Pretendimi më i fundit i konspiracionistëve anti-vaksinë është se Bill Gates ka pranuar se vaksinimi ishte një gabim i madh. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se Gates nuk ka e ka thënë këtë dhe ky pretendim e ka origjinën në një artikull satirik.
————————————–
Portali Patriotik Media, artikuj të të cilit “Faktoje” ka përgënjeshtruar dhe më parë, botoi më 26 mars lajmin se miliarderi Bill Gates, një nga ‘të dyshuarit e zakonshëm’ në qarqet konspiracioniste, ka pranuar se vaksinimi ishte një gabim, dhe vaksina është shumë më e rrezikshme se mendohej.
Si provë për këtë pretendim, artikulli i referohet një video ku tregohet Gates duke folur në çfarë duket se është një organizim publik. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se klipi është prerë nga një intervistë e Gates me gazetarin e CNN Fareed Zakaria, në 3 maj 2022.
Në klipin 48-sekondësh të prezantuar nga Patriotik Media, Gates thotë:
“Ishte vetëm në fillim të Shkurtit, kur isha në një mbledhje, që ekspertët e Fondacionit [Bill & Melinda Gates] thanë “Nuk ka shanse”, e ke parasysh, “Ka patur tepër udhëtime pa diagnostifikime dhe ne nuk mund ta frenojmë këtë.” Dhe, atëherë, në atë pikë, ne nuk e kuptonim mirë që është një vdekshmëri relativisht e ulët dhe që është një sëmundje kryesisht e të moshuarve, pak a shumë si gripi, po pak ndryshe, kështu që ajo ishte një periudhë goxha e frikshme kur bota, përfshi dhe ShBA, nuk u alarmua aq shpejt sa duhej.”
Siç shihet, në këtë klip Gates po thotë se, në fillimin e pandemisë, bota nuk u mobilizua mjaftueshëm shpejt për ta frenuar virusin. Në asnjë moment Gates nuk flet për vaksinimin, aq më pak për ta quajtur një “gabim të madh”.
Origjina e pretendimit se Gates ka pranuar gabimin e vaksinimit duket se vjen nga një artikull i Gushtit 2021 nga media “The Expose”. Ky artikull tani mban një shënim sqarues që deklaron se shkrimi është satirë.
Fondacioni Bill & Melinda Gates tha për AFP se Gates nuk i ka bërë deklaratat që i atribuohen në këto artikuj.