Pretendimi: Kryeministri shqiptar Edi Rama ka dhënë dorëheqjen sepse SPAK mund ta arrestojë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se kryeministri shqiptar Edi Rama ka dhënë dorëheqjen pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. 

Pretendimi shoqërohet me një video ku duket Rama duke ecur dhe në sfond dëgjohet kryeministri duke thënë: “Unë jap dorëheqjen. Po e them publikisht. Le ta marin, ta analizojnë analistët. Ta fusin deri në fund të kazanit, ta nxjerrin në ballë të kazanit.”

Megjithatë, dorëheqja e pretenduar e Ramës nuk është njoftuar në asnjë kanal zyrtar, si faqja e Kryeministrisë, apo jozyrtar, si faqja e Partisë Socialiste apo rrjetet sociale të kryeministrit.

Ndërkaq, video që po qarkullon përmban pamje nga një kronikë e ABC News, e 30 qershorit 2019. Teksti që shoqëron video shpjegon se “kryeministri Edi Rama ka dalë pas rreth 9 orëve nga selia e Partisë Socialiste ku ishte parë të hynte ditën e sotme pasi ushtroi të drejtën e votës në qendrën e votimin në Surrel. Rama pak orë më pas i është drejtuar selisë së PS-së.”

Ndërkaq, audio e zërit të Ramës që i është mbivendosur videos së ABC News është marrë nga një debat mbi çështjen e inceneratorëve gjatë një seance parlamentare të Nëntorit 2017. 

Në atë kohë, mediat e raportuan fjalën e Ramës si një sfidë ndaj kreut të atëhershëm të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me pretendimet e këtij të fundit se projekti i inceneratorëve të Fierit, Tiranës dhe Elbasanit parashikonte një kosto prej 400 milionë euro për taksapaguesit.

Deklarata e plotë e Ramës ishte:

“Gënjeshtar ti, apo gënjeshtar unë? Nëse janë 400 milionë euro për impiantet e përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve, unë jap dorëheqjen. Ti e jep dorëheqjen? Po e them publikisht, le ta marrin, ta analizojnë analistët, ta fusin deri në fund të kazanit , ta nxjerrin në ballë të  kazanit dhe po doli 400 milionë euro  shuma  e dedikuar për këto vepra shpëtimi të shëndetit, të mjedisit, të së ardhmes, unë jap dorëheqjen.”

Vlen të kujtojmë këtu se projekti i inceneratorëve është objekt i disa çështjeve të shqyrtuara nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, krahas një numri zyrtarësh, janë akuzuar dhe arrestuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shpërdorim detyre në bashkëpunim.