.

.

BallinaAktualitetBashkitë mes transparencës dhe sfidës së premtimeve

Bashkitë mes transparencës dhe sfidës së premtimeve

Transparenca dhe aksesi i qytetarëve në informacion në bashkitë e vendit ka patur rritje, por kjo rritje nuk shkon paralel me mbajtjen e premtimeve elektorale nga kryetarët e bashkive.

Kjo është një nga gjetjet kryesore të projektit “40 Premtime, 10 Bashki”, i realizuar nga Faktoje për vitin 2025 dhe i mbështetur nga National Endowment for Democracy.

Për vitin 2025, janë monitoruar 40 premtime elektorale, nga të cilat vetëm 5  janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23  rezultojnë të pambajtura ose të shtyra pa afate të qarta

Rezultatet e projektit u bënë publike në një tryezë ku morën pjesë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kryetarë dhe nënkryetarë të bashkive, agjenci ndërkombëtare, institucione të pavaruara, media dhe shoqëri civile.

Foto gjate tryezes se organizuar nga Faktoje

Puna  

Ky është viti i 6-të i monotirmit të bashkive nga Faktoje. Drejtoresha Ekzekutive, Klodiana Kapo tha se, “Faktoje, pas gjashtë vitesh monitorimi të bashkive dhe këshillave bashkiakë, e ka vënë theksin tek dy fusha kryesore: zbatimi i ligjit të transparencës dhe përmbushja e premtimeve”.

Ne foto: Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo

“Transparenca ka shënuar përmirësime, duke ndihmuar në ndërtimin e besimit të qytetarëve, ndërsa përmbushja e premtimeve mbetet sfidë, sidomos në çështje si uji i pijshëm, hapësirat e gjelbërta, këndet e lojërave, rrugët, shkollat dhe menaxhimi i mbetjeve”, vërejti ajo.

Premtimet

Bashkitë e monitoruara për vitin 2025 janë: Tirana, Elbasani, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, Korça, Saranda, Lezha dhe Shkodra. 

Rezulton se premtimet e pambajtura përqendrohen kryesisht në rehabilitimin e rrugëve dytësore, përmirësimin e kanaleve kulluese, investimet në infrastrukturë, menaxhimin e mbetjeve, shërbimet sociale dhe transportin urban.

Shkaqet kryesore lidhen me vonesa disavjeçare, mungesa e investimeve konkrete, varësia nga fonde të jashtme dhe mungesa e planifikimit afatgjatë.

Monitorimi ka evidentuar premtime të ricikluara që përfshijnë: ndërtimin e një resorti skish në Korçë, rehabilitimin e qendrës së Libofshës (Fier), rindërtimi i pallateve DS5 (Durrës), tre pikat e grumbullimit bujqësor në Elbasan si dhe ngritja e një tregu bashkëkohor në Fier.

Ka gjithashtu premtime jashtë kompetencave të bashkive si ndërtimi i rrugës se Bregdetit (Kavajë) apo projekti i gazifikimit të Korçës.

6 vite monitorim

Ndërkohë, në gjashtë vite monitorim nga Faktoje, janë verifikuar premtimet e 22 bashkive. Më shumë premtime të verifikuara i përkasin bashkisë Lezhë (15), Shkodër (13) dhe e njëjta shifër (13) edhe për Durrësin

Më pak premtime i përkasin bashkive Patos, Kukës, Belsh, Pustec, Sarandë, Himarë, Tiranë.

Lezha ka realizuar 8 premtime nga monitorimi ndër vite (më e larta ndër bashkitë e monitoruara).

Ne foto: Kryetari i Bashkise Lezhe, Pjerin Ndreu

“Unë e quaj bashkinë si shportë që mbyll një vrimë këtu dhe shpohen  dy të tjera. Është dinamikë e përditshme dhe s’është e thjeshtë të adresosh gjëra. Je përballë kërkesave të njerëzve të cilat jo gjithmonë janë konform ligjit, por presioni rritet dhe nga njohja që ke.

Jetojmë në Shqipëri, kur kryetari del nga shtëpia ka kushërinj, miq, familjarë, komshij, shokë klase pra është një presion i madh…”, tha kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu

Shkodra ndërkohë ka përmbushur 6 premtime në këtë afat kohor.

Bekim Memo nga Bashkia Shkodër tha gjatë tryezës se, “ne përmiqemi gjatë punës tonë që ajo që premtojmë të jetë diçka e realizueshme dhe e matshme”

Durrësi dhe Dibra renditen secila me nga katër premtime të mbajtura ndër vite.

Premtime më shumë të pambajtura ka Durrësi me tetë të tilla.

