BallinaAktualitetVlora nis sezonin me shpresën tek prenotimet nga Lindja

Vlora nis sezonin me shpresën tek prenotimet nga Lindja

JEROLA ZIAJ

Në Vlorë ka nisur frekutentimi i plazheve edhe pse ende nuk janë dhënë lejet për shfrytëzimin e hapësirave. Operatorët turistikë dëshmojnë se sivjet ka interes të ulët për punë nga të rinjtë vendas, ndërsa punësimi i të huajve u kushton shumë sorollatje nëpër zyrat e shtetit. Ndërkohë nisja e vaksinimit dhe rënia drastike e të prekurve me Covid-19 kanë shtuar pritshmëritë për më shumë turistë të huaj këtë vit, që pritet të jenë kryesisht nga Europa Lindore.

Sezoni turistik në Vlorë, edhe pse prej vitesh synohet të jetë gjithëvjetor, mbetet i kufizuar. Kapacitetet e punësimit dhe shërbimit shtohen vetëm gjatë pikut të sezonit, nga qershori në shtator.

Fundjava pas zgjedhjeve të 25 prillit ishte e para që solli në qytet një numër të madh turistësh jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga Kosova.

Një anije e guidës turistike, Vlorë

Operatorët turistikë janë të parët që nisin me përgatitjet për t‘i paraprirë fluksit të punës, që jo përherë është në të njëjtin ritëm me institucionet shtetërore.  Investimet në infastrukturë dhe strukturat akomoduese përfundojnë përpara prillit, ndërsa operatorët mbeten në pritje për miratimin e lejeve për përdorimin e plazheve, përcaktimin e asaj që do mbetet publike dhe hapësirave që do të menaxhohen nga privatët.

Plazhi i Radhimës

Aplikimet janë çelur dy javë më parë dhe procesi ende nuk ka përfunduar, ndaj në një pjesë të vijës bregdetare ranore përgjatë Lungomares, ende nuk janë vendosur çadrat e shezlongët edhe pse ka nisur frekuentimi i plazhit.

“Jemi në pritje të miratimit të hapësirave, mandej të operojmë me plotësimin e infratrukturës në plazhe. Në varësi të hapësirave që do të na miratohen, do të punësojmë edhe stafet e shërbimit për të cilët jemi pak vonë.“ – thotë Vasil Bedinaj, kreu i Operatorëve Turistikë të Jugut të vendit.

Plazhi i boshatisur i Lungomares

Plotësimi me staf i sektorit të shërbimeve, në përgjithësi po përballet me vështirësi të mëdha. Mungesa e të rinjve të interesuar për të punuar në këtë sektor penalizon më së shumti atë të shërbimeve turistike, restorantet, hotelet, baret, agjensitë turistike etj.

Edhe pse ndryshimet e fundit të kuadrit ligjor sa i përket të punësuarve të huaj kanë lehtësuar procedurën, lehtësirat nuk janë reflektuar realisht.

“Ka shumë burokraci kur shkon për të aplikuar për të punësuar të huaj, zakonisht të dërgojnë nga njëra zyrë në tjetrën dhe nëse realisht procedura do të ishte e thjeshtë, shumica e të punësuarve të sektorit të turizmit do të ishin të huaj. Ne kemi punuar në sektorin e ndërtimit të anijeve me shtetas turq, por procedura kërkon një person nga stafi që të merret vetëm me plotësimin e dokumentacionit.“- shtoi Vasil Bedinaj.

Deri më tani, sipas konfirmimit të operatorëve turistike në Vlorë, nuk ka kompani të cilat merren me punësimet e shetatsve të huaj në Shqipëri, ndërsa shumë prej tyre janë angazhuar në ndërmjetësimin për punësime të shqiptarëve në Gjermani.

Ndërkohë rezervimet për pushime në Vlorë tashmë kanë nisur dhe pavarësisht se nuk mund të pretendohet për turizëm në nivelet e vitit 2019 para se të shfaqej pandemia Covid-19, pushuesit e rajonit dhe nga Europa Lindore kanë nisur të mbërrijnë me chartera për të pushuar më pas në Vlorë.

Operatorët turistikë i druhen gjithsesi konkurrencës nga fqinjët, që pas një viti krize në të gjithë sektorët, po bëjnë të pamundurën të joshin pushuesit.

“Këtë sezon rrezikohemi më së shumti nga ofertat turistike të Malit Të zi, të cilët kanë ulur ndjeshëm çmimet, sepse patën një sezon tejet të vështirë gjatë vitit 2020. Në vështirësi do të na verë edhe hapja e Greqisë si destinacion për shqiptarët.“ tha Ndriçim Meminaj, menaxher hoteli.

Ndriçim Meminaj, menaxher hoteli

Sipas tij, edhe këtë sezon do të mungojnë pushuesit tradicionalë që janë ata  italianë, për shkak të kufizimeve ende në fuqi për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19. Ndërkohë pjesa më e madhe e rezervimeve sivjet, janë nga Bjellorusia, Polonia, Ukraina, si dhe pushues nga Kosova.

Pavarësisht vështirësive, një lajm i mirë për sektorin e turizmit është nisja e procesit të vaksinimit, pasi shton sigurinë jo vetëm të stafit, por ndihmon edhe në rritjen e besimit të pushuesve.

“Rreth 500 persona, janë vaksinuar nga të punësuarit e sektorit të turizmit vetëm në qendrën masive të vaksinimit, në Pallatin e Sportit në Vlorë, ndërsa rreth 300 të tjerë janë vaksinuar në qendrat shëndetësore të Himarës dhe Orikumit.“ – tha shefi i shërbimit të epidemiologjisë, Agron Bashllari.

Agron Bashllari, shefi i shërbimit të epidemiologjisë

Sipas tij, ka pasur skepticizëm ndaj vaksinës ruse Sputnik V, por me mbërritjen e vaksinave të tjera, transporti i të cilave ështe më i thjeshtë, do të nisë një fushatë vaksinimi biznes më biznes, për të përmbyllur procesin e vaksinimit të sektorit të turizmit përpara muajit korrik.

Procesi i vaksinimit në Vlorë

Ndërkohë të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, tregojnë se situata nga pandemia po shkon drejt përmirësimit. Prej tre ditësh në Vlorë nuk rezulton asnjë rasti i ri i konfirmuar pozitiv me Covid-19. Por pavarësisht përmirësimit të situatës pandemike, kufizimet për orarin e restoranteve, bareve dhe klubeve të natës mbeten në fuqi, sipas përditësimit të fundit nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Lexo edhe: Argëtim me “pikatore“ në Vlorë, kufizimi i muzikës paralizon lokalet

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img