.

.

Ballina Edukimi mediatik në komunitetet lokale në Shqipëri Bullizimi dhe emigracioni, problematikat që raportojnë të rinjtë në Balldren

Bullizimi dhe emigracioni, problematikat që raportojnë të rinjtë në Balldren

1220

Pas disa trajnimeve të kryera nga ekspertët e edukimit mediatik dhe artit vizual, nxënësit e shkollës “Karl Gega” në Balldren tashmë kanë formimin e nevojshëm për të qenë raportues lajmi.

Gjatë këtij sesioni të radhës, të rinjtë përsëritën për efekt reflektimi çështjet kryesore të trajtuar më herët si 5 W-të (Who, What, Why, When, Where) dhe 1 H (How).

Seancën e shkuar ata patën mundësinë të ndërtojnë bazat e para të lajmeve të prodhuara nga vetë ata ndaj kësaj here fokusi ishte të zhvillimi i mëtejshëm i temave të përzgjedhura duke u ndalur ne fomulimin dhe paraqitjen në bazë të materialeve të shpjeguara nga mentorët e projektit në takimet e mëparshme.

2 prej temave të preferuara të përzgjedhura nga pjesëmarrësit ishin “Bullizimi” dhe “Emigracioni i të Rinjve”. Ekspertët i shoqëruan ata përmes rrugës e hapave që ndiqen për paraqitjen e lajmit të saktë për sa i përket formulimit me vëmendje të veçantë në verifikimin e burimit të lajmit, për të mos rënë në grackën e lajmit të rremë, por të ketë një qasje strikte të faktimit të informacionit të përdorur.

Thënë kjo, pjesëmarrësit kuptuan se është e rëndësishme që vëmendja e raportuesit apo hartuesit të lajmit të jetë kurdoherë aktive për të kryer kërkimet e nevojshme dhe mbledhur informacionin nga destinacione serioze për një lajm të saktë.

Kështu, pjesë e role-play dhe seancave ushtrimore të ditës ishte dhe kryerja e një anketimi të vogël mes tyre dhe me bashkëmoshatarë të tyre për të kuptuar mënyrat si mund të merren informacionet që nevojiten për shkrimin e lajmit me në fokus supozimin e dëshirës së rinisë për emigrim. Pjesëmarrësit, me mbështetjen dhe udhëzimin e vazhdueshëm të ekspertëve dolën me pikat kryesore të rezultuara nga anketimi.

Për më tepër, të rinjtë mësuan rëndësinë e intervistimit për t’i shtuar vlerën dhe saktësinë e burimeve të marrjes së informacionit artikullit të tyre.

Më parë, ata mësuan teknikat kryesore të metodologjisë së intervistimit duke vënë në rolin e të intervistuarit si dhe duke intervistuar miqtë e tyre. Për ta kompletuar eksperiencën, atyre iu dha detyra e intervistimit jashtë sallës e sesionit me ekspertët, në mënyrë që të ndërtojnë lajmin e tyre në mënyrë sa më të përafruar ndaj modelit gazetaresk që kanë mësuar në 2 sesionet e para, tanimë shoqëruar me komponentë shtesë si sondazhet, intervistat e pamjet.

Ekspertët Enkelejd Llanaj, Elira Çanga, Eno Milkani dhe ekipi i H.A.N.A, partneri në zbatim i projektit “Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perendimor dhe Turqi”, me zbatues kryesor organizatën mediatike Faktoje.al , kanë zhvilluar disa takime me të rinjtë mbi edukimin mediatik.

Organizata Fact Checking Faktoje dhe ekipi i H.A.N.A, po zbatojnë projektin “Edukimi mediatik në
komunitetet lokale në Shqipëri” në kuadër të PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar
lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor
dhe Turqi.

Ky botim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është
përgjegjësia e vetme e organizatës Faktojes dhe jo domosdoshmërisht pasqyron opinionin e Bashkimit
Europian.’