Aimona Vogli

Faktoje prezantoi gjetjet e monitorimit vjetor për vitin 2024, përsa i përket mbatjes së premtimeve, transparencës në nivel vendor dhe përdorimit të fondit social.

Krahas ndarjes së gjetjeve, aktivieti bëri bashkë institucione të qeverisjes vendore, media, organizata dhe aktorë të ndryshëm, që punojë në Shqipëri për të përmirësuar qasjen e qytetarëve ndaj informacionit publik në bashki.

Transparenca

Gjatë pesë viteve të fundit, bashkitë në Shqipëri kanë bërë hapa përpara në rritjen e transparencës, duke publikuar programet dhe duke ndarë më shumë informacion me qytetarët. Megjithatë, puna çalon kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të kryebashkiakëve pas fushatave elektorale.

Në kuadër të projektit “40 Premtimet, 10 Bashki”, Faktoje ka monitoruar performancën e dhjetra institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri. Ky projekt është mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Bashkitë e monitoruara janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Sarandës.

Premtime

Analiza ka treguar se nga 40 premtime të verifikuara për këto 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura. Bashkitë me performancën më të lartë për transparencën janë Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë arritur 100% në përmbushjen e kërkesave ligjore për transparencën.

5 vite në shifra

Për periudhën 2019-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët në 21 bashki të ndryshme. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.

Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Fondi social

Një komponent i ri i monitorimit për vitin 2024 ishte përdorimi i fondit social nga bashkitë. Në monitorimin e Faktojes kanë kaluar në sitë 61 bashki të vendit ku janë evidentuar disa sfida dhe mospërputhje.

Një nga sfidat kryesore është mungesa e transparencës mbi ecurinë dhe zbatimin e Fondit Social. Asnjë prej institucioneve publike, qoftë në nivel qendror apo lokal, nuk ka publikuar të dhëna të detajuara mbi shpërndarjen dhe përdorimin e këtij fondi ndër vite. Kjo mungesë transparence krijon një boshllëk të konsiderueshëm në monitorimin e efektivitetit të fondit dhe vështirëson analizën mbi ndikimin e tij në përmirësimin e shërbimeve sociale.

Një shqetësim tjetër lidhet me mungesën e planifikimit afatgjatë nga ana e bashkive për sigurimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve sociale. Nga verifikimet e kryera, rezulton se asnjë bashki nuk ka parashikuar fonde në buxhetet e tyre afatmesme (2025-2027) për të vijuar mbajtjen në funksion të shërbimeve të financuara nga Fondi Social, pasi përfundon periudha e mbështetjes financiare.

Mospërputhjet qëndrojnë si në në vlerat e financimit 2023-2024 për bashkitë, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimin Social Shtetëror dhe vlerave të deklaratat nga bashkitë.

Sipas MSHMS: për vitin 2023, vlera totale e financuar për Fondin Social ishte 94,730,215 lekë, ndërsa për vitin 2024 ajo arriti në vlerën 133,079,987 lekë. Mospërputhje mes vlerës totale të raportuar nga Ministria dhe shumës totale të financuar për secilën bashki. Përkatësisht, për vitin 2023, shuma e financuar përllogaritet të jetë 84,866,879 lekë, ndërsa për vitin 2024, 131,232,355 lekë. Gjithashtu, sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror, shuma e financuar për vitin 2023 është 88,571,346 lekë, ndërsa për vitin 2024 131,862,018 lekë.

Monitorimi

Monitorimi i kryer nga gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile ka për qëllim matjen e nivelit të transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, nxitjen e ndarjes së informacionit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies lidhur me proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet janë monitoruar duke përdorur një metodologji që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren. Disa nga indikatorët kryesorë të transparencës janë: programi i transparencës, konsultimi publik dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.