.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëBlendi Klosi: Në Shqipëri erdhën mbi 2 milionë e gjysmë turistë në 10 mujorin e parë të 2020-s

Blendi Klosi: Në Shqipëri erdhën mbi 2 milionë e gjysmë turistë në 10 mujorin e parë të 2020-s

Hyrja e turistëve të huaj në Shqipëri rezultoi e ulët gjatë vitit pandemik 2020, megjithatë sipas ministrit të Turizmit Klosi, në 10 muajt e parë të atij viti hynë mbi 2.5 mln turistë. Por shifrat që jep zyrtarisht Ministria e Turizmit tregojnë se përgjatë gjithë 2020-s kanë hyrë më pak se gjysma e shifrës që jep ministri. Kjo është deklarata e dytë e pavërtetë e zotit Klosi mbi numrin e turistëve, pasi një të ngjashme Faktoje e ka verifikuar në 2018-n.


Me datë 22 dhjetor 2020, duke folur në emisionin Real Story, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se turizmi ishte i vetmi sektor që funksionoi plotësisht dhe mjaft mirë gjatë muajve të verës.

“Në Shqipëri quhet turist ajo pasaportë e huaj që hyn në Shqipëri dhe qëndron më shumë se 24 orë. Në Shqipëri erdhën mbi 2 milionë e gjysmë turistë në 10 mujorin e parë të vitit, që është në fakt 45% më pak, por jemi me 50% të vitit 2019 që përsëri është një shifër e sukseshme.-u shpreh ministri Klosi.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Turizmit të cilën e pyeti se sa është numri i turistëve që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë viti 2020.

Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Turizmit

Bazuar në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit, rezulton se në Republikën e Shqipërisë kanë hyrë 1.142.869 turistë përgjatë vitit 2020.

Përgjigjja e Ministrisë së Turizmit

Shifra që jep zyrtarisht ministria e Turizmit është më pak se gjysma e asaj që deklaroi titullari Klosi.

Faktoje e pyeti pyeti Ministrinë e Turizmit edhe për numrin e turistëve të ardhur në vitin 2019, pasi sipas zotit Klosi numri i turistëve të 2020-s ishte sa gjysma e 2019-s dhe me një llogari të thjeshtë me shifrat e artikuluara prej tij, në 2019-n duhet të kenë hyrë mbi 5 milionë turistë.

Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Turizmit

Ministria e Turizmit nuk ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë edhe pse ka kaluar afati prej 10 ditësh pune, i parashikuar nga ligji për të drejtën e informimit. Faktoje e kërkoi informacion për numrin e turistëve që kanë hyrë në vitet 2019-2020 edhe nga Aeroporti i Rinasit.

Kërkesa për informacion drejtuar Aeroportit të Rinasit

Por dhe Aeroporti nuk ka kthyer përgjigje edhe pse i ka kaluar afati ligjor.

Bazuar në shifrat e grumbulluara në rrugë zyrtare, rezulton se në Shqipëri në 2020-n kanë hyrë 1.142.869 dhe jo 2. 500. 000 siç u shpreh ministri Klosi, ndaj vendosëm që deklaratën e tij ta kategorizojmë si të pavërtetë.

Faktoje, edhe në 2018-n ka verifikuar  një deklaratë të ministrit Klosi për numrin e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri, ku shifrat që ai artikuloi rezultuan më të ulëta sesa ato reale.

Lexo edhe: Sa çartera me turistë erdhën pas 12 qershorit

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img