Një video që tregon një kamp masiv po qarkullon në rrjet me pretendimin se ajo tregon një kamp refugjatësh palestinezë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video është realizuar përpara konfliktit dhe tregon mijëra njerëz të mbledhur në Tibet për një ceremoni tradicionale.

———————————————–

Një video që është parë mbi 5 mijë herë në rrjete sociale tregon një kamp gjigand dhe shoqërohet me pretendimin se tregon një kamp refugjatësh palestinezë. 

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar në internet që në Shtator 2023, përpara sulmit të 7 tetorit në Gaza.

Radio Free Asia Tibet ka postuar videon e mësipërme, dhe pamje të kampit nga kënde të ndryshme, më 14 shtator në faqen e tyre në Instagram.

Për më tepër, një artikull i RFA i po asaj date shpjegon se pamjet tregojnë mbi 100 mijë njerëz të cilët u mblodhën në Amdo, Tibet për një ceremoni të rëndësishme budiste të quajtur Kalachakra.

Kampi në Tibet ku u mblodhën mbi 100 mijë persona, parë nga sateliti

Mbi 100 mijë persona u mblodhën për të dëgjuar mësimet e Gungthang Rinpoche Lobsang Jamyang Geleg Tenpe Khenchen, megjithëse autoritetet kineze ndaluan praninë e “jo-vendasve” në këtë ceremoni.

Media të tjera kanë publikuar gjithashtu pamje nga grumbullimi masiv.

Ndërkohë, sipas OKB, rreth 1.5 milionë palestinezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Hamas, më 7 tetor.