjerë në ditë.