Familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, në zonën e Kombinatit nuk i kanë ende në dorë çelësat e banesave të reja, pavarësisht premtimeve të shumta nga kryebashkiaku Erion Veliaj. As shorti për këto familje nuk është zhvilluar, duke shënuar një premtim tjetër të shkelur. Faktoje verifikoi në terren se ka ende punë deri në përfundimin e pallateve, një pjesë për të cilët sapo kishte filluar.
Në muajin qershor të vitit 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se brenda vitit do të futeshin në banesa familjet e para, të prekura nga tërmeti në zonën e Kombinatit.
“Tani që kemi hapur totalisht kantierin, në disa pjesë kemi avancuar dhe do të jemi gati për të futur këtë vit familjet e para, siç është ndërtesa pas meje”, deklaroi Veliaj.
Edhe në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, kryebashkiaku i Tiranës bëri një tjetër premtim për familjet e pastreha të Kombinatit.
“Nga fillimi i vitit tjetër, që në muajt janar dhe shkurt, do të hedhim shortin për familjet e para që do të futen këtu. Seksioni i parë fare është drejt përfundimit”, theksoi Veliaj në 16 dhjetor.
Por, si po ecën procesi i rindërtimit të banesave në Kombinat dhe kur pritet të jenë gati për familjet e pastreha? Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga institucioni në fjalë, duke respektuar afatet ligjore për të drejtën e informimit.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranës, 11 janar 2023
Më 12 janar, Faktoje bëri një verifikim në terren në zonën e Kombinatit, për të parë nga afër si po ecte puna për ndërtimin e pallateve atje. Ne shkuam fillimisht në zonën pranë oxhakut në Kombinat ku gjendet ndërtesa për të cilën zoti Veliaj premtoi se brenda vitit 2022 do hynin familjet e para të pastreha nga termeti. Nga verifikimi në terren pamë se ndërtesa në fjalë, edhe pse dukej sikur kishte përfunduar, ende nuk ishte e banuar ng ndonjë familje.
Pallatet në zonën e oxhakut, 12 janar 2023
Ndërkohë, infrastruktura përreth ndërtesave të reja ishte problematike, çka do ta vështirësonte jetën për banorët edhe nëse do të futeshin në apartamentet e reja.
Pallatet në zonën e oxhakut, 12 janar 2023
Pallatet në zonën e oxhakut, 12 janar 2023
Faktoje u interesua edhe nëse është hedhur shorti për familjet e para që do strehohen, sipas premtimit. Burime konfidenciale i thanë Faktoje se ende nuk është hedhur shorti për familjet dhe deri më tani asnjë prej tyre nuk është futur në banesat e reja, siç u premtua vjet nga kryebashkiaku Veliaj. Të njëjtat burime shtojnë se të shumtë janë qytetarët që drejtohen çdo ditë në njësinë bashkiake në Kombinat për të pyetur se kur do të jenë gati shtëpitë.
Ne bëmë një verifikim edhe për pallatet e tjera në kantierin e ndërtmit në Kombinat.
Në zonën pas njësisë administrative numër 6, rruga “Shaban Bardhoshi” kishte nisur puna për ngritjen e pallateve të lagjes së re, që do të mbajë emrin “KombinArt”.
Kombinat, 12 janar 2023
Në tabelat e vendosura në kantier, ku gjendet informacioni për zbatuesin e kontraktuar për zhvillimin e punimeve, vlera e projektit, kohëzgjatja e punimeve, mungon informacioni i saktë për datën e nisjes së punimeve dhe përfundimin e tyre, ndonëse ky është një detyrim ligjor. Në pothujase të gjitha tabelat, afati për përfundimin e pallateve varionte nga 17-18 muaj.
Tabela e punimeve në Kombinat, 12 janar 2023
Tabela e punimeve në Kombinat, 12 janar 2023
Inxhinierët që ndjekin zbatimin e punimeve i thanë Faktoje se parashikohet të ndërtohen pallate 6-katëshe dhe projekti është që lagjja të jetë në formë ‘U-je’. Ndërkohë, në skaje është menduar të ngrihen edhe kulla 8-katëshe.
“Për objektin tonë puna ka nisur në verë dhe do të përfundojë pas 18 muajsh. Ndërsa, pallatet e tjera kanë nisur më vonë”- treguan inxhinierët.
Kombinat, 12 janar 2023
Kombinat, 12 janar 2023
Zona e Kombinatit pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit dhe si pasojë 1500 familje mbetën të pastreha.
Në korrik të vitit 2020, u prezantua plani i rindertimit te Kombinatit. “Ky projekt përfshin 1.5 milionë metra katrorë ndërtim. Është ndoshta ndërtimi më ambicioz i 100 viteve të Tiranës kryeqytet, ku do të akomodojë 21.534 njerëz. Ata që do të marrin shtëpitë e para janë vetëm 1/3 e një lagjeje, që potencialisht do të shkojë deri në 21 mijë banorë. Do të fillojë me fazën e parë me 2292 apartamente për 8500 qytetarët e Kombinatit të prekur nga tërmeti”, bëri të ditur Veliaj në atë kohë.
Gjatë një interviste të dhënë në shkurt të një viti më parë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Maziku u shpreh: “Në zonë, në fazën e parë do të ndërtohen rreth 12 objekte, janë rreth 1200 apartamente që ndërtohen, do të ketë shërbime dhe institucione publike. Të kemi një lagje që funksionon në mënyrë integrale. Të ketë një përdorim miks të zonës”.
Në shkurt të vitit 2021, ish-ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj inspektoi punimet për ndërtimin e objekteve në zonën e re të Kombinatit.
“Në punë me tre turne për të përshpejtuar kthimin në shtëpitë e reja, më të mira, më të bukura e më të forta për 25 mijë banorë që do të akomodohen në lagjen e re, me 120 godina banimi, mbi 120 mijë metër katrorë sipërfaqe parkimi nëntokësor, godina arsimore, objekte publike, artistike, terrene sportive, infrastrukturë publike dhe njësi shërbimi”, njoftonte asokohe Ministri i Rindërtimit.