Nuk ka asnjë të dhënë të re për fatin e Bleona Mates, fëmijës së zhdukur 12 vite më parë në Kukës. Lajmet që po qarkullojnë së fundi në rrjet rezultojnë se janë trillime të qëllimshme të portaleve që tërheqin lexues duke përdorur një ngjarje sensitive ende të mbuluar nga misteri.
Patris Pustina
Artikulli i titulluar “Nuk u dorezova derisa zbulova qe…’, Aida Shtino trondit me atë që thotë për Bleona Matën”, publikuar nga portali telenovela.paktweets.com ka mbledhur gati 400 mijë shikime në Facebook. Lajmi është riprodhuar dhe nga portale të tjera, në të cilat ka marrë edhe 35 mijë shikime më shumë.
Një interes i shpjegueshëm, duke qenë se çështja e 6-vjeçares Bleona Mata, e zhdukur në 22 maj 2010, është nga çështjet më të njohura të zhdukjes së fëmijëve në Shqipëri. Qartazi, kurioziteti i publikut mbi fatin e saj është ende i gjallë, dhe i shfrytëzueshëm.
Në të vërtetë, lexuesi kurioz që ‘ha karremin’ e vendosur në titull, do të zhgënjehet kur të klikojë për të lexuar artikullin. E vetmja herë kur artikulli citon zonjën Shtino mbi Bleona Matën është kur ajo thotë: “Kur dilja me familjen time të gjithë më pyesnin çfarë u bë për Bleonën. Jo vetëm Bleona, unë kam kërkuar shumë fëmijë të humbur në emision.”
Fatkeqësisht, duket se, ndryshe nga ç’sugjeron titulli, zonja Shtino nuk ka zbuluar asnjë informacion të ri lidhur me rastin e zhdukjes së fëmijës.
Ky artikull mund të përdoret si shembull i disa kategorive të ndryshme të lajmeve të rreme që “Faktoje” ka hasur nëpër rrjet.
Si fillim, artikulli është riciklim i një interviste të dhënë nga zonja Shtino që në 16 janar 2022. Teksti i tij është kopjuar fjalë për fjalë nga teksti shoqërues i intervistës së prodhuar nga Fax News.
E vetmja pjesë origjinale e artikullit, është titulli, i cili nuk ka të bëjë aspak me brendinë e artikullit. Ai është dizenjuar me qëllim për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe sjellë klikime.
Duhet nënvizuar se ky lajm tejkalon një kufi moral kur zgjedh të përdorë si karrem për klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Shënim:
*12 tetor 2022: Portali https://telenovela.paktweets.com/e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje, lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.
*12 tetor 2022: Portali https://tv.lomasvistotop.com/e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje, lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.
*28 tetor 2022: Portali https://mediat-shqip.com/ e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. https://mediat-shqip.com/2022/10/05/moderatorja-e-fax-news-aida-shtino-ka-rrefyer-jeten-e-saj-profesionale-ne-nje-interviste-per-emisionin/ Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.