SHKAQET

Premtimet e pambajtura ndër vite lidhen me projekte madhore infrastrukturore, rikualifikime urbane, investime zhvillimore që kërkojnë fonde të mëdha dhe koordinim me qeverinë qendrore dhe donatorët. Këtu e vuri theksin edhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, nisur nga eksperienca e tij si ish-kryetar i Bashkisë së Beratit.

Ne foto: Ministri i Shtetit per Pushtetin Vendor, Ervin Demo

“Mund të ketë qenë një donator, mund të ketë qenë një partner, mund të ketë qenë qeveria qendrore. Është një amalgam burimesh që ty të japin mundësinë për të përmbushur nevojat që ka territori, jo thjesht premtimet, se premtimet për mua nuk janë qëllim në vetvete, por çdo kryetar bashkie është atje për të përmirësuar jetën e qytetarëve, dhe për t’i dhënë përgjigje atyre të cilët janë sfidat e territorit…”, tha ai

Shkaqet kryesore të mos mbajtjes së premtimeve gjatë monitorimit 6 vjeçar lidhen me planifikim jo realist gjatë fushatës, kapacitete të kufizuara administrative si dhe, varësi nga transfertat qendrore.

Një problematikë që e preku edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu. “Ne në premtime mundohemi të fokusohemi në ato prioritete që i kanë zona të ndryshme brenda një bashkie. Ne nganjëherë bëjmë rolin e lobuesit, pra nuk e kemi ne në dorë, por detyrohemi ta marrim përsipër se ne na shikojnë si njerëzit që mund ta bëjmë edhe lobimin në qeveri…”, tha Ndreu

Transparenca në rritje

Monitorimi i Faktoje bazuar mbi 16 indikatorë të transparencës dhe konsultimit publik tregoi diferenca mes bashkive që e kanë institucionalizuar tashmë transparencën  (Shkodra, Lezha, Korça) dhe atyre që e trajtojnë si detyrim formal.

Në krye të renditjes 2025 renditen Lezha, Shkodra, Korça, Saranda dhe Durrësi me 100%.

Nënkryetari i bashkisë Durrës, Gentian Kallmi vlerësoi se procesi i transparencës për Bashkinë Durrës ka qenë një sfidë e veçantë.  

“Është një mekanizëm shumë i mirë ky monitorim për qëllimin e pushtetit vendor. Demokracinë vendore, përfshirjen e qytetarëve, jo vetëm nëpërmjet komunikimit transparent, ne kemi si sfidë dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje për të qenë një bashki sa më transparente”, tha ai.

Nivele të larta transparence ka njohur gjatë vitit të monitorimit edhe Elbasani (93.75%), më pas vjen Tirana dhe Fieri (81.25%).

Në fund renditet Bashkia Kavajë, me problematika në publikimin e raporteve të buxhetit dhe dokumenteve vendimmarrëse, por me përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme.

Impakti i Faktojes  

Një gjetje e rëndësishme e raportit është se, bashkitë e monitoruara në mënyrë të vazhdueshme nga Faktoje kanë shfaqur përmirësim progresiv, përsa i përket komponentit të transparencës.

Ministri Ervin Demo vlerësoi punën e Faktojes në këtë drejtim duke përcjellë edhe një mesazh:   

“Është e rëndësishme që bashkitë të kuptojnë dita ditës që transparenca punon në favor të tyre. Është e vështirë në fillim, por realisht transparenca punon për bashkinë në momentin që ajo kthehet në një nivel besimi më të madh të qytetarëve dhe patjetër puna e kryetarëve të bashkisë dhe suksesi i tyre pastaj është më i lartë”.

Edhe Znj. Sabine Piccard, Drejtore e Qeverisjes dhe Shëndetësisë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se, besimi tek institucionet nuk është automatik, ai fitohet.

“Monitorimi i pavarur nuk ka të bëjë me kritikën, por me forcimin e demokracisë. Duke matur transparencën dhe duke ndjekur realizimin e premtimeve elektorale, llogaridhënia në nivel vendor vetëm sa përforcohet. Nga perspektiva zvicerane, kjo është thelbësore…Përmes partneritetit tonë të ri me Faktoje, jemi të kënaqur të kontribuojmë në forcimin e zërit të shoqërisë civile dhe në mbështetjen e vlerave demokratike, duke vlerësuar atë që qeverisja vendore realizon në bazë të angazhimeve të saj, por edhe duke sjellë në qendër të vëmendjes çështjet që kërkojnë ndjekje dhe trajtim të mëtejshëm

Fondi Social

Ndërkohë, monitorimi i Fondit Social (2023–2025) ka treguar se ka zgjerim në shtrirjen territoriale dhe mbështetjen financiare nga 33 bashki në vitin 2023 në 53 në vitin 2025, duke rritur numrin e shërbimeve dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël

Nevila Gjata
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img