.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaBraçe: Ujë 24 orë për Çermat, do hiqen pompat, tubacionet dhe depozitat nga banesat

Braçe: Ujë 24 orë për Çermat, do hiqen pompat, tubacionet dhe depozitat nga banesat

Zëvendëskryeministri Erion Braçe njoftoi ndërtimin e ujësjellësit të ri në Çerma, Divjakë duke garantuar ujë 24 orë për një komunitet prej rreth 5,000 banorësh të kësaj zone. Braçe njoftoi se brenda muajit shkurt të këtij viti, çdo depozitë mbi pallate e shtëpi do të hiqej. “Faktoje” bëri dy verifikime në terren, në muajin mars, para pandemisë nga Covid-19 dhe në 13 maj, por tubacionet, pompat dhe depozitat vijonin të qëndronin mbi taracat e banesave.


Përmes një postimi në rrjetet sociale më 23 janar, zëvendëskryeministri Erion Braçe njoftoi se me ndërtimin e ujësjellësit të ri, të gjitha depozitat dhe pompat do të hiqen në fshatrat Çermë në Divjakë.

Jo më pompa, tuba  e depozita mbi pallate e shtëpi në Çermë! Kemi ndërtuar një super ujësjellës në Çerma. Nga Çerma e Sipërme, në çdo lagje të saj ne Çermë Proshkë, Çermë Pasha, Çermë Sektor, Kamp, çdo lagje të Çermë Shkumbin, Sulzotaj, sot, ofrojmë ujë të pijshëm, të pastër e kontrolluar, 24 orë në 24 për çdo familje në shtëpi e pallate, shkruante Braçe.

Më 3 mars, “Faktoje” ishte në Divjakë, në lagjet Çermë, ku jetojnë më shumë se 5 mijë banorë.

Shumë depozita uji vëreheshin mbi ndërtesasat në hyrje të lagjeve Çerma. Thuajse çdo shtëpi kishte nga një të tillë.

 Tubacionet janë, aty kanë qenë. Unë kam pus në shtëpi, aty e marr ujin. Thuajse të gjithë banorët e Çermave përdonin ujin nga puset, të gjithë kanë depozita. Këta duan 60 mijë lekë (të vjetra) për të lidhur kontratën. Nuk na leverdis, i tha “Faktojes” Bardhi Muçi nga lagjja Çermë Sektor.

 Depozita uji mbi shtëpi në lagjen “Çermë e Sektor”

Një situatë që nuk përputhej aspak me deklarat e zv.kryeministrit Braçe paraqitej në lagjen “Çermë e Sipërme”. Punonjësit e kompanisë së kontraktuar, ishin duke shtrirë rrjetin e tubacioneve për furnizimin me ujë të pijshëm.

Çështje ditësh, nuk di ta them me siguri. Këto janë tubat e rrejtit të ri, i tha “Faktojes” njëri nga punëtorët gjatë verifikimit që bëmë në muajin mars.

Punëtorë duke shtrirë tubacionet e ujit të pijshëm në lagjjen “Çermë e Sipërme”

Tubacionet janë, por ujë nuk ka. Ne përdorim puset, thuajse çdokush këtu ka pus të vetin, i tha “Faktojes” Ervin Mehmetaj nga lagjja “Çermë Proshkë”.

Të njëjtën gjë e konfirmuan edhe banorë të tjerë të lagjes. Sipas tyre ujësjellësi kishte kapacitet për furnizimin me ujë 24 orë të gjithë zonës, por kostot e lidhjes së kontratës si dhe problematikat me orarin e furnizimit i bënte ata që të zgjidhnin puset.

Depozita uji mbi shtëpi në lagjen Çermë Proshkë

Pasi verifikuam në terren situatën mbi furnizimin me ujë të pijshëm edhe në katër lagjet e tjera Çermë, Pasha, Kamp, Çermë Shkumbin e Sulzotaj, situata paraqitej thuajse e njëjtë. Askush nuk e kishte hequr depozitën e ujit, apo pompën për furnizim.

“Faktoje” shkoi edhe në stacionin e pompave ujit të pijshëm që furizonte të shtatë Çermat ku na komunikuan se ujësjellësi kishte kapacitet të mjaftueshëm për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës, por banorët preferonin puset.

Unë kam 4 muaj këtu, pompist. Në disa lagje tubacioni për furnizimin me ujë të pijshëm është i plotë. Ka disa lagje në të cilat ende po punohet. 600 lekë (të vjetra) është kosto e ujit për m3, u shpreh punonjësi.

Stacioni i pompave të ujit në Çermë

Në 13 maj, gjatë verifikimit në terren Faktoje konstatoi të njëjtën situatë në lagjet Çerma ku shumë familje, përdorin ujin e pusit, edhe në këtë kohë pandemie.

Depozitat, tubacionet dhe pompat e ujit në banesa (13 maj)

Më herët “Faktoje” pyeti edhe zëvendëskryeministri Braçe për siituatën e pandryshuar lidhur me heqjen e depozitave dhe furnizimin me uje 24 orë, por nuk morëm një përgjigje.

Pas verifikimeve në terren që “Faktoje” bëri gjatë muajve mars dhe maj, rezultoi që pompat e ujit dhe depozitat për furnizimin me ujë të pijshëm nuk ishin hequr, ndërsa në disa lagje mungojnë tubacionet për furnizimin me ujë të pijshëm. Ndaj vendosëm që deklaratën e zëvendëskryeministrit Braçe ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img