BallinaAktualitetPas helmimit masiv, Kruja përballet me ndërprerjen e furnizimit me ujë

Pas helmimit masiv, Kruja përballet me ndërprerjen e furnizimit me ujë

Që prej ditës së hënë, pas raportimeve për një helmim masiv, banorët e qytetit të Krujës po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Deputetja e Krujës, Merita Bakiu, ngriti shqetësimin për mungesën e furnizimit, duke akuzuar qeverinë për mosreagim në kohë për gjendjen e krijuar. Konfirmimin për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, Faktoje e mori edhe nga bashkia Krujë e cila tha se uji po sigurohet përmes autoboteve për banorët, ndërsa spitalet, kopshtet, çerdhet dhe disa familje në nevojë po marrin ujë të pijshëm falas nga disa biznese private.

………………………..

“Ajo që është shqetësuese për Krujën, është mosfurnizimi me ujë. Kjo i ka çuar familjet në një krizë tjetër përveç sëmundjes. Është e tmerrshme që qeveria nuk ka reaguar në kohë, vetëm pas 3 ditësh kur filluan mediat”- deklaroi deputetja e PD Merita Bakiu.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj duke i bërë thirrje qeverisë të marrë masa, theksoi: “Së paku 1200 qytetarë të Krujës, vogëlushë, familjarë, të moshuar janë shtruar në ambientet spitalore” .

Në lidhje me këtë situatë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Krujës për të mësuar për ndërprejrjen e furnizimit me ujë dhe se di do të zgjidhej problem për qytetarët.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Krujës

Zyrtarisht Bashkia na bëri të ditur se të hënën, më 25 tetor është ndërprerë furnzimi me ujë të pijshëm për qytetarët. Gjithashtu theksohet se janë marrë mostra të uji dhe disa kampione te pacientët për të gjetur shkaqet e helmimit masiv.

“Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së Hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës.

Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione tek pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara”-njofton Bashkia.

Sipas komunikimit zyrtar nga Bashkia, në Krujë po shpërndahen autobote me ujë për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

“Kemi bërë furnizime me bote uji nëpër lagje dhe për kategoritë e caktuara ujë të ambalazhuar nga kompani private, të cilët iu përgjigjën thirrjes tonë solidare, për të mbuluar me ujë te pijshëm kopshtet, çerdhet, spitalin, maternitetin, familjet në ndihmë ekonomike, familjet me pension invaliditeti dhe pensionistë, të cilët fëmijët i kanë jashtë vendit. Sipas të dhënave që kemi marrë nga Spitali Bashkiak ‘Stefan Gjoni’, 500 pacientë kanë marrë trajtim mjekësor” – sqaron Bashkia Krujë për Faktoje.

Ujësjellës Kanalizime Krujë njoftoi se më 28 tetor në orën 20:00 do të niste furnizimi me ujë për banorët, por me kapacitet të reduktuar. Gjithashtu, apeloi fort që uji i rrjedhshëm nga rrjeti dhe ai në depozitat familjare, të mos përdoret për konsum, por vetëm për nevoja sanitare shtëpiake.

Njoftimi i Ujësjellës Kanalizimeve Krujë

Një banor i Krujës konfirmoi për Faktoje se furnizimi me ujë, por i reduktuar  është rikthyer mbrëmë në orën 20:00 një orë paradite dhe një orë pasdite.

E ftuar në “Wake Up” dy ditë më parë, drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta tregoi simptomat që kishin pacientët e paraqitur në spital. Sheta gjithashtu sqaroi se banorët me shenja helmimi ishin nga zona të ndryshme të Krujës.

“Pacientët janë të grupmoshave të ndryshme dhe kishin simptoma si diarre, të vjella, dhimbje koke, raste të veçanta me temperaturë. Banorët e paraqitur në spital për të marrë shërbim kanë qenë nga i gjithë qyteti i Krujës, nga e gjithë zona e Krujës. Nuk kanë qenë të përqendruar vetëm në një vend”- tha drejtoresha e spitalit.

Nga ana tjetër, Ujësjellës Kanalizime Krujë njoftoi një ditë më parë rikthimin e ujit në rrjet me kapacitet të reduktuar, teksa bën thirrje që të mos përdoret për konsum.

Deri në këtë moment, analizat që konfirmojnë shkaqet e sakta të helmimit masiv, ende nuk janë publikuar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img